Jeta në fotot e Çarlit

Fototeka private “Sotir”, drejt inventarizimit dixhital/ Një rrugëtim në jetën e Kristaq Sotirit, fotografit që la studion e artistit të njohur amerikan Georges Steckel për të punuar në qytetin e tij, Korçën. 12 mijë xhama fotografikë sjellin një rrëfim që nis nga viti 1900, e deri kur mbylli sytë përgjithmonë më 1970-n

Kur Georges Steckel (fotograf i njohur amerikan), pa për herë të parë një foto të realizuar nga djaloshi i ri, që fliste një anglishte të ngadaltë, e pranoi menjëherë të punonte në studion e tij. Personazhet e fotografuara nga i riu që vinte nga Shqipëria, nuk ishin thjesht personazhe, por mbartnin brenda historinë. “Një foto nuk mund të jetë e bukur nëse ajo nuk flet”. Stenckel shprehej kështu, sa herë donte të shpjegonte magjinë e fotove që realizonte. Dhe i riu shqiptar e kishte kuptuar këtë, shumë kohë para se ta dëgjonte çdo ditë nga goja e Stenckel. Në Amerikën e viteve 1900, kur Kristaq Sotiri, vetëm 20 vjeç nga Korça mbërriti për një jetë më të mirë, fotografia ishte një art i cili kishte nisur të eksploronte rryma të reja. Që kur ishte një adoleshent ai kishte ndjekur me kujdes fotot e realizuara në studion e kunatit të tij, patriotit të njohur korçar, fotografit Kristo Solidhi. Ai do të kalonte orë të tëra në studio, duke ndjekur gjithë procesin e realizimit të fotove. Por, ndryshe nga Solidhi, Sotirit të ri i pëlqente të fotografonte portrete njerëzish të zakonshëm. Korçarë të ndryshëm që hynin në studio për të realizuar një foto, do të preferonin të fotografoheshin prej tij. Ndoshta se portretet e shkrepura në aparat nga Sotiri kishin aq shumë jetë. Në një foto dikush mund të zbulonte një pjesë të fshehtë të karakterit të tij, shfaqur ashtu fare lehtë. Aftësinë për të zbuluar karakteret, Sotiri e mori që në rininë e hershme në atë studio të thjeshtë në qytetin e Korçës. Ndërsa nga mjeshtri Steckel, të cilin pati fatin ta njohë nga afër dhe të punojë për të, mësoi teknikat dhe ca leksione të vyera për fotografinë. Jeta në SHBA do të ishte një jetë e mbushur plot pasion e ëndrra për Kristaq Sotirin. Për miqtë amerikanë, apo dhe për shqiptarët që takoi atje, ai ishte Çarli (pseudonimi i tij në SHBA). Një emër i frymëzuar nga kinemaja amerikane, por edhe nga personazhet që hynin në studion e Georges Steckel. Nju Jorku dhe Los Anxhelosi, dy vendet ku Çarli jetoi për disa vite, do të krijonin një tjetër njeri brenda tij. Një njeri të lirë, i cili përqafonte çdo ide apo mësim që do t’i vlente në kthimin që do të kishte më pas në Shqipëri. Ditët e lira në SHBA do të përfundonin në vitin 1923, kur ai vendos të kthehet në Shqipëri për pak kohë, pa e menduar se do të mbetej këtu përgjithmonë. Korça e tij e dashur nuk kishte ndryshuar shumë nga koha që ai e kishte lënë. Rrugët dhe njerëzit ishin për të një frymëzim i vazhdueshëm. Ai ngriti një studio modeste, afër Mitropolisë në qytet ku gjendet edhe sot. Në këtë studio ai do të punonte me orë të tëra gjatë ditës, bashkë me mikun e tij, piktorin e njohur Vangjush Mio. Në këtë qytet, miqësia me Mion, i cili kishte studiuar jashtë Shqipërisë, dhe kishte një koncept përparimtar për artin, do të ishte diçka që do ta ndihmonte Sotirin t’i kishte më të lehta ditët në Shqipëri, sidomos pas viteve 1945. Gjatë kohës së komunizmit, ai do t’i përkushtohej më shumë portretit. Nuk ka banor të qytetit të Korçës që nuk ka një foto të realizuar prej tij. Fotot kanë personazhe nga më të ndryshmit. Veç personaliteteve dhe familjeve të nderuara, ushtarakëve apo personaliteteve të kohës, Kristo Sotiri fiksoi edhe pamjet e kurbatkave (romeve), endacakëve, banorëve të rëndomtë të qytetit duke sjellë foto reale. Familja shqiptare dhe emigracioni janë pjesë e fotove të realizuara nga Sotiri. Shumë nga fotot e tij bëheshin nga familje korçare, të cilat kishin pjesëtarë në emigracion në Amerikë. Ngjarje mortore apo evenimente familjare të fiksuara në foto postoheshin për të shkuar dy apo tre muaj më vonë në Amerikë e për të njoftuar djemtë emigrantë për ngjarje të rënda apo të gëzuara të familjes. Sotiri dashuronte natyrën. Bashkë me mikun e tij Mio, ata udhëtonin nga Korça për në Pogradec për të pritur agimin. Në koleksionin e tij fotografik, natyra nuk mungon. Pas vdekjes së Sotirit në vitin 1970, fotot mbetën ashtu siç ai i kishte prekur për herë të fundit. Ato po skanohen dhe po punohet për t’u bërë inventarizimi i dixhitalizuar për secilën, me qëllim regjistrimin e çdo fotoje që është trashëgimi kulturore dhe pjesë e historisë së Fotografisë Shqiptare. Ky projekt po realizohet me mbështetje financiare të disa familjeve të nderuara shqiptare, që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë vite më parë. Sot fototeka private “Sotir” përbëhet nga mbi 12 mijë xhama fotografikë të realizuara kryesisht në qytetin e Korçës nga fotografi Kristaq Sotiri. Ky artist e ka realizuar punën e tij në gjysmën e parë të shekullit të XX. Ai ka vlera të veçanta të mjeshtërisë artistike e po kështu është një nga dëshmitarët e artit, qytetarisë, historisë së emigracionit, kulturës dhe traditës së Korçës dhe trevës përreth. Projekti “Inventarizimi i Fototekës Private Sotir Korçë” u ideua dhe po zbatohet nga fototeka “Sotir”, Instituti Shqiptar i Shkencave AIS dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Qëllimi i këtij projekti është ruajtja, evidentimi, regjistrimi dhe promovimi i një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Përmbajtja e imazheve është dëshmi e qytetarisë, traditës, nacionalizmit dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Korçës në fillimshekullin XX. Ky arkiv i çmuar u la në harresë në kohën e monizmit. Po njësoj ka munguar vëmendja nga institucione shtetërore, lokale apo qendrore. Vlerat e kësaj fototeke janë të ngjashme edhe me fototekën “Marubi”, por vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi ka qenë plotësisht e munguar. Projekti nisi një vit më parë me përpjekje konkrete për sigurimin e një fondi modest për të mbuluar shpenzimet për procesin e skanimit dhe inventarizimit. Përpjekjes së Institutit Shqiptar të Shkencave iu përgjigjën pasardhës të familjeve të njohura korçare që kanë emigruar në SHBA. Louis dhe Linda Fundo; Albert Fundo; Diane dhe Perry Pero; Richard dhe Viosa Lukaj; Philip dhe Sally Giantris; Nicholas dhe Dorothy Vangel; Jason George; Mark Fundo; Steven Fundo; Lauren Fundo, janë ata që kanë kontribuar për të risjellë dhe një herë në jetë Sotirin.

[callout]Ka lindur në vitin 1883 në Mborje. Ai qëndroi atje për një vit dhe pastaj familja u vendos në Korçë. Në moshën 17-vjeçare, ai ka punuar te kunati i tij, Kristo Solidhi, që ishte një patriot dhe një fotograf i vjetër korçar. Në vitin 1900, Kristaq Sotiri shkon në Amerikë për t’u kthyer më 1923, pasi kishte punuar për disa vite edhe në studion e një fotografi të madh të kohës, Georges Steckel. Ky ishte mjaft i dëgjuar në Amerikë dhe kishte marrë rreth 12 medalje ndërkombëtare në evenimente të ndryshme. Çarli (pseudonim për Sotirin) vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 1923. Në fakt, erdhi për pak kohë, por fati i keq e solli që ai të mos largohej më nga vendi. Për 23 vite kishte qëndruar jashtë atdheut. [/callout]

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Ligor Luarasi says

    Artist i lindur Z. Kristaq Sotiri eshte nje nga ikonat e artit figuatif jo vetem Korcar por edhe mbarekombetar.

Comments are closed.