BOTËN E PRISHIN GJYSMAKËT

ZAMIRA ÇAVO

Zamira CavoKur Ajnshtajni e tha këtë frazë, me siguri u referohej atyre njerëzve që pretendojnë se dinë gjithçka, por nuk arrijnë të kuptojnë injorancën e tyre. Këtyre gjysmakëve, nëse u jep si dhuratë lirinë, demokracia rrezikohet seriozisht. Ndaj Kenedi e shndërroi në një maksimë sa politike aq edhe sociale shprehjen: demokracia pa dije është e rrezikshme! Në këtë Shqipërinë tonë, mungesa e kulturës politike është sa e trashëguar aq edhe e lulëzuar në terrenin tonë të demokracisë.

Shqiptarët, si edhe 100 vjet më parë, janë ende larg të kuptuarit të  konceptit të lirisë. Kjo ndodh se lirinë ne e kemi kuptuar dhe e kuptojmë si një liri tonën të brendshme, që buron nga e drejta jonë individuale, pa marrë parasysh të drejtën e përgjithshme, të drejtën publike. Kjo e ka shpjegimin e vet historik. Perandoria Osmane përcolli te shqiptarët idenë se “toka e zënë me shpatë është e ligjshme”. Ndërsa diktatura enveriste e kaloi në ekstremin tjetër edukimin me idenë “asgjë nuk është individuale, gjithçka është e askujt”! Të dyja këto këndvështrime politike bënë që kuptimi ynë për demokracinë të dilte përtej çdo përfytyrimi ligjor. Liria u konceptua kështu si liri për të thënë e bërë gjithçka që dëshiron. Politika, arsimi, media dhe të gjithë aktorët e tjerë, që duhet të angazhoheshin për të mos e lënë këtë gjysmëdije mbi lirinë të kthehej në model, heshtën. Sot gjendemi sërish në një udhëkryq me po të njëjtët aktorë, që vazhdojnë të punojnë negativisht për dijen e kulturën e popullit.

 

***

A e ka lënë politika shqiptarin të pakulturuar? Përgjigjja ime është e prerë Po. Sepse ata që u morën me politikë, si në të kaluarën e largët dhe në të sotmen e përditshme në shumicën e herës, kanë qenë gjysmakë të dijes politike. Dhe këta gjysmakë, që përcollën politikën e tyre gjysmake në një popull të pakulturuar, sigurisht i bënë vendit dëmin më të madh. Sot Parlamenti shqiptar përfaqëson një nivel, ndoshta edhe më të ulët nga niveli i popullsisë, që gjithsesi ka lëvizur e ka parë si funksionon bota demokratike. Le të shikojmë opozitën. Është kapur pas një kauze që realisht duhet të jetë kauza e shoqërisë: Lufta kundër drogës, por e ka shndërruar në një pretekst të qëllimit politik personal të dyshes Berisha-Basha. Në këtë mënyrë ia kanë humbur vlerën kësaj kauze të madhe, por ndërkohë kanë humbur edhe vlerën e tyre si opozitë politike, pasi thirrja “Rama Ik’ është kaq vulgare dhe kaq e papranueshme si për kohën, si për ndërkombëtarët dhe për momentin historik ku gjendet Shqipëria. Nga ana tjetër kemi një qeveri që dëshmon vullnet politik për të ndryshuar, por që duket ende spontane në drejtim, një qeverisje që flet bukur, por që ngurron të veprojë. Qeverisja e sotme ka pasur së paku 8 vite të përgatitej për këtë qeverisje, por duket edhe ajo vuan nga sindroma “unë i di të gjitha!” Të dy krahët e politikës shndërrohen kështu në rrethin vicioz të gjysmëdijes politike shqiptare. Po anashkaloj ligjërimin politik që është ndoshta i vetmi i këtij lloji në botën moderne që barazvlerësohet me vulgun kulturor. Nuk mjafton të kesh mbaruar në universitete të botës, nuk mjafton as të mbash tituj e grada, por është e nevojshme të orientohesh politikisht! Nuk mund të ketë europianizim të vendit nëse elita politike shqiptare nuk është e bashkuar në këtë qasje, nuk e kupton këtë nevojë dhe nuk vepron për ta realizuar atë! Djathtas apo majtas politikës shqiptare ka politikanë që veprojnë kundër kësaj ideje e kundër këtij qëllimi Politika shqiptare e ka përdorur popullin e saj “si mish” për topin e interesave të veta. Dhe sa kohë që niveli i kulturës politike te ne do jetë ky që është, sërish do gjenden njerëz që do ndjekin pas  z.Berishën pa e kuptuar se përse dhe njerëz që do ndjekin pas z.Rama, pa e ditur se ç’po bën! Puna është se ne nuk e edukojmë dot politikën, por popullin kemi detyrë ta edukojmë. Ndaj demokracia ka krijuar mundësi të mëdha për të realizuar një edukim të shëndetshëm të njerëzve. Media e ka një rol të tillë në demokraci.

 

***

Në të gjithë botën e qytetëruar media ka luajtur e luan rolin e vet jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e modeleve të reja, dhe në goditjen e modeleve që cenojnë interesat publike, e kombëtare. Media jonë çuditërisht nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur Konica shprehej: Gazetari që kujton se thashethemi i tavolinës përbën lajm, gazetarë që për shkak të paaftësisë së tyre personale shpifin e shajnë, sepse kjo është gjëja që nuk do aspak mend e profesionalizëm, i bëjnë dëmin më të madh popullit!

Media shqiptare, në një përqindje të konisderueshme është gjysmake në të gjitha drejtimet; në profesionalizëm, në filozofi, në varësi politike etj. Modeli që sot media e shet për bashkëkohor është modeli më anarshist i një shoqërie që nuk kupton caqet e lirisë dhe nuk ndien peshën e ligjit. Flet Arjan Çani pa doreza nën maskën e lirisë dhe e shtyn banalitetin deri në ofendimin e figurës së Skënderbeut. Nuk është i pari që e bën këtë. Por ama harrojmë që një fyerje e tillë është vepër penale, ashtu sikundër është e tillë dhe çdo fyerje që i bëhet Presidentit apo Flamurit. Të tre këta elementë mbrohen me Kushtetutë. Por medias as që i intereson kjo. Modeli i antivlerës, modeli i thashethemnajës, modeli i përçarjes sociale dhe i lirisë si anarki, është modeli më i pëlqyeshëm i një masmedie, së cilës i mungon profesionalizmi. Në këtë këndvështrim media shqiptare sot po rreshtohet në krah të politikës dhe në dëm të kulturës së popullit dhe të ardhmes së vendit. Unë nuk gjej dot një kauzë që media e ka bërë të sajën për të ngritur shoqërinë në këmbë. Dhe Shqipëria ka kauza plot. Korrupsioni, droga, krimi i organizuar nuk do të mund të luftohet kurrë, nëse media nuk do t’i ketë kauza të sajat, jo me synim politik, por me synimin e saj fisnik: transparencë, ligjshmëri dhe kulturë të transmetuara në një model!

 

***

Arsimi mbetet padyshim një instrument i fuqishëm i edukimit të njerëzve me dije, me kulturë e me modele bashkëkohore. Unë shpresoj shumë që në Shqipëri, revolucioni në arsim të fillojë nga fëmijët e kopshteve me një edukatë tjetër, me një dije të qëndrueshme, që të mos shndërrohen në gjysmakë, që dinë “gjithçka” e flasin “për gjithçka”. Por nëse edhe në arsim ne do të mbetemi në reforma, që shtojnë arna, por nuk zgjidhin problemin, nëse do të vazhdojmë të bëjmë sikundër thoshte dikur Konica: “Të merremi me hollësira dhe t’i largohemi të përgjithshmes”. Nëse nuk arrijmë të kuptojmë problemet e mëdha që kanë të bëjnë me gjysmakët në arsim, edhe pas 50 vitesh ne do të flasim me po këtë gjuhë. A nuk po flasim dhe sot me gjuhën e mendjeve të ndritura të shqiptarëve gati 100 vite më parë?









7 Comments
  1. Ligor Luarasi says

    Shkurt:Ne Shqiperi “qirinjte” e kane coptuar dhe e coptojne ende , “llamben”,

  2. Agimi says

    Kultura demokratike e nje populli ka lidhje me: 1- me trashegimnin dhe kulturen e tij(qe natyrisht populli shqiptar qe ka kaluar nen sundim te disa perandorive e ka humbur nje pjes te mire te ksaj trashegimnie). 2-me mirqenien e tije(qe populli shqiptar perseri nuk e ka per disa arsye), dhe smund te kete kulture kur s’ke te hash. 3-nga qe minoritetet ne Shqiperi veprojn kunder Shqiperise dhe jan ven nen ndikim te fqinjeve shovinist duke patur dhe mbeshtetjn e disa shqiptareve te cilet jane shitur per te realizuar interesat e tyre dhe kjo e fundit eshte vendimtare.4-media shqiptare qe lot nje rol te math ne edukimin e pergjithshem dhe edukimin demokratik, eshte e ngritur nga shovinistet fqinj dhe u sherben atyre kunder vete Shqiperise.
    Shqiptaret qe te behen shtet, ne radhe te pare duhet te marin vendin nen kontroll te shqiptareve dhe te mos e len vendin pre te agjenture ‘greke’ dhe serbe.

  3. tomi says

    Shume e vertete ! zonja çavo! Me te vetmin ndryshim, se kete here nuk eshte bota qe po prishet , por Shqipëria nga njerez gjysmake, si rrenarrama ine qe ; eshte gjysem politikan, gjysem piktor,gjysem bojaxhi, gjysem sportist, me nje fjale populli keta lloj njerzish i quan gjysmake…..Edhe per median ato qe thoni jane plotesisht te qenesishme, mediat tona i preokupon lajmi me shume se permbajtja e na shkruajne gjera qe nuk kane asnje lloj interesi per njerezit, a aq me pak per Shqiperine, siç na jep ,per shembull nje gazete me nje fare reputacioni, lajmin e vdekjes se nenes se nje aktori te nje seriali qe tranmetohet ne tv-te tona;Teper e pikellueshme do te thoshnja ! Sikur Shqipëria jone, jeton me te gjitha te mirat , dhe tani na duhet ndonje lajm per te prishur “rehatine qe na ka sjelle mireqenia” , te cilen duhet t’ja njohim si fitore klases tone politike dhe mediat qe e ndihmojne ate..!! Per te qare do thonja!!

  4. BARDHYLI.FR says

    Kur shqiptaret gjenden ne te njejtin qyp,(fizikisht dhe mentalisht),dhe kane nje uniforme ideologjike,(postet dhe benefitet),atehere mungon boshti kurrizor i nje shteti qe quhet,kauza e atdheut dhe kombit qe,per fat te keq te shqiptarve,nga akademiket dhe burreshtatasit e shtetit e deri te bariu i fshatit,e kane shpallur inegzistente edhe pse paraqet nje tragjedi kombetare, qe luhet vetem ne skenen e quajtur Shqiperi.

  5. Bashkim says

    Zonje e nderuar Zamira !I lexoj gjithmone shkrimet tuaja,une jam nje qe mendoj si ti,faleminderit shume,per njerez si ti ka nevoje ky popull dhe ky vend !

  6. shpresa says

    ke aq shume te drejte por pyetja eshte cfare mund te bejme se keshtu ska asnje vlere se ne fund te fundit kete te githe e kemi te qarte por vetem me fjale asgje svjen edhe une qe po shkruaj nje koment dhe pranoj shkrimin tuaj prap se prap femija im meson ne po te njejten shkolle ku ca te te thomi.pyes veten cdo dite se sa i afte mund te behet ai kur te rritet por nje gje jam bindur qe kur jam nene se edhe femija pavarsisht deshires dhe mundit te prindit ai nuk behet i ”mire” per hater se keshtu do doja une ka gjera qe nuk varen plotesisht nga une dhe jane ato qe thoni ju.Ca edukimi do marri brezi i ri kur edhe nje program argetues qe bejne ne shkolle mesuesit e bene brenda ne shkolle dhe gjithe femijet e shkolles nuk shikojne asgje.Thjesht te iken truri kaq se leket kan ik me kohe.Po me lindi nje pyetje:Kur ata qe kan lek kan studju jasht e kur te kthehen (nese)si do bejne se ja na u bene te saket keta po do kene te bejne me keta te tjeret qe lane ketu ama dhe keshtu do te rishkruajene shqiptaret si tani se sa te paafte jemi se na e kane fajin,etj,etj,etj

  7. adolfhi says

    e nderuara zonja cavo…….je nga intelektualet shqiptare , qe shkruan per tema te Tilla te mprehta ….ben mire qe direkt dhe indirekt i drejtohesh here popullit dhe here politikaneve..per mendimin tim ,.ne qofte se ve nje njeri negativ te drejtoje shtetin ,, ne krye te nje populli te mire dhe me karakter,, dale nga dale, ndoshta me veshtiresi, por do vije shkaterrimi i karakterit dhe i kultures te popullit ….. ..por e kunderta ndodh ,kur ne krye te shtetit vihet nje politikane Idealist i ndershem , perballe nje populli te keq e pa kulture e pa tradita, me siguri do vije miresia ,edukimi ,personaliteti i turmes te thjeshte te popullit…… populli shqiptare edhe mire qe merr fryme …shqiperia ne komunizem pati ose perjetoi Diktaturen nga me te tmerrshme ne glob ….por mbas 91 e deri me sot,, shqiptari eshte me keq se ne Diktaturen komuniste …nuk funksionon shteti ne te gjitha drejtimet ….ku ai qe vjedh,e rremben jashte ligjit mer dekorata dhe perkrahet nga politikanet.. .. kurse i ndershmi eshte mode e vjeter urrehet dhe nuk perkrahet nga politikanet.. ,,ne komunizem provuam Diktaturen, kurse ne trazicion provojme korrupsionin,,. qe ky i fundit , qenka me i tmershem …bile, ne qofte se do ta shkaterrosh e ta gjunjezosh nje popull e nje komb, kultivo vetem korrupsionin… e mesuam edhe nje gje tjeter…por korrupsioni ne shqiperi , me keqeardhje eshte sekondar, nga ana materiale , dhe me keqeardhje dhe me dhimbje te thelle, korrupsioni ne shqiperi eshte i dirizhuar me brutalitet ne korrupsion Politik.. nga keta politikane te mbas 91 e deri me sot … ku kesaj ske ci ben… eshte me i keq se kanceri . ky e shkaterron njeriun ne te gjitha drejtimet … te ben tamam si nje qen te ngordhur. i pa mbuluar mbi dhe……ah sa ka per te folur per kete teme , zonja cavo… rrespekte zonja cavo qe shkruani dhe ndihmoni masen e popullit ..bravo per kurajen qytetare ….

Comments are closed.