HISTORI FIKTIVE

ELIDOR MËHILLI*

Lajmi se në Shqipëri qenka zbuluar një fjalim sekret i Ramiz Alisë, që vërtetoka parimet e të ashtuquajturës marrëveshje të Katovicës, do të duhej të kishte tronditur gjithë botën ish-komuniste. Një zbulim kaq të rëndësishëm nuk e kanë bërë as rusët vetë. Për të mos folur për polakët (duke qenë se edhe Katovica kaq e përfolur mes shqiptarëve me dell konspirativ është në Poloni). Gazetarët do duhej të kishin mbajtur frymën për në Tiranë, ndërsa akademikët e botës mbarë do duhej të kishin hedhur librat e revistat akademike në koshin e plehrave; gjithë ç’paskan shkruar deri më sot paska qenë e gabuar. Rënia e komunizmit lindor na paska qenë një plan i mirëmenduar nga vetë Gorbaçovi! (Ndonjë qejfli teorish shqiptarçe do duhet të informojë vetë Gorbaçovin për këtë gjë.)

Zakonisht, nuk është e udhës që çdo fabul interneti të trajtohet nga specialistët e fushës; është më praktike të kalohet me një të qeshur. Hulumtimi historik është punë e vështirë dhe e bezdisur; arkivat e komunizmit janë një pirg gënjeshtrash dhe shpesh studiuesi e ka tejet të vështirë të ndajë faktin nga fabula. Realiteti komunist vetë ishte surreal. Kështu që të habit uria e pakufishme për t’u marrë me gjëra të mosqena, në një kohë kur dosjet e arkivave mbledhin pluhur. E qeshura bëhet edhe më e pavend kur shikon sa lehtësisht shpërbëhen kufijtë mes marrëzisë dhe analizës historike, kur dëgjon se si gjithë sistemi komunist (ndoshta edhe galaktika) u shpjegokan nëpërmjet një letre “marrë nga vendimet e Byrosë Politike” (një frazë pa kuptim, për këdo që është marrë sadopak me materialet e KQ PPSH). Nuk ka se si të mos e interpretosh edhe këtë moment si një tjetër shfaqje të spikatur të një bataku intelektual shqiptar.





Ka me qindra studiues amerikanë e europianë që kanë hulumtuar imtësisht kolapsin komunist. (Ka historianë që kanë ndërtuar tërë karrierën e tyre profesionale mbi këtë temë.) Dhe në studimet më të mira mbi rënien e komunizmit dalin në pah dinamikat e paparashikuara që ngjarjet në Europën Lindore patën në Bashkimin Sovjetik. Gorbaçovi, gjithashtu, del si një reformator që kërkonte të përmirësonte sistemin sovjetik – jo ta shkatërronte atë. Përveç këtyre, studiuesit perëndimorë (por jo vetëm ata) na tregojnë se sovjetikët ranë pré e një sistemi varësie që ata vetë kishin ndërtuar në Europën Lindore. Shto këtu edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm si pasojat, shpesh të paparashikuara, të glasnost-it, pamundësia për të kontrolluar informacionin pasi shpërndarja e tij ishte liberalizuar në fund të viteve ‘80, apo edhe besimi i dokumentuar i elitave se sistemi mund të shpëtohej.

Por të merresh me histori serioze, këtu është të mos kuptosh kontekstin shqiptar të fabulave konspirative. Në historinë tonë të vonë, ideja se fati shqiptar përcaktohet në “tavolinat e mëdha”, që nga Londra në Beograd, nga Moska në Uashington, është rrënjosur fort. Mirëpo që të pranosh se Fuqitë e Mëdha kanë qenë tejet të rëndësishme për një vend të vogël e të trazuar nuk do të thotë të shpjegosh gjithë tranzicionin shqiptar – me vrasjet, plaçkitjet, dhe vetëshkatërrimin e tij spektakolar – sikur të ishte një kapitull në librat e Dan Brown-it. Për të treguar se tranzicioni shqiptar na qenka gatuar në kuzhinat – në fakt, anekset – e komunizmit ramizian nuk është e nevojshme të shpikim mbledhje sekrete të paqena e dokumente të dyshimta. Tranzicioni shqiptar nuk kishte si të mos ishte zgjatim i atij sistemi, përderisa sistemi ishte vetë partia-shtet.

Ç’mund të thuash për këtë version të historisë që edhe në shpikje e imagjinatë është po aq i varfër sa një roman i realizmit socialist? Të paktën tre gjëra. Së pari, historia që vazhdon të shkruhet me fabula rrëfen për një injorancë të thellë të çështjeve historike përtej kufijve shqiptarë. Në një vend ku historia është shkruar sipas tekave të pushtetarit të radhës, ku arkivat janë ende vetëm formalisht të hapura, e ku konferencat akademike si ato të Institutit të Historisë janë mirazhe dëshpëruese të konferencave të vitit 1979, kemi arritur në pikën ku historinë praktikisht e kemi kthyer në mall që i përshtatet klientit.

Së dyti, kjo qasje ndaj historisë tregon se vendi vazhdon të jetë i izoluar mendërisht, paçka se Iphone-t e universitetet private krijojnë tjetër imazh. Së treti, tregon se në Shqipëri nuk do të ketë përgjegjësi historike. Ata që kanë pasur pushtetin, thotë fabula, kanë plaçkitur e kanë keqqeverisur jo se kanë qenë të paaftë, injorantë, a të rrezikshëm, por sepse kanë qenë pjesë e një plani të madh djallëzor ndërkombëtar. Kështu, përgjegjësia depersonalizohet. Kur të tërë janë pjellë e një plani djallëzor ndërkombëtar, asnjë nuk mban përgjegjësi për asgjë. Prapësitë shqiptare, për më tepër, humbasin nën vellon e errët të një bote sekrete aparatçikësh komunistë.

Për të kuptuar vazhdimësinë e praktikave komuniste pas vitit 1991 nuk na duhen “dokumente” pa data e pa emra (vini re si trajtohen dokumentet historike për të kuptuar marrëdhënien e një vendi me të kaluarën e tij). Nuk është e nevojshme të ketë pasur ndonjë plan ndërkombëtar për nënshtrimin shoqëror të vendeve komuniste sepse pushtetarët shqiptarë – si ata komunistë, si ata që pasuan – arritën ta bëjnë këtë gjë edhe pa plan. Nuk na duhet më shumë histori fiktive; na mjafton të sistemohen e hapen arkivat që kemi e që i kemi lënë në mëshirë të fatit; të kujdesemi për kulturën materiale që është plaçkitur e rrënuar; e të ndërtojmë institucione të besueshme, që nuk janë thjesht leva në duart e pushtetarit të radhës.

* Asst. profesor, Departamenti i Historisë, Hunter College, City University of New York, SHBA





4 Comments
  1. Skypion says

    Autori i shkrimit shkruan : “Renia e komunizmit na paska qene nje plan i miremenduar nga vete Gorbacovi!”;artikullshkruesi ketu ben ironi me qejflinjte shqiptare te teorive te komplotit. Eshte interesante kjo,sepse nje menyre e tille argumentimi perdoret shpesh,ose nga njerez te leshte ,ose nga njerez qe duan te shmangen nga thelbi i ceshtjes per te cilen debatohet. Askush deri me sot te pakten nuk e ka thene nje gje te tille,sepse eshte budallallek i tepert edhe per me budallen e teorive te tilla.Ajo cka thone ata qe besojne “Katovicen” ,shkurt,eshte kjo: “ne prag te kolapsit te sistemit komunist,Gobacovi dha ca udhezime per komunistet e vendeve te Europes Lindore,sesi do te duhej te pershtateshin dhe te mbaheshin ,si ekonomikisht ashtu edhe politikisht,ne sistemin kapitalist” – pra,kjo nuk ka te beje fare me ate qe thote artikullshkruesi;eshte nje gje krejt e ndryshme;por zoteria e perdor nje marifet te tille,per te ngritur argumentin e tij.
    Interesantja me kete lajm qe po qarkullon keto dite, eshte se ata qe jane kunder ,jane gazetare,publiciste e intelektuale prane se majtes ose te majte.Megjithese,xhaketa e vjeter profesori i nderuar e i rrespektuar ,rrufjani Pellumbi e hodhi kete “pisllek”(nga i erdhi xhanem?!) ,me gjase per te renduar edhe me shume Berishen (por edhe Nanon),keta te gazetare e intelektuale te majte qe thashe nuk e pranojne ,sepse, keta rrufjane te regjur e dine shume mire qe “Katovica” diskretiton te majten socialiste;gjithashtu e dine edhe se Berisha i’u del nga skema “Katovica”;ngado qe ti sillesh,Berisha eshte jashte saj.
    Por,ketu kemi edhe qyfyre tipike shqiptare;keta qe jo vetem nuk besojne tek “Katovica” ,por edhe tallen pa meshire me ata qe e besojne – pikerisht keta besojne tek nje konspiracion tjeter,tek ai i Sigurimit te Shtetit;e besojne rrufjanet,sepse vetem ky lloj konspiracioni e asgjeson moralisht te djathten politike ne Shqiperi, e sidomos perfaqesuesin me te urryer te saj Berishen(nje parti e krijuar nga njerez te sigurimit;nje Sali Berishe njeri i sigurimit etj etj)…!Dhe keta rrufjane ,nen nje etike te rrejshme e te gerbulshme,mundohen te trajtojne gjoja me seriozitet e rigorozitet ceshtje te tilla!
    Kam degjuar qe shpejt per “Katovicen”;sidomos nga te te djathtet ,nga shtypi i djathte;jam shume skeptik;por jo aq skeptik sa keta zuzare me “etike profesionale”,te cilet e mohojne apriori duke e paragjykuar ate,dhe nga ana tjeter besojne teori me Sigurim Shteti.Perfaqesuesi tipik i kesaj mendesie te mbrapshte prej “toni” eshte Ardian Vehbiu,i cili ,me kete rast me kujton ate episodin me te cmendurin tek “Don Kishoti”…

  2. arbri says

    Mor zotri, artikuli e thote shume mire: nxirr nje fakt te vetem qe kjo mbedhje e Gorbaçovit ka ndodhur. Nxirr nje studies serioz qe e ka trajtuar. Gjithe te tjerat jane broçkulla dhe replika juaj eshte komplet e pandershme. Per te mos thene rrufjane.

  3. ervin says

    ndoshta nuk eshte skenar filmi ku zbatohet cdo gje perpikmerisht por trendi i pasurimit te ish-kastes komuniste eshte i vertete.
    po ashtu mosdenimi per krime kunder njerezimit por per kafe i ish-byrose politike eshte qesharak.
    mishmashi i pronave ,demshperblimet e ish te burgosurve jane tregues.
    mund te thuhet edhe se ish-komunistet shfrytezuan pozicionet e tyre per tu pasuruar apo per te nisur biznese ne vitet e para te demokracise.
    sidoqofte ajo qe shohim te revolton.te njejtet njerez ose pasardhes e te aferm te tyre si me telekomande jane ne pozocione kyce qofte politike qofte ekonomike.

  4. Capitan_Albania says

    Arbri,
    Ardian Vehbiut kur i mbarojnë argumentet futet në trillime e dizinformime, të tipit: tjetri beson në teori konspirative. Këtë e bën duke u mveshur të tjerëve fjalë të cilat ata nuk i kanë thënë. Po deformon fjalët e të tjerëve për të përdorur mëpastaj si argument “teorinë konspiirative”.

    Siç thotë më sipër Skypion: “ne prag te kolapsit te sistemit komunist,Gobacovi dha ca udhezime per komunistet e vendeve te Europes Lindore,sesi do te duhej te pershtateshin dhe te mbaheshin ,si ekonomikisht ashtu edhe politikisht,ne sistemin kapitalist” – pra,kjo nuk ka te beje fare me ate qe thote artikullshkruesi;eshte nje gje krejt e ndryshme;por zoteria e perdor nje marifet te tille,per te ngritur argumentin e tij.”
    Ky është thelbi i gjësë.

    Ardian Vehbiu me shokët e vetë “intelektualë të pavarur” dalin tani e u mveshin të tjerëve dhe gjiithë debatit një nuancë të paqenë, atë të hiperbolizimit të fjalëve dhe shkrimeve, duke deformuar dhe nxjerrë nga binarët gjithë debatin.

Comments are closed.