BE: Shqipërisë t’i jepet statusi me mirëkuptim. Kushtet për hapjen e negociatave

Brukseli 

Fyle përmend 5 prioritete që duhet të plotësohen nga qeveria

Këshilli – Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv.

[callout]Pesë kushtet





1. Të vijojë reforma në administratën publike

2. Pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit

3. Masa evidente në luftën ndaj korrupsionit

4. Thellim i luftës ndaj krimit të organizuar

5. Masa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht romët[/callout]

Stefan FuleTashmë është zyrtare, pas lajmeve pozitive që vinin që nga mbyllja e zgjedhjeve të 23 qershorit, Brukseli zyrtar i ka hapur dritën jeshile Shqipërisë për të marrë statusin kandidat pas më shumë se 8 vitesh që nga koha e aplikimit. Komisioni Europian vlerësoi dje se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat, por për të bindur shtetet hezituese anëtare, të cilat vendosin në dhjetor, vendi duhet të vazhdojë veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, ka renditur më pas 5 prioritetet apo kushtet që do të duhet të plotësojë qeveria për të arritur hapja e negociatave për anëtarësim që është hapi i radhës drejt integrimit europian. “Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria shënoi progres të mirë në rrugën drejt integrimit europian, veçanërisht me miratimin e masave të përcaktuara si thelbësore për dhënien e statusit kandidat dhe duke vazhduar reformat e përcaktuara si prioritete kyç në Opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria ndërmori hapa fillestarë në përmirësimin e efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhjet parlamentare të 2013-s u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Në funksion të kësaj, Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusit kandidat, në kuptimin që Shqipëria vazhdon të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fyle. Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusit kandidat, në kuptimin që Shqipëria vazhdon të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas Komisionit, në mënyrë që Shqipëria të hedhë hapin e radhës, çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë plotësisht katër kushtet e mbetura që nga opinioni i vitit 2010. Fyle kujtoi 5 prioritetet që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe bisedimeve, duke theksuar se statusi kandidat dhe hapja e negociatave janë dy çështje të ndryshme. Komisioneri u shpreh se kishte marrë në Bruksel edhe sigurinë nga Kryeministri Rama se ka kuptuar sfidat që e presin. Fyle kujtoi ofertën e bërë për autoritetet shqiptare që të fillojnë një dialog sa i takon integrimit. “Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e reformës për administratën publike; të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore; të bëjë përpjekje më të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë ngritjen gjurmëve të forta të provave në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet; të ndërmarrë masa efikase për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë politikat ndaj Romëve dhe ato antidiskriminuese, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës”, tha Fyle. Për të ardhmen e Shqipërisë në BE, Komisioni e cilëson si thelbësor angazhimin pozitiv të Shqipërisë në rajon dhe si jetësor dialogun e qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit europian.

Në kriterin ekonomik të Kopenhagës, Komisioni vlerëson se Shqipëria vijoi të ruajë stabilitetin makro-ekonomik, por ekonomia vendase mbetet e brishtë dhe e pambrojtur ndaj dobësive të brendshme strukturore dhe ndaj paqëndrueshmërisë ekonomike globale. Mbeten shqetësimet për nivelin e lartë të deficitit buxhetor, borxhin publik dhe parashikimet afatshkurtra të tij, si dhe për kreditë e këqija në sistemin bankar. Raporti i progresit thotë se “parashikimi fiskal duhet siguruar nga ulja e mbivlerësimit aktual të të ardhurave dhe duke e bërë efikase mbledhjen e taksave”. Në përshtatjen e legjislacionit europian, vendit i njihet përparimi në fushat e prokurimit publik, të statistikave, të drejtësisë, lirive dhe sigurisë, si dhe në dogana. Ndërsa progres i kufizuar përcaktohet për të drejtat e autorit, taksat, energjinë, mjedisin e ndryshimet klimatike. Në raportin e progresit kërkohen përpjekje të qëndrueshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimin e legjislacionit për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies.

ARTA TOZAJ

 

[callout]Kreu i Kuvendit

Meta: Kalendar pune për kushtet

“Është një moment i ri inkurajues, nxitës për klasën politike në radhë të parë, për parlamenti , ku çdo ditë mazhoranca dhe opozita takohen dhe ndajnë përgjegjësitë e përbashkëta për mbarëvajtjen e punëve të vendit. E sigurova ambasadorin Sekui se do ta studiojmë me vëmendje këtë raport progresi sipas fushave përkatëse, ashtu sikurse besoj se dhe qeveria do ta bëjë këtë me shumë përgjegjësi dhe do të ndërtojmë një kalendar të punës që do të dëshmojmë arritje konkrete në luftën kundër krimit, korrupsionit për përmirësimit të mëtejshëm të mirëqeverisjes. Jam i sigurt se së bashku do ti fitojmë sfidat e mbetura.”- u shpreh Meta.[/callout]

 

Ish-kryeministri

Berisha: Ramën e ndihmuan albanofobët që janë në Bruksel

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka përshëndetur dje në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook vendimin e Komisionit Europian për rekomandimin për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Berisha shkruan se kjo është hera e dytë që KE-ja rekomandon dhënien e statusit për Shqipërinë, duke shtuar se kjo është meritë e reformave të ndërmarra nga qeverisja e PD-së. Në postimin e tij, Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama si fajtor të bllokimit një vit më parë kur ai drejtonte opozitën. “Ai refuzoi votimin e 3 ligjeve vetëm e vetëm që statusi të bllokohej. Natyrisht, në suksesin e bllokimit të statusit, Rama u ndihmua dhe nga albanofobë jo shqiptarë në Bruksel dhe në ndonjë vend europian. Ligjet u votuan me konsensus me datë 30 maj dhe përsëri nesër Rama me votimin e aktit normativ asgjëson konsensusin e datës 30 maj, në një përpjekje të re antishqiptare për ta shtyrë statusin për më vonë, me qëllim që kjo të mos njihet si meritë e PD-së”, theksoi dje Berisha në “Facebook”.

 





2 Comments
  1. Ervin says

    “pas më shumë se 8 vitesh që nga koha e aplikimit”

  2. emigranti says

    ky eshte vetem nje rrekomandim, madje me pese bishta mbrapa .. rrekomandim nuk do te thot medoemos aprovim … jua kam then, ne 2020 dhe behet apo sbehet …

Comments are closed.