Gertrude Stein, një grua pranë Picasso-s

shirtless-picasso-32Historia e shkrimtares dhe koleksionistes së veprave të artit, Gertrude Stein, marrëdhënia e saj e veçantë me Picasso-n, Hemingway-n, Fitzgeraldn-in apo Ezra Paund

Gertrude ishte 31 vjeç kur u takua për herë të parë me Picasson. Shkrimtarja e re amerikane kishte mbërritur në Paris e joshur nga arti që prodhohej në këtë qytet. E pasionuar pas pikturave ajo kalonte mbrëmjet në shoqëritë e njerëzve të njohur të kësaj bote. Por ishte një burrë, të cilin ajo dëshironte ta takonte, një burrë që e kishte tërhequr që prej bisedave që kishte dëgjuar për të salloneve pariziene. Ai ishte Pablo Picasso, një artist i ri i cili ndante jetën mes Spanjës dhe Francës, dhe që në pikturat e tij vendoste me ngulm dritën. Për të mbërritur tek ai Gertrude shkoi fillimisht si modele. Nuk ishte nevoja të ishe e bukur për të qenë modelja e artistit. Një femër për të, ishte gjithnjë e bukur në tërësinë e saj. Ai i dha një rrobëdishamb ta vishte ndërsa e ftoi të ulej në divanin në sallon. Ishte viti 1905 kur Picasso realizoi portretin e saj të parë. Ajo pozoi gjatë dimrit për tetëmbëdhjetë seanca, në fund ai pikturoi vetëm kokën, i tha se nuk mund ta shihte më dhe u largua. Por Stein ishte një grua e cila e kishte tërhequr Picasso-n me bisedat dhe konceptet e saj liberale për artin. Nga një modele ajo u kthye në një mikeshë të ngushtë dhe një kritike të mirë të tij. Stein do të influenconte me punën e saj për ta bërë të njohur artin e tij në ato vite në galeritë e ndryshme në botë. Tabloja e saj e realizuar prej tij, mbeti për të një prej punëve më të vyera, në shtëpinë e madhe të një gruaje e cila renditet si koleksionistet e para më të njohura në tregun e artit. Kur në shtëpinë e saj shkoi për vizitë një ditë një tjetër koleksionist i pasur dhe pa portretin e realizuar nga Picasso e pyeti sa lekë e kishte blerë, dhe kur ajo i tha që asnjë, por është dhuratë ai do të habitej. Kur ia tregoi Pikasos këtë histori ai buzëqeshi. Stein mbetet si gruaja që qëndroi pas suksesit të artit të emrave të njohur në Parisin e atyre viteve. Si shkrimtare ajo mbahet mend me thënien e saj “gjërat janë ato që janë”. Mike e ngushtë me Hemingway-n, Ezra Paund apo Sylvia Beach, ajo ishte një këshilltare e çmuar për të. Hemingway asnjëherë nuk i harronte këshillat e saj të çmuara, rreth prozës së vetë, e cila duhej thjeshtuar…Po kështu dhe Scot Fitzgerald do të shkruante me dashuri për këtë grua të rrallë. Pasioni për të qenë pranë miqve artistë do ta privonte Stein në letërsinë e saj. Viteve të fundit të jetës së saj, ajo shkroi një monografi për Picasso-n, ashtu si ajo e kishte parë artin e tij, që në ditët e para të qëndrimit në Paris. Ky libër cilësohet nga kritika si një vështrim i thellë i veprës së piktorit, bërë nga një grua e cila qe gjithnjë pranë tij… Kujtimet e saj në këtë libër janë dhe një vështrim në atë kohë. Ajo shkruan se Picasso e ndjeu shumë ikjen e Apollinairet nga Franca në kohën e luftës, 1914. Poeti ishte një mik i mirë i tij. Picasso lindi në Malaga, më 25 tetor 1881. Në vitin 1885 prindërit e tij u vendosën në Barcelonë dhe djaloshi Picasso më 1900 erdhi për herë të parë në Paris ku qëndroi gjashtë muaj.

Ndikimi i parë në Paris ishte Toulouse Lautrecu, në atë kohë dhe më vonë, derisa u rikthye në Paris në vitin 1901, ndikimi i kontaktit të parë me Parisin ishte mjaft i fuqishëm, në pranverën e vitit 1901 ai erdhi sërish, por për të mos qëndruar gjatë dhe u kthye në Barcelonë dhe njëherë tjetër. Kontakti i drejtpërdrejtë me Parisin, herën e dytë, i shkatërroi ndikimet e Parisit, ai u kthye sërish në Barcelonë dhe aty qëndroi deri në vitin 1904, viti kur u bë banor i vërtetë i Parisit. Gjatë kësaj periudhe, 1901-1904 pikturoi me ngjyrën blu, ashpërsia dhe realiteti që nuk janë realiteti që shikojmë, por që është diçka spanjolle, e shtynë të pikturonte këto vepra të cilat janë themeli i gjithçkaje që ai bëri më vonë. Në vitin 1904, ai u kthye në Francë, e harroi gjithë trishtimin dhe realitetin spanjoll, e la veten të lirë të jetonte në bukurinë e objekteve që shihen, dhe sentimentalizmin francez. Jetoi në poezinë e miqve të tij, Apollinaire, Max Jacob dhe Salmon-it siç thoshte shpesh dhe Juan Gris, Franca më josh e më josh sërish. Periudha rozë ose arlekine ishte periudha e një prodhimtarie të begatë, ndjesitë e Francës i shkaktuan një prodhimtari të padëgjuar. Numri dhe përmasat e telajove që ai pikturoi gjatë kësaj periudhe ishin të jashtëzakonshme. Një ditë kur Stein dhe ai ishin duke diskutuar për datat e pikturave të tij, dhe ndërsa ajo po i thoshte se gjithë ato punë nuk mund të ishin bërë brenda një viti, ai iu përgjigj: “Ti harron që ishim të rinj dhe punonim natë e ditë”. Është e vështirë të besosh që periudha rozë zgjati vetëm nga viti 1904-1906, por është e vërtetë, nuk mund të mohohet, prodhimtaria e tij gjatë takimit të parë përcaktues me Francën ishte e jashtëzakonshme. Kjo ishte periudha rozë. Periudha rozë do të mbaronte me portretin e Gertrude Stein, ku cilësia e vizatimit kishte ndryshuar dhe pikturat e tij tashmë kishin filluar të bëheshin më pak të lehta dhe më pak të lumtura. Tekefundit Spanja është Spanjë, e jo Francë dhe shekulli XX kishte nevojë për një spanjoll që të pikturonte jetën e saj dhe Picasso ishte i prerë për këtë. Gjatë gjithë dimrit të vitit 1906 Picasso punoi portretin e Stein. Kishin vetëm një vit që njiheshin. Në këtë kohë ajo nisi t’i pikturonte figurat me ngjyra, por më tepër me ngjyrë balte, linjat e trupave më të forta. Realiteti i shekullit XX nuk ishte aspak realiteti i shekullit XIX dhe Picaso ishte i vetmi piktor që e ndjeu këtë. Në vitin 1907 Picasso gjeti qetësinë duke u marrë me skulpturë. Për Stein, artisti pati tendenca deri në vitin 1937, ku ajo shkruan se “Picasso filloi të ishte sërish Picasso”. “Ai pikturoi një vepër për Spanjën, e cila u shkrua me një kaligrafi vazhdimisht në zhvillim dhe që ishte vazhdimësia e përparimit të madh që bëri ai në vitin 1922, tashmë ai ishte në bulëzim tërësor, dhe njëkohësisht gjeti ngjyrën e vet. Ngjyrat me të cilat ai pikturon në vitin 1937 janë ngjyra të çelura, dhe të buta te të cilat gjen cilësi që deri atëherë nuk ekzistonte në ngjyrën gri të tij, ngjyrat mund ta kundërshtojnë vizatimin, mund të jenë në harmoni me të, mund të bëjnë çfarë të duan, arsyeja që ngjyrat ndodhen në telajo nuk është fakti që janë ose jo në harmoni me vizatimin, ato janë aty të ekzistojnë”…shkruan Stein.

 

 

Box

Picasso s’i pëlqente udhëtimet

Jean Cocteau shkoi në Romë me Picasso-n për të përgatitur ekspozitën. Të dy bashkë ata shkuan t’i thoshin mirupafshim mikeshës Stein. “Ishte hera e parë që e takoja Cocteaun. Picasso ishte shumë i gëzuar, jo aq i gëzuar sa në ditët e gëzimit të madh kubist, por goxha i gëzuar, të dy ishin të gëzuar. Picasso ishte i kënaqur që po largohej, nuk e kishte parë kurrë Italinë. Udhëtimi nuk i kishte pëlqyer asnjëherë, shkonte aty ku të tjerët ndodheshin prej kohësh. Picasso nuk e pati kurrë kënaqësinë e iniciativës. Siç e thoshte edhe vetë për veten. Ishte karakter i dobët dhe ua linte të tjerëve marrjen e vendimeve…”

 

 

Xxx

Burri më bluzë marinari

Më 13 mars të vitit 1945, Jerome Seckler një gazetar dhe kritik arti i pasionuar pas veprave të Picasso-s, më në fund ia kishte dalë t’i gjente adresën. Kur shkoi në studio, i thanë se Picasso “nuk ishte në shtëpi”, ndërsa në dhomën ngjitur dëgjohej një bisedë me pëshpërima. Sekretari i tij i shpjegoi se “Picasso nuk ka punuar për dy muaj rresht dhe tashmë dëshiron të ulet e të bëjë diçka”. Por Jerome nuk u dorëzua. Me anë të një miku artist ai arriti të linte një takim me të në orën 11.30 të një të shtune paradite. Picasso jetonte në dy katet e sipërme të një godine katërkatëshe, padyshim një vend modest afër Senës. Të mbërrish në studio duhet të hysh në një nga vrimat në mur që luajnë rolin e derës, të ngjitësh tri shkallë të ngushta rrethore prej druri të ronitura nga koha dhe me mure të zhveshura. Kjo ka qenë shtëpia dhe studioja e tij gjatë atyre viteve. Kur hyje në njërën nga studiot gjendeshe në një dhomë me një sërë këmbalecësh, tablosh, librash rrëmujë. Ndërsa priste ai shihte pikturat e tij të fundit në një kavaletë, një shtambë metalike mbi tavolinë. Mbërthyer me thumb sipër pikturës ishte një skicë e vogël me laps, kompozimi i së cilës ishte hedhur në telajo deri në detajin më të imët. Edhe pse ishte një skicë e shpejtë, ai e kishte detajuar me aq kujdes saqë linjat e kryqëzuara në cep të një tavoline në skicë i kishte kryqëzuar po ashtu edhe në pikturë. Pas dhjetë minutash pritjeje, Picaso zbriti nga studioja e katit të sipërm dhe eci drejt tij. I hodhi një vështrim të shpejtë dhe e pa në sy. Kishte veshur një kostum ngjyrë gri të lehtë, një këmishë pambuku ngjyrë blu dhe kravatë, në xhepin e përparme të xhaketës kishte futur një shami dore në ngjyrë të verdhë të shndritshme, kishte duar të vogla, por të forta. Kishte një buzëqeshje të ngrohtë, të sinqertë dhe fliste pa u rezervuar. Seckler i shpjegoi se puna e tij e kishte tërhequr gjithnjë, dhe e kishte hutuar shpeshherë, madje në ekspozitën e tij të fundit nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte dashur të thoshte. Ai donte ta njihte personalisht ta pyeste nëse analizat që kishte bërë mbi punët e tij ishin të sakta, nëse ishin të shkruante për to në Amerikë. Seckler filloi t’i fliste për pikturën e tij “marinari” që e kishte parë në galerinë Liberation. I tha se mendonte se ishte një autoportret-kostumi i marinarit, rrjeta dhe flutura e kuqe e tregonin si një person i cili kërkonte një zgjedhje të kohës, që përpiqej për të gjetur një botë më të mirë, veshja e marinarit ishte treguesi i pjesëmarrjes aktive në këtë përpjekje. Picasso e dëgjoi e në fund i tha: “Po unë jam, por nuk synova të kishte asnjë lloj domethënie politike”. Seckler e pyeti se përse e kishte pikturuar veten si marinar. “Sepse unë mbaj përherë këmisha marinari”, i tha Picasso duke ngritur këmishën dhe tërhequr të brendshmet, të cilat ishin të bardha me shirita blu. “Po flutura e kuqe?, e pyeti ai. “Nëse ka një domethënie ajo ekziston në pavetëdijen time”, tha Picasso. Përse pikturoni në mënyrë të atillë saqë pikturat juaj bëhet e vështirë për t’u kuptuar?, e pyet Seckler. “Pikturoj në këtë mënyrë, tha ai, sepse ky është rezultati i mendimeve të mia. Jam përpjekur me vite të tëra të arrij këtë rezultat dhe në qoftë se bëj një hap mbrapa, kjo do të ishte fyerje për njerëzit, sepse ky është rezultat i mendimeve të mia. Nuk pikturoj dot në mënyrë tradicionale vetëm që të përfitoj kënaqësinë e të qenët i kuptuar. Nuk dua të zbres në nivele të ulëta. Ju jeni piktor dhe e kuptoni që është shumë e vështirë të thuash përse e bën këtë apo atë gjë. Unë shprehem me pikturë dhe nuk mund të shpjegohem me fjalë. Nuk mundëm ta shpjegoj pse e bëra diçka në atë mënyrë. Në qoftë se vizatoj një tavolinë të vogël, shikoj çdo detaj. Shikoj madhësinë e trashësinë dhe i përkthej në mënyrën time”, tha Picasso. Kur Jerome e pyet se ai e kishte marrë në mbrojtje të bukurën, artisti i përgjigjet: “ajo që krijon diçka është i detyruar ta bëjë atë të shëmtuar. Gjatë përpjekjeve për ta krijuar, intensiteti dhe beteja për ta krijuar këtë intensitet përherë rezulton me njëfarë oshëtime, ndërsa pasuesit mund ta bëjnë këtë gjë më të bukur, sepse ata e dinë se çfarë janë duke bërë, sepse ajo gjë tashmë është shpikur, ndërsa shpikësi nuk e di se çdo të shpikë dhe kështu, në mënyrë të pashmangshme gjëja që ai shpik do të ketë dhe anën e saj të shëmtuar”.





1 Comment
  1. Arna says

    Ne formen e se shemtuares qe shkrihej e nuk dukej qartazi, ngerthyer me ate qe njeriu percepton si te bukur apo te pranueshme, qendron vlera dhe origjinaliteti i vepres se Picasso.

Comments are closed.