Hapet sot kampi veror për fëmijët romë dhe ata me probleme social-ekonomike

Kampi per femijetHapet për herë të parë sot kampi veror për fëmijët romë dhe ata me probleme social-ekonomike që janë të strehuara pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave. Në këtë kamp do të marrin pjesë 71 fëmijë, të grupmoshave të ndryshme duke filluar që nga 3 vjeç e deri në 15 vjeç. Kampi do të çelet sot dhe do të zgjasë 15 ditë deri më datë 8 gusht. Organizimi i tij synon që fëmijët të argëtohen, të mësojnë gjëra të reja dhe interesante rreth jetës dhe vetes së tyre. Gjithashtu, nëpërmjet këtij kampi synohet që fëmijët pjesëmarrës të zhvillojnë vlera si besimi, sinqeriteti, respekti, toleranca dhe të forcojnë zotësitë fizike për t’u përballur me përvoja dhe sfida të reja. Kampi do të quhet “Fëmijët e lumtur”, pasi sipas përfaqësuesve të tij, vendosja e emrit u bë në përputhje me kërkesat e vetë fëmijëve. Ai organizohet duke marrë në konsideratë mendimet dhe dëshirat e fëmijëve dhe duke respektuar të drejtën e tyre për pjesëmarrje. Përfshirja e fëmijëve në aktivitete të kampit veror do të bëhet në bazë të ndarjes së tyre në grupe. Ndarja do të realizohet sipas grupmoshës dhe do të jenë katër grupe, nën kujdesin e animatorëve socialë, të trajnuar në punën me fëmijët dhe organizimin e aktiviteteve psikosociale. Aktivitetet që do të zhvillojnë këto fëmijë fillojnë që nga punët e artit e deri tek argëtimi nëpër pishina. Disa nga aktivitetet e tyre do të jenë kërcimi, mbjellja e luleve, gatimi. Ndërkohë, në ditë të caktuara është përcaktuar edhe vajtja në teatër apo edhe në kinema. Kampi ofron të gjithë llojet e veprimtarisë në mënyrë që fëmijëve t’u ofrohet një shërbim sa më cilësor. Sipas përfaqësuesve të kampit, qëllimi i tij është ofrimi i mundësive për argëtim për atë kategori fëmijësh, të cilët janë lënë në harresë dhe që nuk kanë asnjë lloj mundësie tjetër për të kaluar momente të bukura. Qendra Tranzitore e Emergjencave është institucioni më i ri në varësi të Shërbimit Social Shtetëror. Ajo u ngrit në ish-regjimentin e kimisë në Shish Tufinë. Kjo qendër shërben si vendqëndrimi për strehimin e familjeve të komunitetit rom pas shpërnguljes nga banesat e mëparshme. Aktualisht, aty banojnë 53 familje, ish-banore të zonës së Pallatit me Shigjeta, nga të cilët 103 janë fëmijë të grumposhës 0-18 vjeç. I.Hoxha

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.