Hilary Mantel, të shkruash për të shkuarën

119012339__386867c_1Hilary Mantel 

Të shkruash për të shkuarën

Alda Bardhyli

Ishte e shkuara ajo që e çoi Hilary-n, drejt letërsisë. Ditarët e fshehur në një nga sirtarët e dhomës së gjumit, në shtëpinë ku jetoi fëmijërinë, do ta bënin të takonte një tjetër vajzë që kishte qenë brenda saj. Studimet, lidhjet e dashurisë, e kishin larguar nga vajza që dikur zhytej e tëra brenda batanijes së kaltër dhe shkruante historitë që i kishin ndodhur gjatë ditës. Vitet e kishin ndryshuar Hilary-n, por nuk kishin mundur të hiqnin nga ajo dëshirën e çuditshme për të rrëfyer. Një dëshirë që ajo do ta ndiente sërish më pas, kur në Londrën e qullur nga shiu, ajo priste një burrë të kthehej në shtëpi. Ishte Gerald McEwen, një gjeolog, të cilin e kishte njohur më vitin 1972, dhe po atë vit u bë gruaja e tij. Kaq vite më pas ajo e ka të vështirë të besojë në ishte dashuri, apo nevoja e pashmangshme e një gruaje për t’u mbështetur diku, tek një burrë që i reflektohet në fytyrë besimi. Kaq vite më pas Gerald është sërish aty, si dikush që i kujton kthimin pas çdo ikjeje. Kthimi tek ditarët e fëmijërisë, nuk ishte një kthim i lehtë për Hilary-n, e cila do zbulonte se lidhja e saj me të shkruarin do të shoqërohej me gjendje jo të lehta emocionale. Çdo libër i shkruar ishte një dhimbje për të, të cilën as shëtitjet e gjata, rrugëve të ndriçuara të Londrës nuk mund ta shëronin. Problemet mendore, me kalimin e kohës, do të bëheshin më të rënda për shkrimtaren, pavarësisht kurimit. Por nëse të gjithë do mendonin se tashmë ajo do të hiqte dorë nga shkrimi, për shkak të shëndetit, Hilary bëri të kundërtën. Ajo vazhdoi të shkruajë, e bindur se dhimbjen do ta kalojë dikur. E lindur në Glossop, nga dy prindër me prejardhje irlandeze, Hilary Mary Mantel është sot një nga shkrimtaret më të njohura angleze. E njohur për tregimet e shkurtra, apo librat historikë, si dhe kujtimet, Hilary do të bëhet femra e parë e cila ka fituar dy herë çmimin “Booker Prize” pas shkrimtarëve si J.M Coetzze, Peter Carey dhe J.G Farrell. Për herë të parë ajo e fitoi këtë çmim në vitin 2009 dhe në vitin 2012. Ajo u vlerësua me këtë çmim me dy novelat e trilogjisë me personazh gjykatësin Thomas Cromwell, të cilat më vonë i botoi të bashkuara nën titullin “Pasqyra dhe drita”. Fëmijëria la gjurmë në jetën e saj. Pas ndarjes së prindërve, ajo u takua për herë të parë me të atin në moshën 11-vjeçare. Mbiemri Mantel është mbiemri i njerkut të saj Jack. Familja mbeti një hulumtim i përhershëm për Hilary-n, e cila do të kërkonte në gjurmët e mbetura nga e shkuara për t’i sjellë më pas në librat që shkroi. Në vitin 2003 ajo botoi librin me kujtime “Në kërkim të shpirtrave”, duke iu referuar historisë së familjes së saj. Në vitin 1970 ajo nisi studimet në London School of Economics, më pas u transferua në Universitetin e Sheffieldit, ku përfundoi studimet për drejtësi. Në këto vite ajo përqafoi dhe idetë politike të majta. Në vitin 1974, ajo shkroi një libër rreth revolucionit franceze. Për shkak të punës të të shoqit si gjeolog, ajo e ndoqi atë në një udhëtim në Jeddah dhe Arabinë Saudite. Mbresat nga ky udhëtim i shkroi në librin “Shqetësime të dikujt tjetër”, ku ndër të tjera shkruante se “Të jetonte në Jeddah ishin ditët më të bukura të jetës së saj”. Romani i saj i parë “Çdo ditë, është dita e nënës” u botua në vitin 1985. Pas kthimit nga Arabia Saudite, ajo botoi novelën “Tetë muaj në rrugën Ghazzah”, e cila tregon për eksperiencën e saj në këtë vend, një ndërthurje e kulturës islame me atë perëndimore. Një nga librat e saj më të bukur është “Eksperimenti i dashurisë” (1996) i vlerësuar me çmimin “Haëthorden”. Libri të çon pas në kohë në vitin 1970 ku tregon historinë e miqësisë së tre vajzave. Dy janë shoqe dhe njëra është armike. Të tria janë në Universitet në Londër. Dhe pse Mantel ka futur ndodhi nga jeta e saj në këtë roman, ajo nuk e quan atë një autobiografi, pasi në thelb subjekti i këtij libri është historia e tre femrave ambicioze, dhe raportet e tyre me dashurinë. Ajo çfarë e bën Hilary-n një shkrimtare të vlerësuar nga kritika është raporti i saj me prozën e shkurtër. Ajo di të shkruajë plot stil dhe shkurt, shkruajnë mediat për të. Proza e saj e shkurtër është tepër e ndjerë, dhe ka brenda gjithë elementët që mund t’i kërkosh në një rrëfim. Ajo të bën të ndjesh ankthin e një leximi të paduruar, për të mbërritur tek faqja tjetër e ndodhisë. Personazhet e treguar prej Hilary-t janë njerëz që mbartin histori të së shkuarës. Diçka në të shkuarën nuk ka përfunduar për ta, gjë që e bën të tashmen e tyre të trazuar. Në vitin 1998 ajo shkroi librin “Gjigandi”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitet 1780. Libri bazohet në historinë e vërtetë të Charlse Obrien. Ai mbërriti në Londër për të fituar para duke e paraqitur veten si një “çudi”. Kockat e tij varen sot në Muzeun e Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve. Historia trajton O’Brien dhe antagonistin e tij, kirurgun skocez John Hunter, shumë pak si personazh historik dhe më shumë si protagonist mitik të një përralle të errët dhe të dhunshme, viktima të nevojshme në kohën kur ajo e shkroi. Në vitin 2003 Hilary botoi autobiografinë “Të heqësh dorë nga fantazma”, i cili fitoi çmimin “Libri i vitit”. Po në këtë vit ajo publikoi një koleksion me histori të shkurtra “Të mësosh të flasësh”. Të gjitha historitë kanë lidhje me fëmijërinë, dhe të marra së bashku librat tregojnë sesi ngjarjet e jetës mund të lexohen si thrillera. Përveç shkrimit të librave, Hilary është e pranishme me opinione të ndryshme në mediat britanike. Përpjekjet e vazhdueshme për të pasur një fëmijë dhe problemet e shpeshta mendore e kanë bërë atë të marrë ilaçe, që e kanë shpërfytyruar pamjen e vajzës së dikurshme me sytë e kaltër. Por pavarësisht këtij ndryshimi, ajo vazhdon të mbetet Hilary, shkrimtarja e ndjerë dhe gruaja që çdokush do ta takojë…









Comments are closed.