Politika përçan protestuesit, PD organizon protesta paralele

Ndahet më dysh protesta e ambientalistëve kundër shkatërrimit të armëve kimike

armet-kimikeProtestat e ambientalistëve dhe shoqërisë civile kundër demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, tashmë po shfrytëzohen edhe nga opozita për t’i kthyer ato në kauza të sajat politike. Në një kohë që shoqëria civile dhe ambientalistët po zhvillonin dje protestën e tyre nën moton “Stop Armëve Kimike në Shqipëri”, një tjetër protestë për armët kimike u zhvillua në Tiranë, por kësaj radhe nga përfaqësues të opozitës. Dy tubime janë zhvilluar paralelisht me njëri-tjetrin, njëri në sheshin “Skënderbej” dhe tjetri në krah të Kryeministrisë. Protestuesit kanë marshuar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për t’u bashkuar përballë Kryeministrisë. Deputetë të PD-së, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, si dhe anëtarë të forumit rinor të PD-së e kanë nisur protestën tyre rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, nga ku nisën një marshim nga sheshi para Bashkisë së Tiranës duke marshuar më këmbë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te Piramida, ngjitur me Kryeministrinë, ku u bashkuan me grupin tjetër të protestuesve atë të ambientalistëve dhe shoqërisë civile. Të dyja palët e protestuesve theksuan edhe njëherë rrezikun e madh që vjen nga një asgjësim i mundshëm i arsenalit të lëndëve dhe armëve kimike që mund të vijnë nga Siria në vendin tonë. Përfaqësuesit e AKILH-it (Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese”, do të shënonin një përplasje me Altin Goxhajn nga ZMK-ja, ku protestuesit do të akuzonin njëri-tjetrin për përfshirje të tyre në politikë dhe politizim të protestës qytetare. Dhe me sa duket tashmë, opozita ka rigjetur kauzën e duhur për të nisur punën për të rimarrë forcat e humbura pas 23 qershorit me mitingjet ku pak nga pak, Kryeministri Rama do të lakohet direkt nga protestuesit si ‘mashtrues dhe përfitues’ nga kjo aferë e detyruar e NATO-s. Përfshirja e opozitës në këtë çështje u paralajmërua edhe në protestën e së hënës, ku përveç protestës kundër fenomenit të blerjes së votave në Korçë, demokratët protestuan edhe për heshtjen e qeverisë dhe kreut të saj, Edi Rama, lidhur me qëndrimin e shtetit shqiptar për çështjen e shkatërrimit të armëve dhe lëndëve kimike që janë përdorur në Siri. Ndërkohë, një javë më parë, ishte deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila si ‘qytetare’ iu bashkua protestave të organizatave joqeveritare, teksa nxitoi të sqaronte se kjo protestë e saj nuk kishte lidhje me ndonjë vendim të forcës së saj politike, por vetëm 7 ditë më vonë çdo gjë do qartësohej. H.MESI

Berisha

“Kryeministri mashtroi kur tha se nuk ka vendosur asgjë dhe u tregua cinik kur deklaroi se argumentet me të cilat do merret vendimi do bëjë krenar çdo shqiptar”

Gert Bogdani

Kur ishin vetëm dhjetëra, heshti dhe nuk përfilli! Kur u bënë qindra, nxori Bushatin dhe nuk përfilli! Sot kur protestuan me mijëra, Kryeministri denjoi të bënte sikur fliste!

Protesta

Mëngjesin e sotëm, protesta kundër armëve kimike do të zhvendoset para Parlamentit në orën 09:30, ku organizatorët kërkojnë të sensibilizojnë të gjithë deputetët shqiptarë.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.