KULTURA DHE IDENTITETI: DUKE DIALOGUAR MES DIFERENCAVE (NDRYSHIMEVE)

Luigi Za*

Jemi këtu në Pogradec, pranë liqenit të bukur të Ohrit, në një situatë të këndshme ndërkulturore: persona të kombësive të ndryshme (kombe që shpesh në histori janë ndarë e kanë pasur grindje) për disa ditë bashkëjetojnë në harmoni duke ndjekur filma, duke shijuar ushqime, duke shkëmbyer lajme, përshtypje e duke komunikuar, dhe kur gjuha kthehet në një pengesë atëherë mjafton një buzëqeshje për t’u rinjohur. Por vlen për t’u kujtuar që kjo është një situatë e jashtëzakonshme, për të cilën duhet të falënderojmë organizatorët e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Në normalitet bashkëjetesa ndërkulturore nuk është kaq e thjeshtë, dhe në këtë ndërhyrje të shkurtër do të dëshiroja të diskutoja se cilët janë ata elementë, ata të cilët mendoj se janë baza e vështirësive, duke nisur nga dy koncepte që duken të thjeshtë, por që në realitet janë të komplikuara: kultura dhe identiteti. Fjalë që përdorim në jetën tonë të përditshme, por që kanë kuptime komplekse, koncepte që duhet të ndihmonin për t’u kuptuar, por që shpesh krijojnë ndasi.

Afërsia territoriale ka detyruar gjithmonë kombet të njihen me njëri-tjetrin, ose të tentojnë të njihen, por historia na ka mësuar që njohjet reciproke kanë kaluar përmes shumë konflikteve: në varësi të momentit historik mund të flitet për shkëmbime ose luftëra, marrëdhënie tregtare ose plaçkitje, për kultura komunikuese ose të një injorimi në vetvete të dhunshëm. Dhe pas gjithë kësaj luajnë, më shpesh, në mënyrë të dyshimtë (ambigue) përdorimi i fjalëve koncept kulturë dhe identitet.

Nisim me termin “kulturë”, një koncept kompleks, në të cilin shpesh krijohet konfuzion në përdorimin e zakonshëm. Ekzistojnë të paktën tri përdorime të zakonshme të termit kulturë.

a) I pari përdorim i referohet asaj çfarë njeriu di – kuptimi më i njohur është “njeri i arsimuar (kulturuar)”, dhe i referohet një personi me një nivel të lartë arsimi: është një kuptim gjerësisht i pranuar dhe nuk krijon probleme.

b) Përdorimi i dytë u referohet niveleve maksimale, ku mendimi njerëzor ka mbërritur, produktet maksimale të njohurisë njerëzore, maja më e lartë e prodhimit intelektual, që një shoqëri arrin në një periudhë të caktuar historike (kulturë me K të madhe): për shembull Kultura e rilindjes italiane, Kultura iluministe franceze, Kultura e rilindjes shqiptare, Kultura e shkollës së Onufrit etj., që në përdorimin e këtij termi fillojnë të lindin konflikte (të gjeneruara nga keqkuptime dhe nacionalizma të kota) nëse njëra është më superiore se tjetra, duke mos konsideruar që zhvillimi i një kulture është një koincidencë/sintezë ku një popull a komb arrin në një periudhë të caktuar historike.

c) Ekziston dhe një kuptim tjetër më i gjerë i termit kulturë – i krijuar dhe i përdorur në shkencat shoqërore – me të cilën tregohet gjithë mënyra e të jetuarit në një shoqëri (ose të një grupi shoqëror). Në këtë kuptim të gjithë njerëzit kanë një kulturë, është për t’u vendosur cila, në shoqëri të ndryshme, por dhe në grupe të ndryshme shoqërore. Kultura, në këtë kuptim, përfshin të gjitha produktet njerëzore të ndara (shpërndara) në një shoqëri (ose të një grupi shoqëror), sepse kanë dhe një kuptim shoqëror.

Produktet njerëzore janë të dy tipave, materiale dhe jo materiale. Me kulturë materiale do të kuptohen të gjitha objektet që njerëzit prodhojnë dhe të cilave ju japin një kuptim (nga anija kozmike te karrigia, te tavolina, te kompjuteri etj.). Por jo të gjitha objektet kanë kuptim në të gjitha shoqëritë, për shembull lapsi nuk ka kuptim në një shoqëri që nuk e njeh shkrimin.

Kultura jo materiale (ose simbolike) nënkupton të gjitha produktet abstrakte në një shoqëri, por jo më pak të rëndësishme, si gjuha, idetë, besimet, por edhe muzika dhe produktet e tjera të kreativitetit. Pika më e lartë e abstragimit janë vlerat (ato që konsiderohen të drejta, të dëshirueshme, të mira, të bukura, për t’u arritur).

Dhe ky kuptim është dhe më i komplikuari (më konfliktuali) mbi të gjitha kur i referohet ndërkulturës, sepse kultura (dhe vlerat) ndryshojnë në epoka të ndryshme historike, si dhe në shoqëri të ndryshme, si dhe mes popujve të ndryshëm, si mes grupeve të ndryshme shoqërore (të rinj/të vjetër, të shkolluar/të pashkolluar, të pasur/të varfër, mes atyre që jetojnë në qytet/dhe në fshat).

Të gjithë lindim në një kulturë dhe në të ne mësojmë sjelljet, modelet kulturore që na orientojnë në shoqëri: njeriu lind në një kulturë që influencon gjithë jetën e tij dhe që konkretizohet në jetën e përditshme.

Kjo është e rëndësishme, sepse pa modele kulturore një numër i madh individësh do të ishte i humbur në kohë e në hapësirë dhe asnjë grup nuk mund të mbijetonte nëse do të humbte specifikën e tij për të trashëguar dhe elaboruar kulturën. Por kjo është edhe nyja lidhëse e bashkëjetesës: ata përfaqësojnë kultura të ndryshme, pra vlera të ndryshme, për pasojë kjo mund të shpjerë në moskuptime, nëse nuk jemi të disponueshëm për të kuptuar diversitetin dhe duke theksuar ngjashmëritë.

Dhe tani flasim për identitetin, një koncept që sot ndihem në siklet kur e përdor. Thuhej që identiteti krijohej në periudhën e adoleshencës: kjo ishte e vërtetë në shoqëritë tradicionale “të mbyllura” (në botën rurale, pastorale, por edhe në borgjezitë e vjetra) kur normat e transmetuara dhe vlerat ishin të ngurta e të padiskutueshme dhe eksperiencat e reja shumë të limituara; por se identiteti ndryshon me eksperiencën e përditshme, sot jetojmë mes shumë mundësive për të pasur eksperienca, disa direkte, disa të transmetuara nga mediat. “Natyra njerëzore” është shume fleksible, kështu që identiteti është produkt i ndërveprimit mes pasurisë sonë gjenetiko-kulturore dhe eksperiencave të mësuara në momente të veçanta historike të jetuara. Prandaj sot preferoj të flas për identitetin si një “bricolage”, një kompozicion variabël që ka si element fragmente të ndryshme të eksperiencave të reja dhe të vjetra, materialeve simbolike, me të cilat vihemi në kontakt, veçanërisht të rinjtë.

Mund të më kundërshtohet, se ky afirmim mund të sjellë një shkatërrim të identitetit. Mund të përgjigjesha se humbja e identitetit të vjetër nuk është e thënë që është gjithmonë negative: është një proces që liron nga skoriet tradicionale duke na lejuar të rigjejmë veten duke dialoguar me të tjerët.

Ekzistojnë gjithashtu të ashtuquajturat identitetet kolektive ose dhe më keq nacionale: një koncept që në nivelin teorik mund dhe të diskutohet, por përdoret vetëm për t’iu kundërvënë të tjerëve. Është kërkimi i pafrymë i një identitetit që çon shpesh në mohimin e identiteteve të tjera, sidomos sot kur identitetet janë të menaxhuara për qëllimet politike dhe të tregut. Idetë e kërkuara në një keqkuptim të historisë, në nënvizimin e diferencave dhe supremacive: nëse do të ishte kështu do t’i jepnim të drejtë një shkrimtari francez (R.Quenau), i cili mbështeste se “Historia është hidhërimi i njeriut”. Por historia mund të shihet si një moment ndarjesh ose harmonish të reja: unë mendoj që historia me të gjithë dramat e saj, duhet menduar si një evolucion i njerëzimit dhe si një takim mes popujve. Sot flitet për “shoqëri kulturore kundërshtare” që shpesh prodhojë “identitete kulturore kundërshtare”, flitet në nivel shkencor, por veçanërisht në nivelin politik dhe nga mediat: e atëherë si mund të mos i jepet të drejtë një mikut tim gjerman (K.Homuth) që shkruante “Identiteti kulturor ekziston akoma vetëm si një eksperiencë e një humbjeje”.

Duke përmbyllur, jemi sot këtu në Pogradec dhe ndihem në anën e duhur të historisë të mentaliteteve, në atë pjesë të njerëzimit që aspiron ndryshimin që kërkon kontaktin me tjetrin dhe me atë që është tjetërkund: është bukur, është një hap përpara, por nuk mjafton.

Atëherë mund të na ndihmojë utopia e të pasurit një ëndërr. Ëndrra ime është: shumë liqene të Ohrit në të gjithë botën që bëjnë të mundur takimin dhe dialogimin e kulturave, pa paragjykime, përgjatë kohës së tashme ashtu si ka ndodhur në eksperiencat më të mira të së shkuarës.

Dhe më pas një skermë e madhe, aq e madhe sa mund të shihet për mijëra e mijëra kilometra, në të cilën projektohen jetët dhe historitë e njerëzve të thjeshtë, gëzimet dhe hidhërimet, kënaqësitë dhe dhimbjet e tyre, aspiratat e tyre dhe ndjenjat e tyre, aftësitë e tyre, pra me pak fjalë jetën e tyre të përditshme historitë e tyre, dhe do të shohim se sa të ngjashme do të jenë.

Natyrisht është një metaforë e lidhur me ëndrrën, por ndonjëherë ëndrrat i paraprijnë realitetit, dhe ndihmojnë që të konkretizohet.

Dimë se historia e njerëzve (dhe atyre të afërt) është e bërë nga shenja shpesh të vështira për t’u “lexuar” dhe shpesh të keqkuptuara, të lexuara me lenten e gabuar të paragjykimit, por ne duhet të mësojmë të “lexojmë” sërish për të mbushur boshllëqet e njohurive tona. Duke e bërë së bashku, kjo mund të sjellë ndryshimin mes raporteve ndërmjet popujve, mund të jetë gati revolucionar, por edhe e pëlqyeshme siç po ndodh këtu në Pogradec në liqenin e Ohrit.

 

*Autori është profesor i sociologjisë në Universitetin e Salentos në Itali. Ky referat është mbajtur në Festivalin Ballkanik të Filmit në Pogradec nga 2-7 shtator 2013. Përktheu: Besmir Vokopola









Comments are closed.