Mësimi i shqipes në Beograd, drejt përvjetorit të 90

Tirana na ka dërguar profesorë të mirë, por fatkeqësisht këta profesorë kanë pasur dhe kanë angazhime edhe në Shqipëri dhe, për këtë arsye, asnjëherë deri më tani nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë të dy semestrat në Beograd dhe të mbajnë ligjërata, ashtu siç mbajnë të gjithë lektorët e huaj të angazhuar të gjuhëve të tjera të huaja. Kjo ka ndikuar që edhe përkundër faktit që kemi pasur profesorë, mosprania e tyre është vërejtur shumë në fakultet dhe ka shkaktuar pakënaqësi.

 Intervista/ Dr. Naile Mala, shefe e Katedrës së Albanologjisë: Lektorët e shqipes këtu nuk përfaqësojnë vetëm veten

shqipja_ne_beogradE krijuar në çerekun e parë të shekullit të njëzetë, Katedra e Albanologjisë në Beograd është tashmë në prag të 90-vjetorit. Me qindra studentë përgjatë gjithë viteve kanë mundur të mësojnë gjuhën shqipe dhe të njihen me kulturën e shqiptarëve. Lektorët e kësaj katedre në vite kanë qenë ndër personalitetet më të njohura të albanologjisë. Në dekada, katedra ka njohur suksese dhe kohë të vështira, referuar sidomos situatave historike. Lektorët e saj kanë qenë kryesisht nga Kosova, por nuk ka munguar as angazhimi i kolegëve nga Shqipëria. Modeste, pa ndonjë buxhet të posaçëm, pa mundur dot as të përfitojë nga Shqipëria e Kosova, qoftë edhe ndihmë me libra për bibliotekën e saj, Katedra e Shqipes, mbetet, megjithatë, ndër më të mëdhatë, sa i përket numrit të studentëve. Ajo drejtohet nga një lektore dhe studiuese, e cila më shumë se gjithçka, e percepton si mision mësimdhënien e gjuhës sonë amtare në kryeqytetin serb. Për të krijuar një ide më të qartë sa i përket katedrës dhe mënyrës se si ajo funksionon, ne biseduam me dr. Naile Malën dhe fillimisht e pyetëm atë për interesin që kanë studentët aktualë për shqipen.





Ju ligjëroni në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit, mund të na thoni përshtypjet tuaja për interesimin e studentëve në lidhje me gjuhën shqipe dhe me kulturën tonë në përgjithësi?

Pas ngjarjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në Kosovë dhe pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000, dukshëm është zgjuar interesimi për të mësuar dhe për të studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Serbi. Mirëpo në këtë kohë ende vazhdonte fushata antishqiptare në Serbi dhe katedra gjendej në një situatë të mjerueshme. Në fillim të viteve ‘90, profesorët e Prishtinës u larguan nga katedra, kështu që ajo mbeti edhe pa profesorë, edhe pa libra, edhe pa shpresë.

Katedra e Beogradit është më e vjetra e hapur për gjuhën shqipe, madje shumë kohë më parë sesa në Tiranë. Mund të na thoni më shumë në lidhje me këtë fakt?

Katedra për Albanologji në Universitetin e Beogradit është një nga katedrat më të vjetra. Kjo është themeluar në vitin 1925. Idenë për mësimin e gjuhës shqipe, i pari e ka dhënë shkencëtari i famshëm Jovan Cvijiq në vitin 1907, por ideja është realizuar në vitin 1920-‘21. “Fillimisht gjuha shqipe është mësuar në kuadër të një seminari të veçantë Gramatika krahasuese e gjuhëve indoeuropiane, kurse në vitin akademik 1920-‘21 edhe lënda Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe. Në këtë kohë, si pedagog është angazhuar prof. dr. Henrik Bariqi. Përveç seminarit, në vitin 1923, ka filluar të botohet edhe Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnografinë e shqiptarëve. Është interesant se revista fillon jetën e vet para se të fillonte seminari i gjuhës shqipe. Në këtë kohë, në Fakultetin Filozofik të Beogradit është mësuar vetëm gjuha serbe, gjuhët sllave, orientale dhe seminari për gjuhë gjermane dhe pas tyre, gjuha shqipe. Kësaj ndërmarrjeje arsimore dhe kulturologjike të Henrik Bariqit në vitin 1925, i bashkohet edhe dr. Xhevat Korça, pastaj edhe romanisti Vojisllav Dançetoviq. Seminari e ka ndërprerë punën nga viti 1937 deri në vitin 1948 për shkak të ngjarjeve politike dhe historike të asaj kohe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur mësimet i ka mbajtur profesor Vojisllav Dançetoviqi, me mbështetje të fortë të asistentëve Idriz Ajeti dhe Anton Çetta, kjo katedër deri në vitet ‘60 ka qenë fidanishte kryesore e kuadrove të para universitare të shqiptarëve të Kosovës, në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, në mesin e tyre ka qenë dr. Besim Bokshi, dr. Gani Luboteni, dr. Latif Mulaku, dr. Latif Berisha, Ramiz Kelmendi, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Murat Isaku, Enver Gjergjeku edhe shumë shumë të tjerë.

Deri nga fundi i viteve të ‘80 në këtë katedër kanë qenë të angazhuar profesorët e Prishtinës, mirëpo me largimin e tyre, që nga viti 1991 e deri në vitin 2008, katedra ka qenë në një gjendje vërtet të mjerueshme në çdo pikëpamje.

Disa nga personalitetet më të spikatura në albanologji në shekullin e njëzet e kanë drejtuar këtë katedër dhe kanë qenë lektorë. Cila është, në fakt, historia e lektorëve shqiptarë në vite (megjithëse ju thatë diçka edhe më sipër)?

naile-mala,-dr.-ne-letersi-shefe-e-katedres-se-albanologjise-ne-BeogradMund të thuhet se rolin kryesor në mësimin e gjuhës shqipe e kanë luajtur lektorët, prof. Henrik Bariçi, i cili është angazhuar në vitin 1925, dhe pas tij dr. Xhevat Korça, i cili ka qenë emigrant politik i ikur nga Shqipëria. Prof. Xhevat Korça për shkak të rrethanave të atëhershme është larguar nga Beogradi në vitin 1928 dhe është vendosur në Grac. Pas tij, si lektor ka punuar prof. Vojisllav Dançetoviç, serb i Kosovës, i cili e ka kryer romanistikën në Zagreb. Pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë katedër ka punuar prof. dr. Idriz Ajeti dhe prof. Anton Çetta. Ata kanë punuar deri në vitin 1960, kur është hapur Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Në vitin 1962, si lektor, është angazhuar prof. Remzi Nesimi, i cili i ka kryer studimet albanologjike në Beograd, pas tij 1966-1967, prof. Nderim Kupi, emigrant politik nga Shqipëria, i cili ka kryer italianistikën në Beograd dhe Halit Tërnavci nga Kosova deri në vitin 1975, kur pas vdekjes së profesor Vojisllav Dançetoviqit është emëruar shef katedre. Pastaj si lektore e radhës është pranuar prof. Gjushtina Shushka, e cila, pasi ka doktoruar në Tiranë në vitin 1994, është emëruar docente dhe nga fundi i viteve ‘80, Remzie Ajeti, e cila i ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës. Pas vitit 2000, në këtë katedër, fakulteti më ka angazhuar mua si lektore dhe asistenten Merima Krijeziun.

Nga viti 2008, Fakulteti Filologjik i Beogradit e ka parë të arsyeshme që tashmë edhe për katedrën tonë duhet të angazhojë pedagogë të jashtëm dhe në këtë vit ka lidhur Marrëveshjen për bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, por edhe me Universitetin e Shkodrës. Ndër profesorët e parë që kanë ardhur është prof. dr. Stefan Çapaliku dhe prof. dr. Primo Shllaku, prof. dr. Tefë Topalli, prof. dr. Alfred Çapaliku, prof. dr. Avni Xhelili, prof. dr. Adem Jakllari, Ledia Dushi dhe në periudhën 2012-2013, prof. dr. Dhimitër Bello dhe prof. dr. Persida Asllani.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira, sipas jush?

Momente të vështira ka pasur mjaft, por unë këtu do të theksoj vetëm rastin e Bibliotekës sonë, e cila, edhe pse dikur ka qenë shumë e pasur me libra, sepse pas Luftës së Dytë Botërore, Biblioteka Kombëtare e Tiranës i ka dërguar nga një kopje të secilit libër Shoqatës së atëhershme Kulturore jugosllavo-shqiptare në Beograd, mirëpo nga vitet ‘80 librat janë zhdukur dhe biblioteka gjithnjë e më shumë është varfëruar tmerrësisht. Kjo gjë ka qenë e dhimbshme për shumë shqiptarë, të cilët këtë bibliotekë e kanë përjetuar si diçka që u takon edhe atyre dhe si vend i rrallë ku dikush ka mundur të gjejë ndonjë element që ka të bëjë me identitetin shqiptar.

Ka pasur edhe momente të tjera, por ato qofshin të shkuara.

Me këtë rast dua të përmend një gjë që na ka bërë të ndihemi krenarë dhe prandaj edhe kësaj radhe, falënderoj zotin Ilir Meta, i cili si ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, gjatë vizitës që ka bërë në Beograd, në vitin 2010, ka vizituar edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe këtu dhe me këtë rast na ka sjellë rreth 30 tituj librash, të cilat na kanë ndihmuar mjaft në zhvillimin e mësimit në katedër, por edhe na ka premtuar çdo lloj ndihme të Shqipërisë. Vizita e zotit Ilir Meta ka ndikuar aq shumë, saqë nga ai moment edhe interesimi për katedër brenda vetë fakultetit ka ndryshuar rrënjësisht, por edhe qëndrimi i të tjerëve ndaj katedrës në përgjithësi.

Që nga viti 2011, edhe Fakulteti Filologjik i Beogradit për çdo vit ka ndarë mjete për blerjen e librave edhe për Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe ne këto libra i kemi siguruar nga Prishtina.

Cilat janë marrëdhëniet e katedrës me shtetin amë, çfarë mbështetjeje keni gjetur dhe çfarë do të donit të kishit në të ardhmen për mbarëvajtjen e kësaj katedre?

Deri më tani kemi pasur profesorë vetëm nga Shqipëria, por shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe nga Kosova, sepse duke u nisur nga përvoja afatgjatë që kemi pasur gjatë viteve, profesorët e Prishtinës kanë shumë njohuri për lidhjet kulturore midis këtyre dy popujve dhe kanë më shumë sens për rrethanat në përgjithësi. Edhe me Shqipërinë kemi bashkëpunim të mirë. Tirana na ka dërguar profesorë të mirë, por, fatkeqësisht, këta profesorë kanë pasur dhe kanë angazhime edhe në Shqipëri dhe, për këtë arsye, asnjëherë deri më tani nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë të dy semestrat në Beograd dhe të mbajnë ligjërata, ashtu siç mbajnë të gjithë lektorët e huaj të angazhuar të gjuhëve të tjera të huaja. Kjo ka ndikuar që edhe përkundër faktit që kemi pasur profesorë, mosprania e tyre është vërejtur shumë në fakultet dhe ka shkaktuar pakënaqësi. Që t’i shmangemi kësaj situate, do të ishte mirë që në të ardhmen, Ministria e Arsimit e Shqipërisë të na dërgojë pedagogë, të cilët do të qëndrojnë tërë kohën në Beograd dhe të cilët do të mbajnë ligjërata si të gjithë të tjerët.

Po me libra a ju ka ndihmuar Shqipëria?

Përveç zotit Ilir Meta, për të cilin ju thashë, libra të tjerë nuk kemi marrë nga Shqipëria.

Si përzgjidhen lektorët dhe a e këqyrin ata mësimdhënien në një vend të huaj si një mision edhe më të rëndësishëm sesa brenda vendit? A keni ju një opinion për këtë?

Nuk e di cilat janë kriteret në bazë të të cilave Ministritë e Arsimit i zgjedhin lektorët, por e di se të gjithë lektorët e gjuhëve të huaja që vijnë në Fakultetin Filologjik të Beogradit nuk përfaqësojnë vetëm vetveten, por përfaqësojnë edhe shtetin e vet dhe, në njëfarë mënyre, janë ambasadorë të shteteve të veta.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 





Comments are closed.