Konferenca: Një rezolutë për trashëgiminë

Mira Skënderi 

Gjirokaster Qafa Pazarit KarakteristikDuhet një ndërhyrje urgjente në trashëgiminë kulturore. Ky ka qenë thelbi i një rezolute të miratuar dje në konferencën ndërkombëtare “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore-potenciale dhe sfida”. Rezoluta u miratua nga përfaqësues të institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore, të cilët e shohin mbrojtjen e trashëgimisë, si një mbrojtje që i bëhet identitetit tonë kombëtar, i cili këto vite ka qenë i dëmtuar dhe rrezikuar. Vetëm dy ditë më parë, projekti REVATO, bëri të ditur vlerën e objekteve historike në qytetet e mbrojtura nga UNESCO si Berati dhe Gjirokastra. “Ndërtimet historike – Monumente  të Kulturës në Berat vlejnë rreth 20,500,000 euro,  kurse në Gjirokastër  afro 58,000,000 euro. Këto shifra kanë dalë nga përllogaritja përpjesëtimore që është bërë mbi bazën e vlerësimit si pasuri e patundshme që i është bërë më se 250 shtëpive nga  rreth 1000 Monumente Kulture që kanë të dyja qytetet shqiptare të UNESCO-s. Vlerësimi është bërë nga dy kompani të specializuara prestigjioze, si pjesë e projektit REVATO – (Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore në qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës), të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar dy vitet fundit nga Fondacioni Gjirokastra. Rezultatet u bënë të njohura në një  konferencë ndërkombëtare “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore – potenciale dhe sfida” që u zhvillua në përmbyllje të këtij projekti. REVATO përfshin një sërë veprimtarish, si identifikimi i pronarëve të banesave Monument Kulture dhe regjistrimi i tyre në bazë të dhënash etj.  Sipas Sadi Petrelës, drejtor i Fondacionit Gjirokastra, qëllimi i këtij projekti ka qenë  të krijohet ndërgjegjësimi në shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe administratës shqiptare, si dhe  donatorëve që menaxhimi i trashëgimisë kulturore kërkon ndërhyrje tërësore dhe gjithëpërfshirëse me shkallë të lartë profesionalizmi, larg çdo improvizimi amatoresk dhe politizimi, apo instrumentalizimi për qëllime që nuk kanë të bëjnë me përdorimin e TK si aset identiteti kombëtar dhe europian, por edhe zhvillimi e punësimi, duke respektuar mjedisin.  Projekti REVATO u zbatua nga fondacioni Gjirokastra me mbështetjen e Bashkimit Europian.

 







1 Comment
  1. Gezim Boda says

    heret po kujtohen.

Comments are closed.