“Mbi 156 mijë pasaporta fëmijësh janë prodhuar në kundërshtim me ligjin”

[callout]Hantin Bonati – Të gjitha pasaportat e prodhuara gjatë periudhës prill 2009 – korrik 2010 janë lëshuar në kundërshtim me ligjin. Ato janë prodhuar me afat vlefshmërie 10-vjeçare, në një kohë që duhet të ishin 5-vjeçare[/callout]

Intervista 

Drejtori i Gjendjes Civile: Do t’i bëjmë të reja. Në vitin 2015, rritet çmimi i pasaportave

Silvana Muça


Mbi 156 mijë pasaporta fëmijësh janë prodhuar në kundërshtim me ligjin. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Hantin Bonati, thotë se pasaportat për fëmijët nga 0-16 vjeç duhet të ishin 5-vjeçare, ndërkohë që ka ndodhur e kundërta. Ato janë prodhuar me afat vlefshmërie 10-vjeçar për periudhën prill 2009-korrik 2010 dhe autoritetet përkatëse të kohës, kur ka ndodhur ky problem, nuk i kanë informuar qytetarët se pasaportat e fëmijëve të tyre do të fillonin të dilnin jashtë përdorimit në prill të vitit 2014. Për të riparuar gabimin, Ministria e Punëve të Brendshme i ka propozuar qeverisë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre pasaportave, duke u dhënë mundësi poseduesve të tyre që të nxjerrin pasaportat e reja. Propozimi u kthye në një ligj të Parlamentit dhe tanimë qytetarët kanë mundësi edhe një vit për të nxjerrë pasaportat e reja. Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë informimi për qytetarët, kryesisht ata që janë emigrantë në shtetet e tjera dhe që mund të kenë më shumë probleme nga kjo çështje. Ministria e Brendshme thotë se duke nisur nga janari i vitit 2015, çmimi i pasaportave biometrike në Shqipëri do të rritet 4% për çdo vit vlefshmërie dhe ato jashtë shtetit 5% për çdo vit vlefshmërie. Pasaportat e fëmijëve, vitin e ardhshëm, do të kushtojnë 20% më shtrenjtë, e përkthyer në vlerë monetare, nga 6000 lekë, shkon në 7500 lekë. Sipas Bonatit, rritja është përcaktuar në kontratën e nënshkruar me kompaninë koncesionare që në mars të vitit 2013. Drejtori i Gjendjes Civile ka folur për gazetën “Shqip” për hapat që janë ndërmarrë, për të zgjidhur këtë problem, që siç thekson ai, është i mbartur.

 

Cila ka qenë problematika e konstatuar lidhur me pasaportat e shtetasve nën moshën 16-vjeçare?

Gjatë periudhës prill 2009, deri në fillim të korrik të vitit 2010, janë prodhuar 156 231 pasaporta, afati i vlefshmërisë së të cilave është shënuar në mënyrë të pasaktë. Ligji i miratuar në vitin 2000 shprehet se për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit, afati i vlefshmërisë së pasaportës së shtetasve nën moshën 16-vjeçare, është 5 vjet, ndërkohë që të gjithë pasaportat e prodhuara gjatë periudhës prill 2009 – korrik 2010, janë lëshuar në kundërshtim me ligjin. Ato janë prodhuar me afat vlefshmërie 10-vjeçare. Sipas ligjit nga muaji prill 2014, këto pasaporta do të ishin të pavlefshme.

Çfarë hapash ndërmorët për të zgjidhur këtë problematikë?

Problemi i pasaportave të fëmijëve ishte konstatuar që para rreth 5 vjetësh, e megjithatë, nga drejtuesit e mëparshëm të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile nuk ishte marrë asnjë masë për të trajtuar dhe për ta zgjidhur atë. Në momentin që ne u vumë përpara këtij problemi, situata ishte bërë edhe më e mprehtë, pasi siç e thashë, në prill të këtij viti, pasaportat e gabuara duhej të dilnin jashtë përdorimit, duke u krijuar kështu shumë probleme mbajtësve të tyre. Nga ana jonë u ngrit menjëherë një grup pune ndërinstitucional, i cili pasi grumbulloi të gjithë informacionin e nevojshëm dhe kreu një analizë të hollësishme, propozoi shtyrjen e afatit ligjor të këtyre pasaportave me pasaktësi edhe për një vit tjetër. Pra, ligjërisht, afati i pasaportave të shtetasve, të cilët janë pajisur me këtë dokument me pasaktësi do të jetë 6 vjet nga data e lëshimit të tyre. Ky propozim i yni tashmë është miratuar dhe nga Parlamenti.

Përpara se të dilnit në propozimin e bërë, çfarë aspektesh morët parasysh?

Sikurse e përmenda dhe pak më lart, nëse kjo parregullsi do të ishte trajtuar menjëherë me konstatimin e saj nga drejtuesit e institucionit, pra që në vitin 2009, do të kishte qenë gjithë koha e nevojshme për të trajtuar këtë problem. Sidoqoftë në mënyrë të përmbledhur po radhis disa nga aspektet kryesore që u mbajtën në vëmendje përpara se të konkludohej në zgjidhjen e propozuar. Është shtyrë afati i pasaportave me një vit për të miturit, për disa arsye. Në kontaktuam kompaninë koncesionare, në lidhje me problemin. Ekspertët e saj na thanë se për të nisur ky proces, duhen 7-12 muaj kohë, për të siguruar bazën materiale, duke qenë se procesi i prodhimit të tyre është një proces i gjatë dhe i sigurisë së lartë. Baza ka të bëjë me sigurimin e librit të pasaportës, përfshi këtu faqja polikarbonat, letrën e faqeve të vizave, etj. Këto materiale porositen më vete dhe shkojnë në një proces shumë kompleks përpara se të bashkohen të gjitha së bashku, nga prodhuesi në Holandë. Një tjetër aspekt që na detyroi të shtynim afatin e nxjerrjes jashtë përdorimit të pasaportave për të miturit ishte edhe koha mjaft e limituar. Qytetarët nuk ishin vënë në dijeni për problemin e identifikuar, duke marrë parasysh që shumica e tyre ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

A ka raste të tjera që pasaportat e shtetasve nën moshën 16 vjeç të kenë një afat 6-vjeçar?

Paraprakisht do të doja të theksoja faktin se diferenca e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të shtetasve mbi 16 vjeç, me atyre që janë nën 16 vjeç, vjen për të vetmen arsye se ndryshimet e tipareve të shtetasve nën 16 vjeç janë shumë më dinamike. Për t’iu kthyer pyetjes suaj do të thoja se kjo nuk është një praktikë e panjohur dhe më parë. Ligji i vjetër thoshte se afati i vlefshmërisë për pasaportat mund të zgjatet vetëm një herë për një periudhë njëvjeçare. Kjo pikë është shfuqizuar në vitin 2010.

Si do të veprohet me fëmijët e emigrantëve?

Këta shtetas, si të gjithë shtetasit e tjerë, kanë kohën e nevojshme për të zëvendësuar pasaportën e tyre, pas përfundimit të afatit ligjor (5 vjet + 1 vit shtyrje). Duhet pasur parasysh se pas shtyrjes, pasaportat e para e përfundojnë afatin e tyre ligjor në prill 2015 dhe të fundit në korrik 2016. Ata kanë mundësi të aplikojnë dhe pajisen me pasaportat e reja, në zyrat përkatëse në Shqipëri, si dhe në zyrat e aplikimit në ambasadat/konsullatat tona përkatësisht në Itali, ku ekzistojnë dy zyra, një në Romë dhe tjetra në Milano. Edhe në Greqi ekzistojnë dy zyra, në Athinë dhe Selanik. Zyra aplikimi ka edhe në Nju Jork të SHBA-së, Londër të Mbretërisë së Bashkuar, Bruksel të Belgjikës dhe Bernë të Zvicrës.

Sa do të jetë tarifa për rinovimin e këtyre dokumenteve?

Tarifa për lëshimin e këtyre dokumenteve është e njëjtë me atë të paracaktuar në kontratën koncesionare. Pasaportat për këtë kategori shtetasish e kanë pasur afatin ligjor 5 vjet dhe pas këtij afati, shtetasve gjithsesi do t’u ishte dashur të bënin rinovimin e tyre, pra të riaplikonin. Në rastin konkret, afati i tyre ligjor është shtyrë, pra atyre u është dhënë e drejta ligjore që ta përdorin dhe një vit më shumë këtë dokument.

Dhe këta shtetas, ashtu sikurse dhe të gjithë shtetasit e tjerë, do të duhet të mbajnë në vëmendje që, referuar kontratës koncesionare tarifat, do të ndryshojnë pas datës 1 janar 2015, duke u rritur me 20% të vlerës për 5 vjet (4%/vit vlefshmërie) për pasaportat që lëshohen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe 25% të vlerës për 5 vjet (5%/vit vlefshmërie) për ato që lëshohen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për shembull, pasaportat që lëshohen në Shqipëri deri më 31 dhjetor 2014 do të kushtojnë 6 mijë lekë. Më 1 janar 2015, çmimi i tyre do të rritet me 1500 lekë të reja. Në total pasaportat biometrike do të kushtojnë 7500 lekë në total. Aktualisht në Greqi, pasaportat kushtojnë 108 euro dhe çmimi do të mbesë i pandryshuar deri në afatin e lartpërmendur. Pas kësaj ato do të kushtojnë 130 euro. Mbetet në dëshirën e të gjithë shtetasve, sikurse dhe të kësaj kategorie të riaplikojnë për të rinovuar dokumentet e tyre brenda këtij viti kalendarik, apo në një periudhë të ardhshme.

Çfarë rrezikojnë fëmijët, nëse nuk riaplikojnë për pasaportë pas përfundimit të afatit të shtyrë?

Këta shtetas, sikurse të gjithë shtetasit e tjerë, nëse do të duan të udhëtojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas ligjit duhet jenë mbajtës të një dokumenti udhëtimi me afat të vlefshëm. Për ata që janë mbi 16 vjeç, pajisen me pasaporta 10-vjeçare, ndërsa ata që janë nën 16 vjeç, pajisen me pasaporta 5-vjeçare. Pra nuk ka asnjë ndryshim në trajtimin e tyre, përveç faktit që vlefshmëria e dokumentit të tyre do të jetë 6 vjet, pavarësisht se fizikisht në dokumentin e tyre është i shënuar në mënyrë të pasaktë 10 vjet. Ata nuk kanë mundësi që të lëvizin lirisht në vendet e Bashkimit Europian, pasi ligji nuk ua lejon një gjë të tillë.

 

 

Marrëveshja

 

Toponimet, fatura do të

paguhet nga vetë shqiptarët

 

Emigrantët shqiptarë do ta paguajnë vetë koston që do t’i kushtojë bërja e një pasaporte të re, mbi bazën e marrëveshjes së toponimeve të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe homologu i tij grek, Evangjeloz Venizelos, dy javë më parë në Bruksel. Nisur nga kjo marrëveshje, qytetarët shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe kanë probleme në pasaporta, do t’i duhet t’i ndërrojnë ato përpara 1 janarit të vitit 2015. Pavarësisht kësaj kërkese kostot për këtë ndërrim do të paguhen nga vetë ata, dhe jo nga qeveria shqiptare. Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se marrëveshja nuk parashikon faturë financiare. Argumenti i parë që japin përfaqësuesit e ministrisë për këtë është ai i cili lidhet me afatin pesëvjeçar të pasaportave të fëmijëve. Sipas zyrtarëve, pjesa dërrmuese e këtyre pasaportave me probleme janë nxjerrë në vitin 2009 dhe 2014-a është viti në të cilin ato duhet të rinovoheshin gjithsesi. Një tjetër argument është dhe afati i lënë në dispozicion për të bërë pasaportat e reja, kohë e cila konsiderohet e mjaftueshme për t’u përgatitur për pagesën që individët duhet të bëjnë. Një pasaportë e re shqiptare kushton 6 mijë lekë dhe ajo mund të tërhiqet përmes zyrave konsullore të Shqipërisë në Greqi. Dy vendet arritën ta nënshkruanin këtë marrëveshje pas takimeve të shumta të dy ministrave të Jashtëm dhe diskutimeve të grupeve të teknikëve në lidhje me këtë çështje. Zgjidhja u gjet në përdorimin e termave të OKB-së për toponimet, të cilët janë në anglisht dhe në këtë mënyrë do të jenë dhe në pasaportat shqiptare të të gjithë atyre që kanë lindur në Greqi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. berti says

    Mqse shteti shqiptar cuditerisht ia fut shqiptareve gjithmone, mqse asnjeri nuk ka faj per kete e mqse kultura e pandeshkueshmerise nuk ka te ngjare te shkulet ( kultur vetem politikanet tane hajdut e quajne kete sepse nuk njohin kulture tjeter besoj)…E perfundimishte per te gjitha keto une them qe shqiptaret te dalin ne protest per ashashin po jo falas , te kerkojne te pakten 6 mije leke. te rrine atje sa te doje Sala me Lulin dhe pasi te kene mare 6 mije leke te vene te marin pashaporten. Mos te harrojne qe duhet te protestojne per ashashin.. se mos harroni e protestoni per pashaportat apo per ndonje vjedhje tjeter qe u behet nga ai qe quhet Shteti se eshte e kote.

Comments are closed.