Bregasi, apel tatimorëve: Jo më kontrolle selektive

Biznesi

“Të mos bëjmë harbutin me tregun informal, por ta formalizojmë atë”

Luan BregasiPërfaqësuesit e biznesit kërkojnë që administrata tatimore të heqë dorë nga kontrollet selektive dhe ato të bëhen të grupuara. Bizneset e grupuara pranë “Biznes Albania”, në një takim të zhvilluar dje me Drejtoren e Tatimeve, Briseida Shehaj, kërkuan që një grup tatimorësh të kontrollojë të gjithë procedurat. “Në të kaluarën, nga një pjesë e administratës tatimore jemi ndeshur me sjellje jo të mira ndaj biznesit, me kontrolle selektive, dhe në mënyrë policeske gjobitet pa të drejtë ndaj bizneseve të caktuara, sidomos dy vitet e fundit. Duke parë këtë situatë, ne do të kërkonim nga administrata juaj më shumë respekt ndaj biznesit, dhe kontrolle personale. Jo tendencioze por bashkëpunuese për të bërë edhe kontroll edhe edukim fiskal”, tha Bregasi. Ai e vuri theksin edhe te mosdërgimi për në gjyq të rasteve të gjobave që janë fituar në apelin e Drejtorisë së Tatimeve nga biznesi. “Ka pasur shumë raste kur biznesi ka apeluar gjobat e vendosura në mënyrë arbitrare dhe Komisioni i Apelit pranë drejtorisë suaj, i ka dhënë të drejtë. Megjithatë, këto raste janë dërguar sërish në gjykatë nga ana juaj, çka është e padrejtë, pasi praktikisht ajo tashmë quhet e zgjidhur si rast”, deklaroi Bregasi. Nga ana e saj, Drejtoresha e Tatimeve u shpreh se informaliteti është një shqetësim i përbashkët, por administrata po tenton të fusë në skemë bizneset e padeklaruara dhe jo të gjobisë ato, duke rritur borxhin në tatime. “Të mos bëjmë harbutin me tregun informal, por të formalizojmë atë. Qasja që ka sot Drejtoria e Tatimeve është që ta formalizojmë dhe jo të bëjmë bosht të keq”, vuri në duke Shehaj. Ajo theksoi se tashmë rimbursimi i TVSH-së për bizneset po bëhet brenda afateve të përcaktuara në ligj, ndërkohë që do të vazhdojë gjetja dhe goditja e skemave që abuzojnë me këtë taksë. Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga sektori i ndërtimit, ai i turizmit, prodhuesit e bukës dhe kompanive të sigurimeve, ku edhe ata shprehën problemet që kanë lidhur me funksionimin e sistemit tatimor si dhe kërkuan bashkëpunim për zgjidhjen e tyre në mënyrë që të mos penalizohen bizneset padrejtësisht nga ana e inspektorëve tatimorë.







1 Comment
  1. ekonomist says

    Licensimi i shoqerive te faktoringut per nxjerrjen e sipermarrjeve te vogla e te mesme apo SME nga kriza e likujditetit monetar eshte edhe nje sfide e mirefillte per reformimin e tregut financiar dhe formalizimin e tij, pertej kreditimit bankar si kontribuese te rendesishme ne skemen e tatimit mbi vleren e shtuar dhe jo si komponent i taksimit mbi levizjen e kapitaleve

Comments are closed.