“Serbia nuk do të sakrifikohet për 10.000 serbë”

Deklarata

Kryeministri serb Ivica Daçiç kritikon dhunën në Mitrovicë

daciqBeogradi zyrtar u ka bërë thirrje edhe një herë serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhje. Kryeministri Daçiç tha se Serbia nuk është në gjendje të luftojë sërish.

“Më së shumti që mund të garantojë Serbia është krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, u shpreh kryeministri serb Ivica Daçiç, pas takimit të fundit në Bruksel me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi. Ndërsa pas kthimit në Beograd ai u bëri thirrje serbëve të veriut që të dalin në zgjedhjet që do të përsëriten më 17 nëntor, në tri vendvotime në veri të Mitrovicës.





“Nëse nuk dalin në votime, kryetar bashkie në veri të Mitrovicës do të bëhet një shqiptar”, tha Daçiç dhe shtoi: “Atëherë serbët le ta kenë me shëndet!”. Serbët në veri, sipas tij, duhet të dalin dhe të votojnë jo për shkak të qeverisë serbe, por për shkak se aty vendoset për fatin dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Daçiç paralajmëroi serbët se “Serbia nuk do të sakrifikohet për shkak të 10.000 serbëve në veri të Mitrovicës”.

Serbët në veri duhet të bëhen më seriozë, sepse fjala është për ekzistencën dhe jo për çështje statusore. “Serbia po sulmohet për shkak se po i ndihmon serbët e atjeshëm. Ndërkohë që ata nuk e dëgjojnë as Prishtinën dhe as Beogradin, por Partinë Demokratike Serbe (DSS) dhe organizatat ‘Dveri’ apo ‘Obraz’. Çfarë të mbillni, atë edhe do të korrni”, theksoi Daçiç duke shtuar se “do të ishte katastrofë, në qoftë se serbët në veri nuk i marrin të drejtat dhe mundësitë që u ofrohen”.





Comments are closed.