Deklarata e gruas së Gjin Gjonit, zbulohet kontrata e shitjes së 70% të aksioneve

Dokumentet

“Vlera ishte 70 mijë lekë dhe jo 300 mijë euro”

Gjini gjoni
Gjini gjoni

E njëjta kontratë është paraqitur edhe në gjykatë. Dyshohet se në kontratë u ndryshua çmimi i shitjes



Një nga abuzimet e konstatuara nga ILDKPKI-ja për deklaratat e gjyqtarit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, është falsifikimi i një kontrate për shitjen e aksioneve nga një kompani private. Bëhet fjalë për kontratën noteriale të shitjes së 70 për qind të aksioneve nga bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, te shtetasi gjerman Claus Helmut Otto Heinemann, e cila mban numrin 384 dhe është nënshkruar në datën 20 mars 2007.

Kjo kontratë është zbuluar tashmë nga gazeta “Shqip” dhe në të deklarohet qartë se aksionet janë blerë nga shtetasi gjerman në një vlerë prej 70 mijë lekësh dhe jo 300 mijë euro, siç pretendohet në deklaratën e pasurisë së çiftit Gjoni-Gjebrea. Sa i përket shumës prej 300 mijë euro të deklaruar në kallëzimin e ILDKPKI-së, kjo vlerë nuk përmendet në asnjë rresht të kontratës së hartuar nga noteria Gentiana Shkodra. Sipas kontratës, aksionet janë shitur për llogari të shtetasit gjerman, i cili ka autorizuar për kryerjen e veprimeve shtetasin Jens Georg Degner, administratorin e shoqërisë tregtare “Gebr.Heinemann Albanien Holding”. Me këtë blerje, Çaushi kufizohej në 30 për qind të kuotave në kompaninë “Albania Duty Free Distribution”, ndërkohë pjesa prej 70 për qind i kalonte biznesmenit gjerman Claus Helmut Otto Heinemann. Megjithatë, edhe pse ka blerë aksionet, personi i lartpërmendur nuk ka asnjë aksion në kompani, pasi bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni ka fituar të gjitha përballjet gjyqësore, duke e larguar nga kompania dhe rimarrë me të drejta të plota të gjitha kuotat e “Albanian Duty Free Distribution”.

Ajo që mbetet të hetohet nga njësia hetimore Task-Forcë, është zbulimi i shifrës prej 300 mijë eurosh, që është referuar në kallëzimin e inspektorëve të ILDKPKI-së. Zyrtarët e këtij institucioni pretendojnë se janë nënshkruar dy kontrata, ku e para është nënshkruar nga palët për blerjen e 70 për qind të kuotave me çmimin 70 mijë lekë dhe një tjetër kontratë ku të njëjtat kuota të shoqërisë, pretendohet se janë shitur me një vlerë prej 300 mijë eurosh.

Kompania në fjalë është themeluar në vitin 1997 mes çiftit të bashkëshortëve Werner Mehlber dhe shtetases Elona Mehlber (Çaushi). Fillimisht kapitali i kompanisë ka qenë vetëm 1 milion lekë të vjetra dhe kishte dy ortakë me 50 për qind të kuotave. Sot, kompania ka një kapital prej 250 milionë lekësh të vjetra, ndërsa aksioneri i vetëm është shtetasja Elona Çaushi, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni. Më 12 mars 2004, ish-bashkëshorti i Elona Çaushit, Werner Mehlber, është larguar nga kompania, ndërkohë 50 për qind e aksioneve të tij, i ka blerë shtetasja Elona Çaushi. Pas këtyre lëvizjeve, në vitin 2007, kjo e fundit vendos të fusë si bashkaksioner shtetasin gjerman Claus Helmut Otto Heinemann, duke i shitur 70 për qind të kapitalit dhe pas një serie gjyqesh ka mundur të rifitojë sërish të gjithë kapitalin e kompanisë së lartpërmendur.

Ndërkohë, kontrata për shitjen e aksioneve në vlerën 70 mijë lekë vërtetohet edhe nga ana e vendimeve të gjykatës. Sipas dosjes së siguruar nga gazeta “Shqip”, rezulton se në gjyqet e zhvilluara për çështjet e kompanisë ADFD, është paraqitur vetëm kontrata e 20 marsit 2007, ku flitet qartë për shitjen e aksioneve në vlerën e lartpërmendur dhe asnjëherë nuk është paraqitur dokument tjetër që vërteton se 70 për qind e aksioneve janë shitur në vlerën 300 mijë euro. Ble.Gi.

 

Dosja

Pas këtij procesi do të vendoset nëse Task-Forca do ta regjistrojë si procedim penal

Kallëzimi ndaj gjykatësit, prokuroria nis verifikimin

Përpara se të nisë hetimet, Prokuroria e Përgjithshme do të verifikojë kallëzimin e ILDKP-së ndaj gjyqtarit dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, i denoncuar për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, në bashkëpunim me bashkëshorten dhe dy notere.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, dosja prej gati 100 faqesh, në të cilat argumentohen 18 episode të dyshuara si abuzive, është përcjellë me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm për verifikime të mëtejshme në Drejtorinë e Task-Forcës, në organin qendror të akuzës e në rast se konstatohen shkelje do t’i përcillet më pas njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme.

Nga ana tjetër, një burim pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pohuan se këtë të enjte kanë njoftuar, sipas ligjit, për situatën e konstatuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kreun e këtij institucioni, që është Presidenti Bujar Nishani, Drejtorinë e Pastrimit të Parave, Tatimet, ministrin e Drejtësisë dhe Kryetarin e Kuvendit.

Vila që ndodhet në Farkë është një ndër objektet e përmendura nga inspektori i përgjithshëm në materialin kallëzues, për të cilën thuhet se gjyqtari Gjin Gjoni ka kryer deklarim të rremë në lidhje me një kontratë sipërmarrjeje, që i përket prillit 2012, në shumën e 700 mijë eurove. Por, në dosje ka edhe deklarime të rreme të shitblerjes së aseteve në shumën e 300 mijë eurove, nëpërmjet paraqitjes së dokumenteve të falsifikuara dhe burimeve jo të ligjshme, çka u jep dritë jeshile prokurorëve që të tregojnë gjatë fazës verifikuese, nëse ata do t’i referohen apo jo ligjit “Antimafia” për sa kohë inspektori i përgjithshëm pretendon burim të paligjshëm të pasurisë.

Megjithatë, në disa episode pritet që prokurorët të jenë në udhëkryq, për shkak se disa nga rastet ka mundësi të jenë parashkruar nga ligji për amnistinë dhe disa të tjera të mos jenë objekt hetimi, për shkak se ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese, siç është rasti i shkeljeve të vitit 2007 për falsifikim kontratash, me vlerë qindra mijë euro. Pasuria e padeklaruar nga gjyqtari Gjin Gjoni, sipas ILDKPKI-së, kap vlerën e rreth 1,8 milionë eurove, 53 milionë lekë të reja e 180 mijë dollarë.

 

Deklarata

Gjin Gjoni, bashkë me të shoqen, reagojnë publikisht për akuzat

“Kreu i ILDKPKI-së më ndihmoi për plotësimin e deklaratave”

Gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, kanë reaguar dje me një deklaratë të përbashkët për akuzat e bëra për fshehje të pasurisë, duke pretenduar se kjo është një fushatë denigruese me qëllime politike, organizuar nga formate të caktuara të saj, që me pa të drejtë, kanë bërë objekt familjen e tyre. Madje, në reagim thuhet se vetë kreu i ILDKPKI i ka ndihmuar për përpilimin e deklaratave dhe se në prokurori nuk ka mbërritur asnjë kallëzim penal.

“Të gjitha deklarimet janë akuza të montuara me keqdashje në dhoma të errëta të një pjese të politikës dhe të grupeve të interesit që qëndrojnë pas tyre. Këtë e vërteton edhe fakti që deri në momentin e realizimit të kësaj deklarate nga ILDKPKI nuk është depozituar asnjë kallëzim penal as në Prokurorinë e Tiranës e as në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo fushatë përkon jo rastësisht edhe me diskutimin në Kuvend të të ashtuquajturit ligji i ri për institucionin e Kontrollit të Pasurive, ku parashikohen heqjet e kompetencave të Presidentit të Republikës në lidhje me këtë institucion”, deklarohet në reagim. Sipas Gjonit, nëpërmjet goditjes së tij kërkohet të uzurpohet KLD dhe të atakohet vetë Presidenti i Republikës për të nënshtruar, për të denigruar dhe për të intimiduar njerëz, që kanë shprehur realizimin e reformave reale në fushën e drejtësisë. “Dua të theksoj që Shkëlqim Ganaj ka qenë një nga personat me të cilin ne, jo vetëm jemi konsultuar, por edhe më ka ndihmuar në plotësimin e këtyre deklaratave dhe madje në disa raste, sipas informacioneve i ka kontrolluar paraprakisht si pjesë e këtij institucioni. Një arsye tjetër që autorët e vërtetë të hartimit të këtij pseudokallëzimi po na sulmojnë, ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të qarqeve të caktuara, të lidhura me njerëz të pushtetit për gllabërimin e një biznesi të suksesshëm që bashkëshortja ime ka krijuar që nga viti 1997. Biznesin, bashkëshortja ime e ka krijuar rreth 14 vjet para se të martoheshim. ILDKPKI ka vepruar në kundërshtim me ligjin ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale, duke bërë publike të dhëna personale të miat dhe bashkëshortes sime’. Unë jam i hapur për çdo hetim të plotë, të drejtë dhe të gjithanshëm për të nxjerrë në pah të vërtetën, në lidhje me këtë farsë publike dhe mediatike. Por njëkohësisht do të realizoj një kallëzim penal në adresë të Shkëlqim Ganajt për shpërdorim të detyrës në bazë të nenit 248 të Kodit Penal dhe për kallëzim të rremë bërë në adresën time dhe të bashkëshortes sime, sipas nenit 305 të Kodit Penal. Gjithashtu, i kërkoj Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të fillojë një hetim administrativ për publikimin e të dhënave private dhe personale të miat dhe të bashkëshortes sime. Në këtë kuadër dhe bazuar në kërkesat e nenit 17 të ligjit 48/2012 do të kërkoj dëmshpërblimin e dëmit për publikimin e këtyre të dhënave dhe njëkohësisht shpërblimin e dëmit në cenimin e dinjitetit dhe figurës dhe integritetit tim dhe bashkëshortes sime dhe njëkohësisht shpërblimin e dëmit për prishjen e imazhit të biznesit në pronësi të bashkëshortes sime”, thuhet në reagimin e Gjonit.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

7 Comments
  1. Arben says

    NE BURG MUTI.

  2. landi says

    duhet drejtesi

  3. Kerpaci says

    Me keto plehra eshte mbushur qenefi yne i drejtesise

  4. populli says

    Duhet drejtesi
    Keta njerez e shkaterrojn,
    Vjedhin dhe e kan masakrruar ket
    VEND
    Hajduta

  5. LONI says

    GJIN GJONI ME PARE E PASKA PERDORUR ELONEN, E KA MARTUAR ME GJERMANIN PER TI MARRE 50% TE KOMPANISE PASTAJ AJO KA MARRE GJITH KOMPANINE DHE JA KA SHITUR NJE GJERMANI TJETER I CILI KA PAGUAR 300 MIJE EURO KESH POR NE KONTRATE E KANE SHKRUAR 70.000, DHE EVAZION FISKAL DHE MASHTRIM PER TJA MARRE ME GJYKATE 70%-SHIN (pa tjeter me ndihmen e GJINIT) PRA I KA MARRE GJERMANIT 300.000 EURO DHE ME GJYKATE I KA KTYER 50.000 EURO PRA I KA GRABITUR 250.000 EURO….E BUKUR APO JO..??

  6. marti says

    Ky lloj gjyqtarei eshte lene te gjykoje ne gjykatat shqipetare dhe anetar i kehsillit te larte te drejtesise.
    Ne keshillin e larte te drejtesise duhet te jene persona me pergaditje te larte profesionale dhe nje figure te paster gjate gjithe karrieres se tij..

  7. jevgu says

    Une mendoj se ky Gjini nuk eshte shume me faj, ai mund te kete bere ndonje fasllifikim te vogel, por me thoni nje shqiptar ose pushtetar qe s’ ka bere gjera te tilla, pastaj bisneset jane te ngritura nga bashkeshortja dhe martesa eshte bere ne 2011………….problemi eshte se Gjini eshte I pafortifikuar, lende e pare qe mund ti japesh formen qe do., Gjini eshte emotive dhe vrapon per te dhene deklarat ne shtyp kur nuk eshte ne gjendje ne kontrolloj toni e zerit te tij,kerkon ndihme tek miqte qe jane armiqte e tij………..bej pak pushim dhe gjerat do percipitojne…….pergjigja per cmimin e ores…une do thosha 100 dollar, nuk eshte flori por e bojatisur flori………..

Comments are closed.