Preljocaj sjell të shkuarën në balet

Angjelin Preljocaj mbërrin sot në Tiranë për premierën e dy shfaqjeve të tij që do të ngjiten nesër premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Angjelin Preljocaj mbërrin sot në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 11.05. Ky është udhëtimi i dytë drejt Shqipërisë për yllin e baletit, i cili do të prezantojë dy shfaqje “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni”. Gati 20 vjet pas performancës së pjesës emblematike “Dasma” në vitin 1994, Preljocaj do të prekë sërish skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Nga Franca, artisti ka nisur dje një mesazh drejtuar medias dhe trupës së TKOB-it, ku tregon konceptin mbi këto shfaqje. “E krijova ‘La Stravaganza’-n instiktivisht diku aty nga viti 1997, pasi Peter Martins e porositi këtë pjesë për trupën e baletit të Nju Jorkut. Fillimisht, s’kisha asnjë temë të caktuar apo ndonjë zgjidhje përfundimtare sa i përket muzikës. Ndaj, fluturova drejt Amerikës me qëllimin që të takoja balerinët”, shkruan Preljocaj. Si një fëmijë emigranti, Nju Jorku ka qenë për të gjithnjë një qytet mitik. “Si një simbol emigrimi për ata që udhëtojnë drejt nisjeve të reja, nocioni i ‘kontinentit të ri’ do përshfaqej tek unë i qartë, gjatë të gjithë procesit krijues. Nga njëra anë, isha një banor lindor me kulturën e tij të trashëguar, traditat e veta, ndërsa nga ana tjetër qëndronte Amerika, Broadway dhe Balanchine”, shkruan Preljocaj. Ajo çfarë ai donte të tregonte me këtë shfaqje ishte e shkuara, e cila kthehet në një shqetësim të vazhdueshëm. “Njerëz që ngrihen nga asgjëja dhe sjellin të renë. Në fillim të pjesës, dëgjohet një vajzë e re duke thënë: “Unë kujtoj”. E shkuara pëlcet në të ardhmen. Sikur koha ishte një lak, një pafundësi. Edhe përzgjedhja e muzikës është gjetur në funksion të kësaj ideje. Muzika e duhur, shtjelluar prej repertorit të Vivaldit që përballet me tinguj të shumtë organikë”, shkruan artisti. Ndërsa te “La Stravaganza” ai pasqyron rrugëtimin e tij dhe kjo është arsyeja pse ka udhëtuar drejt Tiranës për të qenë i pranishëm në premierë. “Kam ardhur vetë që të shikoj seriozisht sesi Baleti i Tiranës do ta marrë pjesën në zotërimin e tij. E krijuar 17 vjet të shkuara, duket sikur po takoj sërish një fëmijë të rritur”, thotë Preljocaj. Ai tregon se ka qenë gjithnjë i tërhequr nga komentet rreth repertorit. “Pjesa ka nevojë të rilexohet sërish dhe të riinterpretohet. Ndaj, jam i paduruar të zbuloj sesi balerinët do e materializojnë këtë pjesë me identitetin e tyre”, shkruan ai. Ardhja e koreografit të njohur shënjon dhe fillimin e bashkëpunimit mes trupës së baletit që ai drejton dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Preljocaj do të shoqërohet në Tiranë nga gazetarë dhe grupet e xhirimit “Le Monde”, TV5, Radio France Internationale (RFI). Premiera e “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni” do të jetë më 9 maj për të vijuar më pas në datat 10 dhe 11 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.Angjelin Preljocaj, konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm në Francë. Ai iu bashkëngjit Baletit të Operës Kombëtare të Parisit në vitet ’90 dhe udhëheq kompaninë e tij që prej 1985-s. Koreografia e tij përshkruhet si interpretimin i baletit klasik dhe modern. Angjelin Preljocaj ka lindur në Paris, por nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar. Shtëpitë e tij janë:  Balshoi Teatër- Moskë, La Scala-Milano, opera Garnier-Paris, opera gjermane e Berlinit, New York City Balet etj. Preljocaj është koreografi i qindra mijëra duartrokitjeve për  shfaqje si, “Borëbardha”, “Dasma”, “Akrobati”, “Katër stinët”, “Pranvera” e Stravinskit. Angjelin Preljocaj u lind në Francë nga prindër shqiptarë më 1957. Para se t’i futej kërcimit bashkëkohor, të cilin e studioi me Karin Waehner, filloi të studiojë balet klasik. Më 1980 shkoi të studiojë në Nju Jork me Zena Rommett dhe Merce Cunningham dhe një ndër mësuesit e tij ishte koreografja amerikane, Viola Farber. U bashkua me Dominique Bagouet, para se të themelonte kompaninë e tij “Ballet Prejlocaj” në dhjetor 1984. Koreografia e tij e parë për pjesën “Tregu i zi” (Marche Noir) fitoi çmimin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Më pas punoi për “Lotët e Bardhë”. Më 1989, kompania e tij shndërrohet në qendër koreografike kombëtare. Produksionet e tij janë bërë pjesë e repertorit të shumë kompanive, si Baleti dhe Opera e Parisit, “La Scala” e Milanos dhe Baleti i Nju Jorkut. Është nderuar me shumë çmime, duke përfshirë Çmimin e Madh Kombëtar të Dancit nga Ministria franceze e Kulturës në vitin 1992, “Benois de la danse” për “Le Parc” në vitin 1995, çmimin “Bessie Award” për “Annonciation” më 1997, “Les Victoires de la musique” për “Romeo dhe Zhuljeta” po më 1997, ose “Globi i Kristaltë” për “Borëbardhën” në vitin 2009. Për veprat e tij, i është akorduar titulli Kalorës, ndërsa në 1998 ka marrë titullin Kalorës i Legjionit të Nderit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.