Përtej Portës së Dalipajve

Një portë e rrallë gjirokastrite, kryevepër e arkitekturës tradicionale, pa status “monument kulture”, lënë prej vitesh në mëshirë të fatit.

Engjëll Serjani

Porta hyrëse në kompleksin e banesave të familjes gjirokastrite Dalipi në lagjen “Palorto” të qytetit muze të Gjirokastrës, pa asnjë dyshim një kryevepër e artizanatit, arkitekturës dhe ndërtimit tradicional gjirokastrit, jeton ditët e fundit të saj. Ky objekt monumental prej vitesh është lënë jashtë vëmendjes së ekspertëve të monumenteve, e për këtë arsye është duke u rrënuar dita-ditës. Ndonëse me elementë unikalë arkitekturorë dhe artistikë, ky objekt i rrallë që përditë tret vlerat në harresë, nuk është propozuar asnjëherë për t’u shpallur “monument kulture” nga struktura të ruajtjes dhe restaurimit të monumenteve të kulturës. Por, çfarë e bën monumentale, historike dhe unikale këtë portë gjirokastrite? Dy janë elementët impresionues që spikatin më qartë; së pari, arti dhe arkitektura krejt e veçantë dhe së dyti, historia e kronikës së fisit Dalipaj, një prej familjeve më të shquara të “Palortosë” dhe Gjirokastrës.



Kompleksi i banesave të familjes Dalipi gjendet në të majtë të kompleksit monumental të banesës së Angonatëve që është cilësuar “ikonë” e vlerave të qytetit muze dhe në të djathtë të gjimnazit “Asim Zeneli”. Nga ky objekt në pamje dhe strukturë origjinale ndërtimore, fatkeqësisht kanë mbetur pak elementë, por ajo që ekziston gati në pamjen origjinale është porta në formë kubeje që dallohet lehtësisht nga sokaku që kalon para kompleksit monumental të Angonatëve drejt Këcullës. Ndër vlerat kulturore, artistike dhe tradicionale që e bëjnë unikale këtë portë ekspertët të monumenteve, si prof. dr. Emin Riza, veçojnë vjetërsinë e këtij objekti që llogaritet mbi 300 vjet dhe fakti që në pamjen e përgjithshme ka formën e kubesë me qemer guri, ekzistenca e dy sofave në të dy anët e saj, muret anësore, frëngjitë nga ku vëzhgohej dhe ruhej krejt kompleksi i rrethuar me mure i banesave, mbishkrimi mbi “çelësin” e qemerit të portës në osmanishten e vjetër, afreskun në të dy anët e kubesë, kalldrëmi i vjetër i shtruar midis sofateve dhe ndërtimi sipër portës që fatkeqësisht është zëvendësuar me mur tulle.

Historia “fshehur” pas portës.

Por nuk janë vetëm elementët arkitekturorë dhe artistikë, por e veçantë është edhe historia e njerëzve të familjes Dalipaj, e njohur në Gjirokastër si një ndër familjet me kontribut në historinë e qytetit dhe të vendit. Kronika familjare e Dalipajve përfshi emra të nderuar dhe respektuar si Selfo, Sami, Dalip, Asllan, Haxhi, Muho, etj., personalitete të respektuar në Gjirokastër të këtij fisi, që mendohet se është vendosur në Gjirokastër katër – pesë breza më parë, duke ardhur nga fshatrat e zonës së Kurveleshit. Emrat e të parëve të fisit janë përsëritur nga brezi i mëparshëm në brezin pasardhës. Një nga pasardhësit e fisit që ende jeton këtu, që ende hyn e del edhe sot nën këtë portë madhështore është 80-vjeçari Asllan Dalipi “i dytë”. Themi “i dytë”, sepse ai mban emrin e gjyshit të tij. Asllani është personi që zbulon disa nga emrat e personaliteteve të Dalipajve që kanë dalë nga kjo portë e madhe.

“Kjo është një portë e vjetër, me histori dhe kryelartë, sepse prej saj kanë dalë emra me kontribut në historinë dhe artin kombëtar shqiptar, sikundër është Haxhi Dalipi ‘i dytë’, muzikanti që bëri emër me talentin e tij në Vlorë dhe Tiranë dhe që mbante emrin e gjyshit të tij Haxhiut ‘të parë’, që në kohën e tij ishte një luftëtar kundër pushtuesve osmanë”, thotë Asllani. Ish-kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur, Haxhi Dalipi, “Artisti i Merituar” ishte një nga korifenjtë e muzikës shqiptare. Enciklopedia ndërkombëtare e kohës shkruhet se për vite me radhë drejtoi ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend, krijoi në vitin 1988 orkestrën simfonike dhe filarmoninë e Vlorës, ku punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe deri pak para se të ndahej nga jeta ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke i kthyer shkëlqimin e dikurshëm. Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë të rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.

Prapa kanateve të Portës së Dalipajve qëndron historia e Sami Dalipit, një personaliteti të respektuar për ndjenjat e mprehta demokratike dhe arsimore që në rininë e tij të hershme. Ai është një prej bashkëpunëtorëve kryesorë për hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër. Në vitin 1919, ai shkruan disa artikuj në gazetën “Mësuesi” dhe disa vite më vonë edhe në gazetën “Demokratia” për organizimin e shkollës shqipe, shkrime në të cilat ndihej analiza e thellë logjike dhe kultura e gjerë për trajtimin me kompetencë të problemeve të mprehta të kohës. Në vitet ‘20–‘21, ai së bashku me Avni Rustemin është nga intelektualët më aktivë për krijimin e Lidhjes së Mësuesve të Gjirokastrës dhe Libohovës, “për t’i dalë zot interesave të shkollës shqipe dhe mësuesve të mjerë”. Si arsimtar, Sami Dalipi u shfaq po aq i vrullshëm, pasionant dhe aktiv sa edhe në jetën shoqërore dhe politike të kohës. Gjendja arsimore në Qarkun e Gjirokastrës në vitet 1920-‘24 shtroi nevojën e një lëvizje të gjerë arsimore me karakter demokratik. Kjo periudhë karakterizohet në të gjithë vendin nga një lëvizje laiciste drejtuar kundër shkollave të huaja dhe atyre klerikale që sponsorizoheshin prej të huajve. Sami Dalipi, dalë prej shkollës së Labovës së Zhapës u përqendrua veçanërisht në reformimin e metodës së mësimdhënies dhe edukimit shkollor. Fillimisht ai u shpreh kundër ndëshkimit fizik në shkolla, atavizëm e shkollës turke, gjë që bëri përshtypje të thellë tek prindërit dhe nxënësit të cilët e vinin re kulturën dhe aftësinë edukative të këtij mësuesi. Në kronikat e shtypit lokal të kësaj periudhe, emri i tij përmendet si atdhetar dhe mësonjës i pasionuar.

Kronika e Dalipajve përfshin edhe një personalitet tjetër, të padiskutueshëm në përmasat e tij kombëtare dhe ndërkombëtare si Skulptori i Popullit, Mumtaz Dhrami, laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964) dhe laureat i shumë titujve dhe çmimeve dhënë nga shteti shqiptar. Ai është autor i disa skulpturave monumentale si: bustit të Shkurte Pal Vatës në Lushnjë, bustit të Liri Gegos në Galerinë e Arteve Tiranë, portretit të Rugovasit në Galerinë e Arteve Tiranë, bustit të Jani Vretos në Leskovik (1996), portretit të Nënë Terezës, monumentit të Ali Pashë Tepelenës,  Lasgush Poradecit dhe  Mitrush Kutelit. Artisti i madh i daltës Mumtaz Dhrami, nipi i Selfo Dalipit që rrojti 104 vjeç, është njëkohësit bashkautor i monumentit të Kristoforidhit në Elbasan, Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, monumentit “Nënës Shqipëri” në Tiranë, reliefit monumental në ndërtesën e Kryeministrisë Tiranë, autor i monumentit të Drashovicës, monumentit të Pezës, Obeliskut të Arsimit në Gjirokastër, etj. Kronika historike e kësaj familjeje vijon më tej me një tjetër pasardhës, politikanin aktual dhe mjaft aktiv Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Duke parë dhe duke vlerësuar autenticitetin ndërtimor, pamjen unikale dhe historinë që fshihet pas kanatave dhe kupesë së Portës së Dalipajve, ia vlen që këtij objekti të rrallë ti jepet statusi “monument kulture” dhe pas kësaj të investohet për restaurimin dhe kthimin e saj në identitet. Nuk është vetëm kjo portë që po degradohet, Porta e Netit në Saraqinishtë, Porta e Kurtajve dhe Porta e Bejove në Cfakë, Porta e Tatait në Dunavat, Portat e Libohovës dhe shumë porta të tjera po shkojnë drejt rrënimit, ndërkohë që për ruajtjen, mirëmbajtjen e tyre nuk duhen shumë fonte dhe investime. Këto porta kanë të skalitura në gurët e harkateve dhjetëra simbole pagane, simbole të kulteve fetare, afreske dhe mesazhe në osmanishten e vjetër. Mjafton një mirëmbajtës restaurues që të zëvendësojë disa trarë të kalbur dhe të zëvendësojë pllakat e çatitë të këtyre portave që ato të ruhen si dëshmi unikale. Por gjithsesi, që të mirëmbahen, më parë ato duhen shpallur “monument kulture”.





Comments are closed.