Ekonomia amerikane përshpejton rritjen

Vendet e punës po shtohen duke krijuar një panoramë më pozitive për lokomotivën e botës

ekonomia amerikaneRritja ekonomike e SHBA-së u përshpejtua papritur në tremujorin e dytë të këtij viti, duke vendosur themele më të forta për pjesën e mbetur të vitit, gjë që mund të shtyjë Bankën Qendrore të vendit, Rezervat Federale, të zvogëlojnë sasitë e dollarëve të rinj të hedhur në qarkullim në programin e stimulit monetar.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 1.7 për qind në krahasim me një vit më parë, një rritje e konsiderueshme në krahasim me tremujorin e parë prej 1.1 për qind.

Ekonomistët e pyetur nga “Reuters” patën parashikuar rritje prej vetëm 1 për qind. Një raport tjetër bëri të ditur se punëdhënësit privatë ruajtën një ritëm të lartë punësimesh të reja në korrik, gjë që krijon një panoramë gjithnjë e më pozitive ekonomike.

“Ne kemi një surprizë pozitive, e cila flet për volumet e rimëkëmbjes së vendeve të punës. Rimëkëmbja e ekonomisë ka filluar”, tha Andre Bakhos, një analist tregjesh në Nju Jork. Çmimet e borxheve të SHBA-së shënuan rënie pas publikimit të të dhënave, ndërsa dollari u përforcua kundrejt monedhave të tjera. Bursat nuk pësuan ndryshime.

Rritja e shpenzimeve të biznesit, e eksporteve dhe reduktimi i pushimeve nga puna nga ana e qeverisë sollën përmirësimin e rritjes ekonomike për periudhën prill-qershor, gjë që kompensoi një rënie të vërejtur te shpenzimet konsumatore, si dhe te shtimi i inventarëve të mallrave nëpër magazina.

Megjithatë, rritja ekonomike vijon të jetë nën 2 për qind, shifra që konsiderohet si limiti minimal. Me rritje nën 2 për qind, papunësia në SHBA nuk pakësohet. Por shpresat janë që pjesa e mbetur e vitit të jetë më pozitive ndërsa pesha e shkurtimeve buxhetore të ndërmarra nga Uashingtoni për të reduktuar deficitin po lehtësohet.

Zyrtarët e Rezervave Federale po mendohen për të ardhmen e programit të blerjes së aseteve me vlerë 85 miliardë dollarë në muaj. Ky program mund të fillojë të zvogëlohet. Blerja e aseteve duke përdorur dollarë të prodhuar rishtas, të cilat në kushtet e ekonomisë moderne janë vetëm impulse elektronike, bëhet me synimin për të furnizuar me para ekonominë dhe për të rritur punësimin. Këto para kthehen në inflacion më vonë.

Ndërkohë, mësohet se qeveria amerikane ka kryer disa ndryshime në mënyrën e vlerësimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjë që ka nxjerrë një panoramë më pozitive nga sa mendohej më parë. Për shembull, shpenzimet për kërkim dhe zhvillim tashmë do të llogariten si investime ndërsa përfitimet e planeve të pensionit do të llogariten mbi bazën aktuale (kur merret impenjimi) dhe jo me bazë kesh, (kur kryhet në fakt shpenzimi).

Taksat më të larta të vendosura nga Uashingtoni në përpjekje për të zvogëluar deficitin buxhetor kanë kufizuar shpenzimet konsumatore gjatë tremujorit të dytë. Kjo gjë ka sjellë edhe inflacion të ulët çmimesh. Ndërkohë bizneset shtuan 200 mijë vende pune në listëpagesat e tyre në korrik, pasi patën punësuar 198 mijë të tjerë në qershor.









Comments are closed.