Shqipëria, tashmë partnere me TRADUKI-n

Marrëveshja 

Shqipëria është tashmë pjesë e rrjetit TRADUKI, një rrjet europian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë 14 vende europiane, si dhe partnere me të drejta dhe përfaqësim të plotë në këtë projekt kaq të madh: PROJEKTI TRADUKI. “Ne që jemi ndryshe, ndonëse jemi pranë, nënshkruajmë sot këtë marrëveshje për të qenë edhe më pranë me ata që jemi ndryshe”, me këtë fjali që mbart brenda dhe filozofinë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me përfaqësuesen e TRADUKI-k, znj. Antje Contius. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Shqipëria bëhet pjesë e bashkërendimit të projekteve dhe programeve të përbashkëta me partnerë të rëndësishëm europianë dhe rajonalë, si Ministria Federale për Çështje Europiane e Ndërkombëtare e Republikës së Austrisë, Ministria e Jashtme e Republikës Federale Gjermane, Ministria e Kulturës e Republikës së Kroacisë, Departamenti i Kulturës në qeverinë e Principatës së Lihtenshtajnit, Fondacioni kulturor zviceran Pro Helvetia, KulturKontakt Austria, Instituti Goethe, Fondacioni S.Fischer, Agjencia Sllovene e Librit JAK, Shoqata Kroate e Kulturës Kurs në Split dhe Panairi i Librit në Lajpcig, mes të cilëve prej sot do të vendoset edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Shqipëria do të jetë e përfaqësuar me të drejtë vote në Bordin Drejtues të TRADUKI-t, si instanca më e lartë e Rrjetit TRADUKI-t, në Komisionin e Programit dhe në Komitetin Drejtues. “Përmes këtij instrumenti vendimmarrës shkrimtarët dhe përkthyesit, botuesit, organizatorët e ngjarjeve kulturore të librit dhe të letërsisë i shprehin dhe i identifikojnë më qartë nevojat dhe emergjencat e tyre, duke ia paraqitur ato një arene më të gjerë kulturore, politike, sociale, por edhe financiare gjithashtu. Është e kuptueshme se gjithçka e këtij projekti nuk nis dhe përfundon te libri, për librin dhe në dobi të librit. Përmes tij kemi bindjen dhe dëshirën për të ndikuar edhe në fusha të tjera të edukimit dhe të vendosjes së disa standardeve, që në Shqipëri jo gjithmonë respektohen dhe marrin vëmendjen që meritojnë”, tha ministrja Kumbaro.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.