Anijet turistike nxjerrin jashtë loje skafet

foto-KryesoreSipërfaqja

Sipërfaqja detare e zonës, 12,570 ha. Ka habitate të larmishme, shpate nënujore, shpella, kepe, plazhe të vogla.

Speciet



Ka 36 specie me rëndësi kombëtare: Posidonia Oceanica, sfungjerë, knidarë, molusqe, krustace, reptile dhe gjitarë detarë.

Historia

Në zonë ka arkeologji të periudhave antike greke, romake, mesjetare dhe të historisë moderne, në bregdet dhe nën ujë.

 

Karaburun-Sazan

Vlora hedh sytë nga gadishulli. Turizëm në plazhet që i ‘mbronte” ushtria

Zamir Alushi

Porti i Vlorës ishte bosh. Trageti i vetëm, që vjen nga Brindisi, një herë në javë, nuk kishte arritur në ditën e caktuar, 11 korrik, ndërsa anijet e mallrave, siç mësuam, vijnë më rrallë se më parë. Edhe anija që do të merrnim për udhëtimin drejt Gadishullit të Karaburunit nuk dukej. Ajo ishte e vogël dhe e mbulonte kalata e ngritur për ankorimin e mjeteve gjigante. Grupi i gazetarëve, pasi u kontrollua nga autoritetet e portit, thuajse vraponte nëpër bankinën e betonit, ndoshta për të lënë pas ndjesinë mbytëse të udhëtimit me furgon nga Tirana. Në mbarim të aventurës rrugore, aspak turistike, sapo lë autostradën dhe hyn në ullishtën e Vlorës që ka humbur poshtë shtëpive në proces legalizimi, të kap stresi dhe ke nxitjen ta kapërcesh menjëherë qytetin, të arrish në det. Tri palë organizonin këtë “Fam trip” me median: Bashkia e Orikumit, e interesuar për zgjerimin e turizmit në Parkun Detar të Mbrojtur të Karaburunit, por e shqetësuar nga presioni për ndërtime në këtë zonë; Agjencia Kombëtare e Turizmit që kërkon të promovojë potencialin turistik të Karaburunit dhe Sazanit; Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, që bën apel për mbrojtjen e asaj që ka mbetur nga pasuria nënujore dhe bregdetare e gadishullit. “Me mbarimin e moratoriumit, biznesi i ri që lulëzoi në këtë anë, ishte transporti i turistëve që duan të arrijnë plazhet e pashkelura”, shpjegon Çlirim Hoxha një shkrimtar nga Vlora, i pasionuar pas kësaj zone. Lundrimi me shpejtësi me skafe dhe gomone të ngre adrenalinën, por nuk është komod kur deti është me dallgëzim, sidomos në “mexo kanal”. Sipas bisedave që bëmë me marinarët, lundrimi në korridorin mes ishullit dhe Karaburunit ka rrezik të lartë për mjetet e lehta. Këtë dizavantazh e kuptuan menjëherë operatorët turistikë në Vlorë. Katër anije turistike të posaçme për shëtitje janë sjellë në Portin e Orikumit për këtë sezon. Një prej tyre është “Rexhina blu”. Ajo i ndez motorët dhe shkëputet ngadalë. Kapiteni i anijes, Sali Saliaj, prezanton stafin e tij, ndihmësin, motoristin, një marinar dhe personelin e shërbimit. Duke folur nga pozicioni i tij pas timonit të anijes, Saliaj tregon itinerarin: Ishulli i Sazanit, Shpella e Haxhi Aliut, Shën Jani, Shën Vasili…Kapiteni ka një jetë në det, por sidomos Gjirin e Vlorës dhe Karaburunin i njeh si në pëllëmbë të dorës. Kjo është anija më e vogël që ka drejtuar. Për herë të fundit ishte kapiteni i peshkarexhës “Pavarësia”. Anija shëtitëse, me restorant dhe ambiente argëtimi në sipërfaqe, është një risi, jo vetëm për Vlorën, por është nga të parat që vijnë në vend. Investimi është disa milionë dollarë për këto mjete. “Vetëm dokumentet, taksat dhe udhëtimi i tyre për t’i sjellë nga Varna, Bullgari, kushton qindra mijëra dollarë”, thotë kapiteni. Sipas autoriteteve ushtarake, është parashikuar që Baza e Pashalimanit të prodhojë anije të tonazhit të vogël për qëllime civile dhe jahte. Por biznesi nuk pret, vepron. A ia vlen ky biznes? Vlonjatët e kanë marrë gjithnjë parasysh rrezikun dhe fitimin që vjen nga deti. Deri tani, sipas informacioneve të operatorëve turistikë, këto mjete janë frekuentuar nga turistë të huaj që e marrin këtë shërbim përmes paketave turistike të shoqëruara me hotelin. Turistët vendas paguajnë 1600 lekë për person ose 3600 lekë përfshirë një drekë në restorantin e anijes. Papritur deti u egërsua kur ne u afruam rreth një gjysmë milje afër Ishullit të Sazanit. Anija përplasej me dallgët e forta dhe lëvizte lart e poshtë. Aty e kuptuam pse pirati Haxhi Aliu kishte zgjedhur këtë vend për t’u strehuar. Një milje më tutje është shpella me emrin e tij. Ka pasur shumë plane dhe ëndrra për turizmin në këtë ishull që e administron ushtria. Ish-kryeministri Nano donte të ngrinte aty një qendër kazinosh të madhe. Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, hodhi idenë e ngritjes së muzeut të Luftës së Ftohtë, me armë dhe mjete detare. Në fakt, paaftësia e qeverisë për të investuar në turizëm, mund të ketë qenë mbrojtja më e mirë e kësaj hapësire. Në Karaburun gjendet edhe një rezervë e madhe mermeri të bardhë, e shfrytëzuar në kohën e antikitetit nga ilirët dhe romakët. Por me shpalljen park i mbrojtur, Karaburuni ka shpëtuar nga guroret. Afër gjirit të Shën Janit deti qetësohet. Kapiten Saliaj vendos të kthehemi në drejtim të Shën Janit, manovra ishte e vështirë. “Ka pak det, prandaj do të kthehemi”, njofton ai ndryshimin. Në këtë vend janë mbytur 43 vetë 20 vitet e fundit. Deti ka rryma të fuqishme dhe ngre dallgë të larta, në mënyrë të paparashikuar. Deti qetësohet sapo afrohemi të Gjiri i Shën Janit. Aty duken nga afër fortifikimet dhe tunelet ushtarake. Rrugës pamë vetëm një velierë dhe dy skafe të vogla që i përdorin lokalet e ngritura në këto plazhe të vogla. Në Shën Vasil ka një bankinë betoni që është shfrytëzuar dikur nga marina ushtarake. “Rexhina blu” ankorohet me lehtësi. I vetmi investim është një lokal me dru dhe shezlongët në pritje të pushuesve. Është një ditë e keqe për këtë plazh privat. Vetëm katër pesë vetë, pa llogaritur grupin tonë, kishin mbërritur në bregdetin e kthjellët të Shën Vasilit. Mali i Karaburunit varej gjithë gjelbërim mbi gjirin e shenjtë ku po mbretëronte një copë herë “Rexhina” jonë para se të merrte rrugën e kthimit për në Vlorë.

 

Ilegaliteti

Rreziku që vjen pas moratoriumit

Me zhvillimin e ri urban të qytetit të Orikumit dhe intensitetin aktual të zhvillimit të turizmit përgjatë bregdetit të Radhimës dhe Orikumit, presioni mbi Parkun Detar Karaburun-Sazan është gjithmonë duke u shtuar. “Presioni mbi det dhe tokë ka ardhur si pasojë e ndërtimeve pa leje, zjarreve, peshkimit ilegal, zhytjeve dhe marrjes së pakontrolluar të resurseve nënujore”, informon nënkryetari i Bashkisë Orikum. Deri tani presioni mbi det nuk ishte kritik për shkak të Moratoriumit të Mjeteve Detare, i cili ishte në veprim për rreth shtatë vjet me radhë deri në 2013-n, për luftën kundër emigracionit të paligjshëm, i cili pengoi lëvizjen e pakontrolluar të mjeteve detare edhe në këtë zonë gjithashtu dhe për pasojë edhe veprimtaritë e paligjshme, thotë eksperti  i mjedisit, Zamir Dedej. Sot, në pjesën tokësore fatmirësisht lëvizja dhe çdo aktivitet tjetër janë të kontrolluara për shkak të prezencës së Bazës Detare të Pasha Limanit, e cila po luan rolin e një mbrojtësi të pakushtëzuar.

Por, sipas tij, kjo mbrojtje ka edhe një dobësi. Nuk lejonte deri tani zhvillimin e turizmit. Zona është e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve si plazh, qendra zhytjesh, shëtitje me varka, ecje në natyrë, vizita në zonat arkeologjike dhe atraksionet e tjera historike. Urojmë të përdoret vetëm rruga detare për zhvillimin e Karaburunit, si më e përshtatshme për turizëm të kontrolluar, tha Dedej.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.