I lidhuri me litar, familja nuk lejon dërgimin e tij për kurim

Reagimi

Shërbimi Social Shtetëror: Do të monitorojmë në vazhdimësi dhe do t’i heqim kujdestarinë

“I gjithë dokumentacioni ndodhet në institucionin tonë për dërgimin e tij në rezidencë, por nuk pranon babai”



i lidhuriShërbimi Social Shtetëror në Elbasan ka reaguar për rastin e Marjus Hoxhollit, djalit të lidhur me litar nga familjarët në Bujaras të Komunës Gjergjan të Rrethit të Elbasanit. Ky është një rast i trajtuar nga ky institucion që ka rekomanduar kalimin e tij në një qendër të specializuar pranë vendlindjes së tij, por kjo kërkon edhe deklaratën e kujdestarit, i cili nuk pranon ta dërgojë në një qendër të tillë. Marjusi, i lidhur herë pas here me litar, pasi, sipas të atit, por edhe njerkës së tij, bëhet i dhunshëm, vuan nga probleme të thella mendore. Sipas punonjëses sociale të Shërbimit Social Shtetëror, Gledis Balla, pas lajmit në media, menjëherë është verifikuar rasti dhe është shfletuar dokumentacioni për të duke diktuar edhe veprimet e ndërmarra. “Rasti i Marjus Hoxhollit të lidhur me litar nga kujdestari i tij u monitorua menjëherë nga administratorja sociale e Komunës së Gjergjanit, Liljana Hoxholli. Pas verifikimeve të bëra, rezulton se personi për të cilin bëhet fjalë, trajtohet me kemp, vuan me aftësi të kufizuara të thella mendore dhe ka kujdestar babanë e tij.

Sipas raportit, kohët e fundit, për shkak të avancimit të sëmundjes, në bazë të vendimit 425 për kriteret dhe dokumentacionin përkatës, është vendosur që ai të akomodohet në një qendër të specifikuar pranë vendlindjes së tij. I gjithë dokumentacioni ndodhet në institucionin tonë dhe të gjitha procedurat janë zhvilluar. Mungon vetëm deklarata e familjarëve që japin konfirmimin për të lejuar vendosjen e tij në këto rezidenca. Këtu përfundon edhe roli ynë si institucion. Nëse familjarët nuk e konfirmojnë me shkrim lejimin, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Aktualisht familjarët nuk duan që ai të zhvendoset në një rezidencë specifike për trajtimin e tij”.

Pyetjes se çfarë do të bëhet me konstatimin e dhunimit të këtij personi, punonjësja sociale shprehet se ky rast do të monitorohet sërish dhe nëse do të vihen re abuzime atëherë automatikisht do t’i hiqet e drejta e kujdestarisë babait të tij, duke vazhduar më tej procedurat për akomodimin e tij në një qendër përkujdesjeje.

Drejtues të Shërbimit Social Shtetëror deklaruan se ky rast tashmë është në vëmendje dhe do të bëhen të gjitha hapat ligjorë për të garantuar mbrojtjen e tij nga dhunimi. Ndërkohë u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve, shoqatave apo dhe mediave të referojnë raste të dhunimit të të drejtave të njeriut, të abuzimit dhe të shfrytëzimit të të miturve. Për këto raste ky shërbim ka vënë në dispozicion edhe një numër telefoni.

Marjusi është 23 vjeç dhe kohët e fundit është përballur me lidhjen me litar, për shkak se, sipas familjarëve, ka raste që është edhe i dhunshëm. Vetë ata e justifikojnë lidhjen për ta mbajtur të qetë, sidomos kur i ati nuk është në shtëpi. Ndriçim Hoxholli, babai i Marjusit, thotë se shpesh është i detyruar ta lidhë, sepse ai bëhet i dhunshëm sidomos kur ai vetë nuk është në shtëpi. Djali i tij ka lindur me probleme dhe tashmë që është 23 vjeç është kthyer në shqetësim, sidomos për bashkëshorten dhe fëmijët e vegjël të ardhur nga martesa e tretë. Në fakt, e gjithë familja ka si të ardhura paratë e invaliditetit që merr Marjusi dhe në kushtet e në gjendjen që ndodhet kjo familje, ato janë e vetmja mundësi, por edhe konsiderohen të pamjaftueshme. Kjo familje merr pension 18000 lekë nga kempi i Marjusit dhe konsiderohet e vetmja e ardhur për këtë familje me 5 anëtarë. B. Nergjoni

 

Keqtrajtimi

Marjus Hoxholli, nga fshati Bujaras, i lindur me probleme mendore, lidhet me litar në këmbë sa herë që i ati nuk është në shtëpi

 

Varfëria

Familja e varfër Hoxholli krijon të ardhura veç nga një copë tokë për bagëtinë, që e mbajnë për të pasur të paktën bulmet në shtëpi

 

Banorët

Sipas banorëve, në shumicën e rasteve, ai nuk është i dhunshëm. Ai vetëm bërtet dhe ulëret sa herë që dikush kalon para shtëpisë


Comments are closed.