Turizmi, kërkohet liberalizim vizash për vendet që sjellin numër të lartë pushtuesish

Bizneset takim me Gjermenin: Ulje 10% TVSH për turizmin

10% – Masa për uljen e TVSH-së për turizmin. Ministrja e Turizmit tha se po përgatitet një propozim, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave

Vizat – Biznesi kërkoi rishikim të mundësisë për të zgjatur në kohë periudhën e sezonit turistik dhe të liberalizohen vizat për disa vende nga të cilat vijnë më shumë turistë



bregasiMinistrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të “Biznes Albania”, ku është njohur nga afër me kërkesat e biznesit në fushën e turizmit dhe zhvillimit urban. Në takim është diskutuar për mundësinë e uljes së TVSH-së për turizmin në masën 10%, për certifikimin e hoteleve dhe vendosjen e standardeve, për mundësinë e zgjatjes së sezonit turistik apo çështje të tjera që lidhen me planifikimin e territorit dhe zhvillimin urban. Po ashtu, ndër prioritetet e takimit ishte dhe diskutimi për çështjen e liberalizimit të vizave dhe përfaqësuesit e “Biznes Albania” kërkuan që të shikohet mundësia për të zgjatur në kohë periudhën e sezonit turistik dhe të liberalizohen vizat për disa vende nga të cilat vijnë më shumë turistë. Ministrja Gjermeni shprehu angazhimin e ministrisë dhe të qeverisë për një bashkëpunim të ngushtë publik-privat, duke theksuar se pa këtë bashkëpunim nuk mund të funksionojë asnjë sektor i ekonomisë. Në lidhje me propozimin e bizneseve për uljen e TVSH-së për turizmin në masën 10%, Gjermeni theksoi se po përgatitet një propozim nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave. Ministrja Gjermeni kërkoi angazhim dhe bashkëpunim nga ana e biznesit për të luftuar informalitetin në sektorin e turizmit. Ministrja Gjermeni deklaroi se problemet e certifikimit dhe standardizimit, për guidat, hotelet, operatorët turistikë, do të adresohen përmes rishikimit të ligjit për turizmin, i cili do të bëhet pas konsultimeve që parashikohet të nisin në muajin dhjetor me përfaqësues të shoqatave të turizmit dhe gjithë aktorët e fushës.

Gjermeni theksoi gjithashtu se ministria synon të hartojë një masterplan të përgjithshëm kombëtar për turizmin dhe strategjinë 2014-2020, për zhvillimin e turizmit në bashkëpunim me biznesin dhe të gjitha grupet e interesit, si edhe me ndihmën e Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO).

Ministrja Gjermeni theksoi se në fushën e zhvillimit urban, ministria është duke mbledhur mendime dhe sugjerime nga grupet e interesit në procesin përfshirës të konsultimeve për rishikimin e ligjit të planifikimit të territorit, për të dalë me propozime konkrete për një ligj të ri të zbatueshëm nga të gjitha palët dhe për të adresuar të gjitha problemet e evidentuara në ligjin ekzistues.





1 Comment
  1. kukesi says

    vetem Ruset mos i lini te vijn ne shqiperi se asnje europian nuk vjen ne shqiperi

Comments are closed.