“Nata e Muzeve”, tashmë dhe në Shqipëri

Teatër, muzikë dhe art pamor gjatë një nate në Galerinë Kombëtare të Arteve

Rexhep_Ferri_37510Galeria Kombëtare e Arteve i bashkohet për herë të parë 120 qyteteve europiane, të cilët kanë tashmë traditën e “Nata e Muzeve” e praktikuar që nga viti 1997. Kjo histori lindi në Berlin. Të gjithë muzetë e qytetit do të qëndronin hapur për t’u vizituar nga artdashësit deri në mesnatë. Kjo natë u quajt “Lange nach der museen” dhe pati aq sukses sa u kthye në traditë. Kësaj tradite do t’i bashkohet edhe Shqipëria për herë të parë më 29 Nëntor. Gjatë kësaj nate, vizitorët në Galerinë e Arteve do kenë mundësi të shikojnë falas ekspozitat dhe shfaqje të tjera të bashkëlidhura për këtë natë të veçantë. Në këtë mënyrë, piktura, skulptura, video arti, arti alternativ, muzika dhe festa shqiptare do të jenë të prekshme si për ata persona që vijnë për herë të parë në të tilla ngjarje, por dhe për turistët, të cilët do të njihen më nga afër me kulturën tonë kombëtare. Në këtë mënyrë, për Galerinë e Arteve “Nata e Bardhë” kthehet në “Natën e Muzeve”.
Dyert e Galerisë do të hapen dhe të gjitha sallat do të jenë në dispozicion të vizitorëve. Në sallën e ekspozitave të përkohshme vizitorët mund të shohin ekspozitën që vazhdon të jetë e hapur të artistit nga Kosova, Rexhep Ferri “Afër dhe larg”. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Një tjetër hapësirë që mund të vizitohet nga publiku është Linja Muzeore e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve me 5 salla (Salla Fillesat e Pikturës në Qytetet Shqiptare 1883-1930; Salla Shkolla e Vizatimit; Salla Piktura/Skulptura akademike dhe tabloja me temë historike 1950-1986; Salla Realizmi Socialist, ndërtimi i modeleve të njeriut të ri; Salla Piktura Formaliste e Realizmit Socialist 1969-1974). Një kuartet harqesh me repertor klasik do të jetë në ambientet e brendshme të Galerisë. Nuk do të mungojë gjatë kësaj mbrëmjeje të gjatë dhe teatri. Regjisorja Arjeta Dhima dhe trupa e saj do të organizojnë performancën “Një pikë e kuqe”. Ermal Rodi, saksofonisti i mirënjohur do të performojë në sallën e realizmit socialist. Në orët e vona të mesnatës dhe deri ditën tjetër në mëngjes, Art Kontakt dhe TICA do të shfaqin punë artistësh bashkëkohorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë në video, në ambientet e jashtme/brendshme të Galerisë.





Comments are closed.