Katerina lë aventurën e saj në “Big Brother”

Bëhet interesante loja e çifteve brenda “Big Brother”. Malësorët shprehen se Valeri nuk i përfaqëson virtytet e tyre…

KaterinaSurpriza, debate dhe humor ka qenë e mbushur mbrëmja e djeshme në spektaklin “Big Brother Albania” në ekranin e “Top Channel”. Duke komentuar të nominuarit e javës, që ishin Katerina, Arditi, Nevila dhe Mikela, opinionisti Armand Peza tha se “Katerina ka qenë një uragan i vërtetë”. Por “uragani” ka qenë e eliminuara e mbrëmshme. Një klip me momentet më të bukura të javës ka sjellë atmosferë në studio dhe te banorët. Një surprizë Vëllai i Madh ka bërë për Meridianin, si fitues i lojës. Pasi hapi sëndukun e drunjtë, ai gjeti një telefon. Mbesa e tij, Sofia, nga Anglia i ka telefonuar duke i shtuar gëzimin. Çiftet e krijuara brenda shtëpisë së “Big Brother” kanë qenë pjesë e diskutimeve në spektakël. Përmes një klipi janë dhënë historitë e dashurisë së Julianës me Arditin dhe Lorit me Visarin. Opinionisti tha se “shqetësimi nëse po bëjnë lojë është i vërtetë”. Mandi kujtoi lojërat e Arditit dhe Julianës, duke thënë se Juliana e tregon hapur frikën e saj nga kamerat dhe publiku. Sipas tij, çifti Lori dhe Visari kanë frikë nga njëri-tjetri aq sa kanë dëshirë për të qëndruar bashkë. “Ata përpiqen të manipulojnë publikun, por edhe veten”, thotë Mandi. Sjelljet e Valerit brenda shtëpisë së “Big Brother” janë komentuar gjatë spektaklit. Përmes një klipi janë dhënë mendime nga banorë të Malësisë së Madhe për veprimet e Valerit brenda shtëpisë. Pjesa më e madhe e tyre mendonin se Valeri nuk përfaqësonte virtytet e malësorit. Kur Arbana e pyeti Valerin për akuzat se nuk ka burrëri, ai tha se kishte hyrë në BB për të prekur ëndrrën e tij. Ai tha se asnjëherë nuk u ka dhënë rëndësi komenteve dhe paragjykimeve. “Unë jam rehat me veten time”, tha ai. Valeri tregoi se ka bërë shumë marrëzi me shoqërinë tij. “Unë kam gjak malësori”, tha Valeri, pasi dëgjoi komentet e bashkëfshatarëve të tij. Në klip ka folur dhe babai i Valerit, i cili tha se djali ishte i njëjtë si jashtë edhe në shtëpi. Që i vogël ëndrra e Valerit ka qenë televizioni. Valeri u prek nga mesazhi i babait dhe tha se “ai është heroi im, është babai im, vëllai im, shoku im”. Me lot në sy ai tha se “babai i tij është malësori më i mirë dhe ai ka gjakun e tij”. Babai i Valerit erdhi në shtëpinë e “Big Brother” si surpriza e Vëllait të Madh për banorin. Në një takim të ngrohtë, atë e bir, Valeri tregoi se ai ishte një frymëzim për të nga virtytet. I ftuar në studio dje ka qenë dhe Fationi, i cili tregoi si ka qenë java e tij e parë jashtë shtëpisë së “Big Brother” dhe sa i mungonte Matilda… Një detyrë të vështirë e të bukur Vëllai i Madh u ka lënë banorëve për këtë javë. Të ndërtojnë një piramidë.





Comments are closed.