KAPELET E NJE BOHEMI

Në shtëpinë e Frederik Reshpjes… Mes dorëshkrimeve që Gjovalini i ruan me kujdes dhe kujtimeve të mbyllura në bufenë e vjetër

Alda BARDHYLI

Një dritë rrinte ndezur deri pas mesnate në shtëpinë e Reshpjave në lagjen “Gjuhadol” në Shkodër. Ishte Frederiku, që në dhomën e thjeshtë, të mbushur me libra, hidhte në letër vargje. Kur qyteti ishte zhytur në gjumë të thellë, poeti ishte zgjuar. Gjovalini (i vëllai) kujton ende zërin e nënës, e cila i lutej të fikte dritën. Ky ishte një ritual i zakonshëm në familjen Reshpja, i cili vazhdoi derisa nëna u largua përgjithmonë nga jeta. Drandafile, gruaja nga Xhani, të cilën lagjja dhe të afërmit e thërrisnin File, ishte një grua e rrallë për bashkëkohësit. Me një instinkt të lindur, ajo i rriti 5 fëmijët të lirë, gjë që reflektohet në jetët e tyre, duke u vënë emra shenjtorësh. Mikeli u arsimua për filozofi, Pasuala u bë piktore, Antoneta arsimtare, Antoncjeta shtëpiake, Gjovalini mjek, e Frederiku poet, ose “rebel” siç e quante veten ai. Në shtëpinë që dikur ziente nga zhurmat, tashmë jeton vetëm Gjovalini. Prej kohësh ka zënë shtratin për shkak të shëndetit jo të mirë. Ish-mjeku, tashmë ndan orët në dhomën e mbushur me kujtimet e së shkuarës. Sapo hap derën e drunjtë të shfaqet një pikturë e Frederikut. Në ato momentet e tij frymëzuese, me kapelën në kokë dhe cigaren që nuk e hoqi asnjëherë nga dora. Pak më tej një fotografi e të zotëve të shtëpisë, në rininë e tyre, para se kjo shtëpi të mbushej me fëmijë. Në një cep të dhomës një copëz biblioteke e mbushur me libra. “Janë librat e Frederikut. Gjithë koleksioni i tij”, thotë Gjovalini. Një libër i Fatos Arapit me poezi i botuar në vitet ‘70, ka mbetur i pazverdhur nga koha. Shekspiri, i preferuari i Reshpjes ka mbetur aty…Në një dosje të lidhur me një lidhëse të bardhë Gjovalini ka gjithë dorëshkrimet e lëna pas nga i vëllai. Pas vdekjes së Reshpjes, ai është trashëgimtari i tyre. “Duhet t’i sistemoj dhe t’i përmbledh në një libër. Por unë jam i sëmurë dhe është e vështirë. Shkrimi i Frederikut është i pakuptueshëm. Jemi munduar t’i deshifrojmë me Moikom Zeqon, por është e vështirë. Është poezi dhe një shkronjë i ndryshon kuptimin”, thotë Gjovalini, teksa mban në dorë një bllok të vogël, ku i vëllai shënonte numrat e telefonit, të cilin e mban në komodinën bri shtratit. “Vetëm ai mund t’i kuptonte se të kujt janë numrat”, thotë Gjovalini, i cili këto kohë është përpjekur të deshifrojë kodet e të vëllait. Në një bufe të mbushur me teshat e një beqari të përjetshëm, Gjovalini nxjerr ngadalë kapelat dhe kollaret e Frederikut. Teksa i vendos mbi divanin kaf, ai tregon historitë e tyre. Pavarësisht trishtimit që kishte vitet e fundit të jetës, për shkak të gjendjes ekonomike e shëndetit, ai nuk e hoqi asnjëherë kapelën e kollaren teksa dilte nga shtëpia. Këto dy detaje e veçonin poetin  nga njerëzit e tjerë të zakonshëm. Dhe pse dukej një tip i shkujdesur, Reshpja vlerësonte detajet. “Vitet e fundit i kaloi në këtë shtëpi. Pësoi dy infarkte para se të ikte përgjithmonë. I vetmuar dhe dukej sikur e parandiente vdekjen”, tregon Gjovalini. Poezinë “Përgjithmonë” ku shkruan: “O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri/ Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det/dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere/ shkoj dhe shirat po i lë të kyçura/ Por do të kthehem në çdo stinë që dua/ Unë kam qenë trishtimi i botës/ O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri/”, e ka shkruar pikërisht në vitet e fundit të jetës. Poetët duket sikur e parashkruajnë fatin e tyre. I tillë ishte Reshpja i ndjeshëm si një ajër. Gjovalini thotë se e ka njohur më mirë të vëllain pas vdekjes. “Kemi qenë natyra të ndryshme. Unë isha 13 vjet më i vogël se ai”, tregon ai, teksa kujton burgun dhe arrestimet e Reshpjas. Ato vite e vranë poetin shpirtërisht dhe pse u duk sikur pas burgut ai e mori sërish veten, nuk i shpëtoi dëshpërimit. Duket sikur ky i fundit ishte prehja për të shkruar vargje. Vetëm një shpirt i lënduar mund të linte pas poezi të tilla, që Gjovalini do aq shumë t’i kuptojë. Kur Moikom Zeqo i lexonte poezinë që Reshpja ia ka kushtuar nënës”, ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja/se tërë shirat e botës binin për mua/ po tani që kanë kaluar kaq shumë vite/ e di se s’ka asnjë kuptim që bie shi…”, ai kishte pyetur “Po nëna ku është?”. Pavarësisht se nuk e njeh botën e librave, ky mjek që tashmë i duhet të kujdeset për shëndetin, është i bindur se ato fletë të verdha me shkrimin e pakuptueshëm janë gjëja më e çmuar që ndodhet në këtë shtëpi, që duket sikur do të rrëzohet nga kujtimet.

Gjithçka ka mbetur ashtu si në vitet kur Reshpja hynte mendueshëm për t’u ndalur te cepi i tij i frymëzimit për të shkruar, në shtëpinë e Reshpjave. Gjovalini nuk do të ndryshojë asgjë. Në këtë moshë, kujtimet sa vijnë e bëhen më të rëndësishme dhe shpirti i të vëllait duket sikur jeton në këto dhoma të vogla, ku hyn mundimshëm ky shi i lehtë i prillit. Ai e kujton si vëllain e dashur, që nuk pranoi asnjëherë kompromisin me botën, dhe që tërhiqej i heshtur në këndin e tij dhe shkruante. “Frederiku ishte ndryshe”, kaq mund të thotë tani, teksa kujton se burgu ishte i rëndë për të. Reshpja u arrestua për herë të parë në moshën 17-vjeçare, kur ishte në vitin e tretë në gjimnaz. Motivacioni ishte “agjitacion dhe propagandë”, por poeti në një intervistë të dhënë dikur shprehej se shkaku ishte dashuria. “Ajo fatkeqësisht ishte vajza e nënkryetarit të degës së brendshme, i ati u hakmor duke më futur në burg, u hakmor mizorisht edhe ndaj së bijës, e cila u vetëvra”, shprehej poeti. Pas burgut, ai nisi të merrej me tregti, por si një bohem i përjetshëm marrëdhëniet e tij me paratë do të ishin fatale. Për 25 vjet rresht do të jetonte në Burgun e Spaçit, Burrelit, Ballshit e shumë kampe të tjera, gjithmonë për politikë. Reshpja besonte se jeta e çdo njeriu është një libër më vete, dhe e tija nuk ndryshon shumë nga librat që lexoi. “Jeta ime është një këngë e pakënduar e mbushur me vaj e trishtim, një dramë e pashkruar, një dashuri e tradhtuar, një det i trazuar, një meteorit i dalë jashtë orbite i shkapetur dhe i rrëzuar. Jeta ime është një aventurë dhe një plagë e pashëruar. Unë kam provuar skllavërinë prandaj e di sa e shtrenjtë është liria, unë kam provuar vetminë prandaj zemra më digjet flakë nga dashuria, unë kam provuar përçmimin prandaj e di sa e rëndë është përbuzja, unë kam provuar dashurinë dhe e di sa e turpshme është tradhtia, unë kam provuar ferrin, prandaj e di sa dritë ka parajsa, unë kam fluturuar drejt lartësive prandaj e di sa e dhimbshme është të zvarritesh pa krahë, unë jam marrë me politikë prandaj e di ç’është kurvëria, unë kam qenë milioner dhe di sa e fëlliqur është paraja, unë jam pa asnjë kacidhe prandaj e di sa e rëndë është varfëria, unë jam dehur nga poezia femrat e rakia prandaj e di sa  vulgare është pija, unë humba rininë, sakrifikova jetën të bëhesha një bilbil këngëtar ndonëse e di se poeti në këtë botë të pistë nuk vlen as sa një putanë. Gjithë jetën mblodha dashuri dhe korra vuajtje e urrejtje. Njerëzit ndoshta nuk më quajnë njeri, por askush nuk mundë të mos më quajë poet. Unë jetova ferrin e kësaj jete dhe tani jam i lodhur e ndoshta e vetmja dashuri që më ka mbetur është dashuria të vdes dhe të shkoj në parajsën ku prehen shpirtrat e poetëve”, do të shprehej Reshpja në një intervistë. Poezinë e nisi me një poezi për nënën, kur ishte 9 vjeç dhe nuk reshti kurrë së shkruari pavarësisht disfatave derisa mbylli sytë përgjithmonë. Një bohem i përjetshëm, e kujtojnë kolegët, teksa rrëkëllente gotat e alkoolit dhe pinte cigare duke recituar poezi. Në shtëpinë e Reshpjave rakia ishte traditë. I ati, ishte marrë me tregtinë e rakisë dhe Frederiku trashëgoi pasionin për ta shijuar atë. Gjovalini vështron tablonë e të vëllait, duke thënë se i mungon, ashtu siç i mungon gëzimi i dikurshëm në këtë shtëpi. Por ka një mision për të bërë, një mision që ndodhet në fletët e pafundme të dorëshkrimeve që rrinë në këta sirtarë të vjetër.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.