Një qytet i vogël librash

Vizitore gjate ceremonise se celjes se festivalit te Librit dhe Artit_1

Hapi siparin dje Festivali i Librit dhe i Artit. Shtëpia botuese “Saras” prezanton sot romanin “Fytyra e Simurgut”

Muzeu Historik Kombëtar, dje u shndërrua në një qytet të vogël të mbushur me libra. Sapo ngjit tapetin e kuq të shtruar për vizitorët, të presin nxënësit e liceut, të cilët ofrojnë një panoramë të ndjeshme, të një procesi pune. Ata vizatojnë, portrete dhe gjithçka tjetër që ngacmon vëmendjen e tyre. Pak më tej një grup të rinjsh instrumentistësh interpretojnë muzikën e zgjedhur, që i shkon më së miri një feste libri. Prekja e parë që vizitorët do të kenë, ndërsa vizitojnë këtë panair, është arti pamor. Galeri të ndryshme të kryeqytetit janë mbledhur nën kurimin e Vladimir Myrtezait, duke sjellë gjendje artistike. Gjendje që e njohin vizitorin me një pjesë avangarde të artit në Shqipëri, siç është arti pamor. Më pas gjithçka i përket botës së librit. 45 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia prezantojnë në stendat e tyre botimet më të mira. “Kjo është një ngjarje për librin shqip”, tha botuesja Arlinda Dudaj në ceremoninë e hapjes të Festivalit. “E bukura e këtij festivali është se fjala bashkohet me vështrimin. PAMUR është skena e dytë e këtij festivali që unë do t’ju lë ta zbuloni vetë.


Njollat artistike do të gëzojnë gjithë shqisat tona, duke i shërbyer kështu asaj që është prioritet i kësaj qeverie: EDUKIMI PËRMES KULTURËS”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pranishme në ceremoninë e hapjes. Një ditë të bukur për librin e ka quajtur dhe Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministria e Kulturës prezantoi në këtë festival dhe nismën “Një kafe, një libër”, nismë që ka synim krijimin e hartës së kafeve letrare në kryeqytet. “Krijimi i kësaj harte mbetet një sfidë për ministrinë, por duke parë interesin në rritje të disa bareve në Tiranë që po përpiqen të nxisin të rinjtë drejt librit apo aktiviteteve të kësaj natyre, mendojmë që është koha e duhur për t’iu ofruar partneritet dhe kësisoj për të nxitur këtë prirje të shëndetshme për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe për librin dhe lexuesin në veçanti”, tha Kumbaro. Festa e librit do të vijojë deri të dielën më 27 prill. Gjatë katër ditëve, ky event do të shoqërohet me promovime librash  dhe autorë në stendë.

Dita e sotme do të jetë e mbushur me një sërë aktivitetesh, të cilat nisin që në orën 10.00 me promovimin e librit “Fytyra e Simurgut” me autor Gazmend Krasniqin, në sallën “Ballkonada”. Në sallën UNESCO do të organizohet në të njëjtën orë konferenca me titullin “Letërsia e angazhuar dhe gruaja”, ku do të referojë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gazetarja Rudina Xhunga, shkrimtarja Daria Bignardi, dhe gazetarët Eda Derhemi dhe Ardian Vehbiu. Shkrimtari spanjoll, Kirmen Uribe, do të jetë sot para lexuesve për të folur mbi romanin e tij në gjuhën shqipe “Bilbao, Nju Jork, Bilbao”. Në kategorinë PaMur, do të prezantohet artisti Nusret Gjokoviq, nën kurimin e Edison Çerajt. Pasdite do të jetë promovimi i romanit “Njeriu i lagunës” me autor Alban Pici. Ndërsa në PaMur do të prezantohet artisti Harri Isufi nën kurimin e Ardian Isufit. Gazetari Alfred Lela do të prezantojë librin “Secilit Shqipërinë e tij”. Fitues i Çmimit Europian për letërsinë për vitin 2011, shkrimtari Andrej Nikolaidhis do të prezantojë romanin “Bir”. Në PaMur, do të jenë artisti Eros Dibra nën kurimin e Valentina Koçës.

Fëmijët do të kenë një arsye më shumë për të shkuar në qytetin e librave. Filmi për fëmijë “Çufo” do të shfaqet rreth orës 12.00 në oborrin e brendshëm të festivalit.

[callout]“Fytyra e Simurgut”

Stenda e SARASRomani “Fytyra e Simurgut” shkruar nga shkrimtari Gazmend Krasniqi do të promovohet sot në orën 10.00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në sallën ‘Ballkonada’, në kuadër të Festivalit të Librit dhe të Artit. Ky është romani i dytë i autorit që vjen nga botimet “Saras” pas librit të parë “Shitësi i Apokalipsit”. Libri është një homazh për jetën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe pas viteve ’90 të poetit Frederik Rreshpja. Njohës i mirë i poezisë, pasi Krasniqi është dhe poet, ai kërkon të ndërgjegjësojë lexuesin dhe kritikën mbi mungesën e vëmendjes që ka sot ndaj kësaj gjinie arti.[/callout]

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.