Yjet bëhen bashkë në Tiranë

Hera e parë/ Balerinët Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Gentian Doda, Erion Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori do të ngjiten bashkë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit më 5 maj

ROME-E-GIULIETTASkena e Teatrit të Operës dhe Baletit ka qenë për ta ëndrra e parë. Para se të udhëtonin drejt teatrove të ndryshme në botë, e vetmja gjë që e çmuar ishte kjo ëndërr për të interpretuar para publikut shqiptar. Dikush prej tyre edhe e ka prekur, dikush jo, duke ndier më parë duartrokitjet e publikut të huaj, e jo atij që flet shqip. Më 5 maj, balerinët e famshëm shqiptarë do të jenë sërish bashkë në Tiranë për të interpretuar në skenën e TOB. Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Gentian Doda, Erion Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori do të jenë protagonistë të një mbrëmjeje të gjatë baleti të quajtur “Hera e parë”. Në këtë rrugëtim kaq të dashur, ata kanë marrë me vete dhe miqtë e tyre, balerinët Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario. “Duam të vëmë bashkë eksperiencat tona. Vijmë nga vende të ndryshme të Europës, por njëkohësisht vijmë të gjithë nga një vend i vetëm, Shqipëria. Ndaj duam që të paktën një herë të mblidhemi të gjithë bashkë”, thotë balerina Anbeta Toromani. Për Kledi Kadiun, balerinët shqiptarë që kanë bërë emër në skenat e botës janë më shumë se grupi që do të interpretojë më 5 maj në skenën e Teatrit të Operës. “Na vjen keq që nuk jemi të gjithë këtu, por kjo është vetëm hera e parë…”, është shprehur Kadiu. Për Gentian Dodën, drejtues artistik i këtij spektakli, “nga ana artistike është e vështirë që të mbledhësh eksperiencat në rryma të ndryshme të baletit të të gjithëve ne në një spektakël të vetëm”. “Për t’i dhënë formën e një shfaqjeje u munduam të mos shpërndaheshim në shumë rryma të ndryshme, por të sillnim pjesët tona që shkojnë nga fusha neoklasike te më modernja, duke u mbështetur në atë që kemi të përbashkët të gjithë ne, folklorin tonë. Nuk pretendojmë të bëjmë folklor, por frymëzohemi prej tij dhe e gërshetojmë atë me kulturën europiane që kemi marrë këto vitet e fundit. Në këtë mënyrë, spektakli ynë bëhet i veçantë, origjinal”, thotë ai. Përpara se të vijnë në Tiranë, artistët e kanë dhënë këtë spektakël në muajin dhjetor në teatrin “Brancaccio” të Romës. Edhe pse ishin në Romë, interpretimi në këtë spektakël nën këtë moto, i bënte të ndiheshin si në Shqipëri.“Më duket si një darkë shqiptare, si një dolli që derdhet pas vitesh. “Eksperienca më e bukur që mund të bënim ishte pikërisht një spektakël i tillë, ku të ndajmë me njëri-tjetrin eksperiencën e bërë vitet e fundit kur kemi qenë larg”. Kështu shprehej për këtë eveniment, balerini i “The Forsythe Company”, Brigel Gjoka. Për Leart Durakun (Ballets de Montecarlo) “edhe pse prej vitesh larg, kemi rrënjët të futura thellë, shumë thellë në Shqipëri”. Ndërsa Rezart Stafa, i cili interpreton për kompaninë “Cosi Stefanescu”, thotë se “edhe pse shkolla jonë nxjerr balerinë klasikë, ne sonte bëjmë balet krejt ndryshe, gjë që do të thotë se jemi integruar më së miri në vendet ku jetojmë. Por jemi të gjithë shqiptarë”. “Ne mund të bëjmë eksperienca në mbarë botën, por është hera e parë që mblidhemi të gjithë shqiptarë në qendër të Romës”, thotë Erion Kruja nga “Hofesh Shechter Company”. Spektakli është ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani, dhe sjell në Tiranë emra të njohur të baletit shqiptar në botë që interpretojnë për kompani baleti nga më prestigjiozet në botë si “Hofesh Shechter Company”, “The Forsythe Company”, “Aterballetto”, “Balletto di Roma”, “Teatro san Carlo di Napoli”, “Compania Nacional de Danza”, “Balletto Classico Cosi Stefanescu”, “Balletto di Montecarlo”. Dëshira e tyre është që “Hera e parë” të vazhdojë me një të dytë, të tretë, etj., në skenën ku gjithnjë kthehen me dëshirë e emocion, siç është ajo e vendit e tyre.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.