Fjalori i “acarit”, Rikthehen autorët e ndaluar, Fishta e Konica

Fjalori i termave të letërsisë botohet i plotë pas 42 vitesh. Profesori dhe albanologu Ferdinant Leka rikthen në këtë libër autorët e ndaluar, si Fishta apo Konica, heq termat demagogjikë dhe e pasuron me shembuj të rinj nga letërsia shqipe e ajo botërore. Një punim i përmasave të tilla bëhet për herë të parë në gjuhën shqipe, me 610 terma…

Alda Bardhyli

“Fjalori shpjegues i termave të letërsisë” u botua për herë të parë në vitin 1972, nga profesori dhe albanologu Ferdinant Leka, S. Podgorica dhe S. Hoxha, botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë (Sektori i Terminologjisë). Puna për botimin e këtij fjalori kishte nisur që në vitin 1961, kur në Shqipëri kishin nisur të botoheshin dhe vepra nga autorë që deri në atë kohë ishin cilësuar si të ndaluar, si Gjergj Fishta apo Faik Konica. Prof. Leka kujton se e nisi punën me autorin e romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nika, një autor me gjuhë të pasur, veprat e të cilit i kishte lexuar shpesh gjatë rinisë. Ndaj e kishte më të lehtë që librin e parë mbi të cilat do të mbante shënimet për hartimin e fjalorit të ishte ai i Ndoc Nikës. Gati 50 vjet më parë, prof. Leka sapo i kishte kaluar të 30-at. Një i ri, që i dallohej në portret pasioni për gjuhët dhe kërkimet albanologjike, do ta shihte punën me fjalorin si sfidën e tij të parë akademike. Por kjo sfidë profesionale nuk do të ishte e lehtë në kohën në të cilën ai donte ta realizonte. “Në kohën që ne po punonim me këtë fjalor nisën të botoheshin dhe autorë të ndaluar. Filloi të botohej pjesë nga krijimtaria e Fishtës. Sigurisht dhe ajo pak krijimtari e botuar shihej me lupë. Po ashtu kish filluar të botohej diçka dhe nga Faik Konica. Me këtë perspektivë mendova që të sillja disa ilustrime nga krijimtaria e Fishtës dhe Konicës p.sh., për të shpjeguar alegorinë ose metaforën”, kujton profesori. Ai është dhe një ndër përkthyesit e parë të Konicës në shqip, me kërkesë të At Zef Pllumit. Prishja me jugosllavët kishte bërë që krijimtaria e Fishtës të mos shihej më si krijimtari që prishte marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët. Kjo erë lirie që po ndihej në letrat shqipe duket se po e ndihmonte grupin e punës për këtë fjalor të gjenin më shumë shembuj për t’i shtjelluar termat e përzgjedhur. Por kjo liri nuk zgjati shumë dhe shumë shpejt Fishta dhe Konica do të ktheheshin në sirtarët ku kishin qenë më parë, për të mos u prekur për vite e vite me radhë. Nëse në botimin e këtij fjalori do të ishin përfshirë dhe pjesë nga krijimtaria e Fishtës apo Konicës, prof. Leka nuk mund ta mendojë se cili do të ishte fati i grupit të punës. Por për fatin e tyre të mirë, ky fjalor do të botohej gati 10 vjet pas nisjes së punës, çka çoi në eliminimin e autorëve të ndaluar prej faqeve të tij. “Nëse Fjalori do të ishte botuar në ato vite, ku kishim përfshirë dhe krijimtarinë e Fishtës, me siguri ndonjë nga autorët e tij do ta kishte pësuar nga diktatura. Mua do më binte barra më e rëndë, meqë isha dhe autor, dhe redaktor i librit. Rreziku ishte në të gjitha anët. Ishte një punë e vështirë. Edhe pse libri u ‘spastrua’ nga autorët e padëshiruar, sërish e pritëm me shumë frikë botimin e tij, sepse shumë terma të letërsisë që ne kishim marrë në konsideratë mund të etiketoheshin si kundër vijës së Partisë. Ashtu ishte koha atëherë. P.sh., të shpjegoje alegorinë dhe ironinë në letërsi ose të shpjegoje se çfarë ishte ekspresionizmi, nuk ishte kollaj në ato kushte”, kujton profesor Leka. Ndoshta ata që e kanë lexuar me kujdes librin, kanë mundur të gjejnë në të dhe ndonjë gjë që ishte kundër vijës, përderisa pas botimit të tij të parë, libri nuk pati ribotime edhe pse numri i kopjeve të shituara ishte 10 mijë. Puna e nisur me këtë fjalor, e bëri prof. Lekën të ishte i kujdesshëm në çdo libër që lexonte për të gjetur termat, që do të donin shpjegime. Çdo term të gjetur ai e shënonte në fletoren e punës, duke bërë kështu dalëngadalë e çdo ditë plotësimin e heshtur të këtij fjalori me terma të rinj. Gjatë gjithë këtyre viteve (sot profesori i ka kaluar të 80-at), ribotimi i plotë i këtij fjalori duke futur dhe autorët e ndaluar, apo duke hequr dhe disa fjalë që ishin futur sipas kërkesave të kohës, ishte një ambicie e profesor Lekës. Në apartamentin e tij të thjeshtë ku ndan jetën me të shoqen, në një hapësirë e ngushtë të mbushur plot libra, mund të ndesheshe shpesh me fletët që mbartnin shënimet e këtij fjalori. “Kur një ditë lexova një nga fletët që Nandi kishte lënë mbi tavolinë, u mahnita. I thashë që do të jetë një libër shumë i bukur”, thotë Neti, gruaja e tij, e cila e ka ndihmuar në këtë punë të madhe. Fjalët e marra nga librat nuk kishin si të mos ngacmonin ndjesitë e kësaj gruaje që ndan jetën në një shtëpi të mbushur me libra. Dje, Neti ishte e gëzuar. Në dorë mbante librin, fryt i një pune prej gjysmë shekulli të të shoqit, dhe pjesë e jetës së saj. Çdo frazë shpjeguese të këtij libri, ajo e di gati përmendësh, ashtu siç njeh ngjyrat e pikturave që hedh në telajo (Neti pikturon). Për prof. Lekën, botimi i këtij libri është fundi i një misioni akademik, të cilin ai e ndiente si detyrim, një vepër e cila do t’u duhet të gjithë atyre që merren me letërsinë. Libri ka ndryshime nga botimi i vitit 1972. Janë hequr disa terma ideologjikë, si p.sh., romantizmi përparimtar, realizmi socialist, partishmëria etj. Janë shtuar dhe shumë terma të rinj, që sigurisht nuk janë në botimin e vitit 1972, janë rikthyer dhe autorët e ndaluar. “Një punim i përmasave të tilla bëhet për herë të parë në gjuhën shqipe, me 610 terma, të përditësuar me gjëra të tjera, në përputhje me zhvillimet e trajtimit sa më objektiv të rolit të letërsisë e të autorëve, duke zhveshur nga ideologjia mbytëse e së kaluarës jo fort të largët, e paragjykimet e saj, më të shumtën të imponuara, do të ketë edhe të meta e zbrazëti”, thotë prof. Leka. Disa terma që i takojnë letërsisë ashtu edhe gjuhësisë (p.sh., fonetikë poetike, sintaksë poetike, theks, intonacion, denotacion, konotacion etj.), janë trajtuar në funksionin e tyre stilistik. Disa janë zhvilluar më gjerësisht, me citime veprash e autorësh të shquar të huaj e shqiptarë, për t’i dhënë mundësi përdoruesit ta shfrytëzojë fjalorin edhe si një enciklopedi të vogël letrare. Një nga problemet kryesore me të cilat prof. Leka është ndeshur gjatë këtij punimi është zgjedhja e termave. “Përzgjedhja është bërë duke përfshirë termat kryesorë që takohen në teorinë e letërsisë, në stilistikë, në kritikën letrare, duke vënë dhe rryma, drejtime e shkolla letrare që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e letërsisë botërore e shqiptare”, thotë prof. Leka. Teksa e shtrëngon fort librin në duar, ndjen se është më i qetë, dhe pse do të donte që ky libër të kishte këtë formë, pikërisht 42 vite më parë…









1 Comment
  1. Gazetari pa liri. says

    Ne allbanistan,te pa diturit jane me te pasur se te diturit,ky eshte fakt.
    Z.Ferdinand Lekes i urojme punen e kryer,ajo do vleje shume per ata pak te intresuarit per dituri,ne krahasim me turmen ecila s’can koke per librat.
    E kane kuptuar qe ne allbani, dituria nuk te begaton sa punet nen rogos qe kryen, edhe nga politikanet e kamufluar prej c’drejtesise alla shqiptaro neomoniste .

Comments are closed.