KUR DREMISTE SAHATI I TIRANËS

Pas letërsisë për fëmijë, tashmë Arian Kadiu, vjen në një sprovë të gjatë letrare

Nga Besnik RAMA*

Shkrimtari i njohur, prof. dr. Arian Kadiu, kësaj radhe vjen para lexuesve me romanin “Kur dremiste Sahati i Tiranës”. Ky nuk është i pari libër i autorit, as romani i parë i tij. “Kur dremiste Sahati i Tiranës” është libri i parë për të rritur i A. Kadiut, pasi shkrimtari ka lëvruar në fushën e letërsisë për fëmijë, kryesisht në prozë, që u drejtohet moshave shkollore. 30 romane, vëllime me tregime e novela dhe disa monografi, të shkruara vitet e fundit, produkt i studimeve dhe hulumtimeve shumëvjeçare, kanë për audiencë edhe moshat e rritura, sidomos në didaktikë. Disa nga krijimet dhe librat e autorit janë përfshirë në tekste shkollore, në listën rekomanduese të miratuar nga MASh-i për leximet jashtë klase dhe për kualifikimin e mësuesve. Gjithashtu, para disa vitesh, A. Kadiu botoi romanin “Pas takimit me alienët”, që u prit mjaft mirë nga shkollarët, dhe është një nga romanet më të mira të kësaj gjinie për adoleshentët.

Të mësuar ta shohim vetëm në profilin e krijuesit për fëmijë, romani “Kur dremiste Sahati i Tiranës” është, në një farë mënyre, një befasi, jo aq për faktin që autori vjen “i vonuar”, por për temën që trajton dhe për mënyrën e rrëfimit të ngjarjeve, për skalitjen e personazheve, për skenat ku ndodhin ngjarjet dhe ku veprojnë personazhet, të cilat na rrëmbejnë faqe pas faqeje, na marrin me vete në vorbullën e befasive që i ngjan një labirinti me shumë hyrje, por pa një rrugëdalje optimiste.

Mendoj se romani i ri do të pritet me interes nga moshat e rritura, të cilave u drejtohet. Shkrimtari ka reflektuar nga një botë postkomuniste, me personazhe që nënshtrohen lehtë dhe me të tjerë, të cilëve jeta u është bërë Ferr, ngaqë ata janë të papërgatitur për situata e dukuri aq të vrullshme, ku imoralja mbyt moralen, e padrejta shtyp të drejtën, e pabesa sundon mbi besën, paraja zë për gryke njeriun e ndershëm. Në roman gjen Tomin, njeri i dallavereve dhe trafikant tipik i mishit të bardhë, që, kudo që hedh grepin, e zë gjahun dhe bën si t’ia dojë interesi i tij, por gjen dhe politikanë me pushtet të përlyer thellë në korrupsion dhe frekuentues të shtëpive publike ilegale, njerëz që u kanë zënë perde syri dhe zemra, njerëz që mund të shërohen vetëm nëse nga zemrat e helmatisura shkulen gjarpërinjtë, njerëz që hiqen sikur burojnë mirësi dhe besojnë në Zot, duke tradhtuar pas krahëve me Djallin.

Romanin e përshkojnë dëshpërimi e pikëllimi, tipike për ato vite në të cilat janë vendosur ngjarjet, ku edhe dhembja trembej nga lakuriqësia e realitetit që ofrohej, ku edhe mitologjia vyshkej nga ajo gjendje pa krye. Ka një çekuilibër që ushqehet e kapardiset me klane, me fise, me njerëz imoralë “të nderuar”, që erdhën me brekë të grisur dhe të shkelnin me majat e këpucëve, që erdhën me një pare në xhep, po më pas lundruan e lundrojnë në pasuri të grabitura e në tregti të pandershme. Është një roman ku jepet realiteti i një jete të përçudnuar, ku mjerimi është ulur këmbëkryq dhe pasuritë e pista drejtojnë shtetin.

Romani ka një strukturë të goditur, me një arkitekturë të ndërtuar mjeshtërisht me kujdes. Heronjtë sikur dalin nga ngjarje groteske të pabesueshme (gruaja që ka gëlltitur në bark dy fëmijët e saj), nga fluiditete të flashkëta realiteti, me një protestë që nuk shpërthen, nga kontraste si vetë jeta në metropol e në periferi të tij (djali i Balës i sëmurë – djali i Netës përdorues droge; Tomi trafikant – Delua, Luli, Rita e plot të tjerë me ëndrra të pastra rinore për të krijuar familje; Ana e zgjuar dhe e rrahur nga jeta – Bala naive dhe fatkeqe; pylli që “shpyllëzohet” për firmën e huaj e xhepin e drejtorit dhe punëtori që pushohet nga puna dhe lihet në rrugë etj.). Në roman takon edhe personazhe karikatureske, që ëndërrojnë drejtësi, kur kandari i saj ka zënë ndryshk. Vepra na njeh me ngjarje e personazhe të ditëve tona. Është një roman që të fut në një botë rrejshëm të ndriçuar, që lëkundet rreth teje, dhe vetja të duket edhe si personazh.

Personazhet e romanit e dinë nga vijnë dhe cilët kanë qenë, dinë ku janë dhe cilët janë, por nuk i japin hall çfarë bëjnë e çfarë bëhet me ta. Disa nga personazhet kanë lidhje intime, disa janë në kërkim të lidhjeve intime, disa personazhe u tremben këtyre lidhjeve; disa personazhe i zhgënjejnë ëndrrat, megjithatë, përsëri ëndërrojnë, shpresojnë, por, për momentin janë pa shpresë dhe i nënshtrohen fatit. Balja bëhet me aq parfume sa mund të hapë një dyqan, ajo ka aq bizhuteri të florinjta, sa nuk do t’i mjaftojë jeta sikur secilin ta mbajë gjashtë muaj, por, kur e kupton se ku e ka zhytur fati dhe, kur zbraz dufin mbi ata të cilëve u zbulohet maska, i fiket jeta. Dhe nga kush? Nga i vëllai. Ajo është viktimë e vetes, por edhe e vëllait të saj, e burrit të saj, e djalit të saj, e shoqërisë, e shoqërisë që përjeton tragjedi edhe më të mëdha se kjo e Balës dhe e njerëzve të saj (mbytja e skafit me klandestinë, shpyllëzimet etj., etj.), sepse, siç shprehet autori, “Askushi u bë ministër, Asgjëja u bë deputet, Askërkushi u bë biznesmen, Asgjësendi u bë i njohur.” Nuk mund të mos vë në dukje edhe gjuhën e përdorur nga autori. Është një gjuhë e punuar, e pasur me figuracion të ri dhe me një vëmendje të posaçme për qëmtimin dhe përdorimin e fjalëve të vjetra që ruhen në thesarin popullor (namuzlie, birian, veremli, çilte për çelte; pareli, deshte për donte; kamatruc, hasha, dacëlloj, cicka, tallagjare, zatekem, dromcoj, milet, turisëz, çvoshk, dingaz, kuplara, açik, batakçi, i qorollepsur, qenef, kacafiu, çaprallis, tollovi, biçim, lizgatem, ofkëlloj, llomishte etj.), si dhe të fjalëve të përbëra e të përngjitura që, në fjali e fraza të shumta, marrin vlera stilistike dhe emocionale, cilësojnë, etiketojnë, karakterizojnë dhe vlerësojnë personazhe e skena me episode nga jeta e gjallë. Figuracioni i pasur në roman është shprehje e pjekurisë artistike të shkrimtarit A. Kadiu, e mjeshtërisë dhe e origjinalitetit krijues të tij: celulari tringëlloi si një zog i zënë në grackë (i Balës); pa një infermiere të re, të cilës bluza e bardhë i këndonte në trup (Tomi); kusitë e zemërimit të zienin përsëri; lodërtari “ecën me një ngadalësi si një ari i ngathët, gjithsesi madhështor, por pa hiret e zakonshme dhe me një hutim të përgjithshëm”; qosteku me sahatin roskop u burgos në raftet më të thella; Ka qenë derë e madhe, hanedane; të prish zemrekun e jetës; si një shtrazë qelbi helmatisës; të mbulohej me dafina fitoreje; këngë e ngopur me pika adoleshente shiu; Qielli është i rënë, i mërzitur, mbështetur me keqardhje me bërryla mbi malet e zymta të pushtuara nga hija e tij etj. Shkrimtari, me gjithë kujdesin që ka treguar, nuk ka mundur të mbetet jashtë qëndrimeve të tij për ndodhitë e ngjarjet që përshkruan. Ai, qoftë në skalitjen e personazheve, qoftë në rrëfimin e episodeve, me fjalorin e përzgjedhur na jep dhe opinionin e vet, se s’ka se si të shkëputet nga rryma, nga jeta reale rreth tij dhe rreth nesh. Me njëfarë pesimizmi, autori shkruan: “Nuk donte ta besonte kurrë se e ardhmja kishte dalë në mes të rrugës açik, por ishte më anemike se e tashmja. Çfarë do të sjellë ajo më tepër? Gjithnjë lëviz me një kadencë të pagabueshme. Ishte atje, tani është këtu, por shpesh e më shpesh nuk e dimë se ku është. Në këtë univers është e vështirë të dallosh të tashmen nga e ardhmja e, sido që gjendja zgjat, ajo realizohet me një kadencë padukshmërie, gjersa nga kjo pakicë bëhet një blanë e madhe, mavi, që të dhemb.”

Stili i zhdërvjelltë, dialogët domethënës, fjala e kursyer, skalitja si me daltë e personazheve, do të bëjnë që romani të përpihet nga lexuesit, të cilët do të njihen me një mori episodesh, pse jo, ata do të ndiejnë se, me dashje apo pa dashje, janë, ku më pak e ku më shumë, aktorë të një a disa skenave ku luhen episodet e romanit.

*) Doktor i shkencave









Comments are closed.