Kanadezët marrin lejen për 2.3 tonë ar

Rezerva afër Lezhës

Zbulohet oponenca e Shërbimit Gjeologjik për licencën e kërkimit, miratuar nga QKL

61 Raste – Sipas analizave të përbërjes së mostrave në atë zonë, u dëshmua se në 61 raste ka rreth 1 gram ar për ton

94% Shansi – Ari gjendet në kokrra të veçanta lidhur me sulfite, me shanse 94% për t’u veçuar nga procesi i trajtimit

1.6 Ton – Sipas Këshillit Botëror të Arit, në raportin vjetor të 2012-s, Shqipëria mendohet të ketë rreth 1.6 tonë ar

ARD KOLA

miniereAshtu si njoftimet e rezervave për disa miliardë fuçi nafte, të cilat “lëvizin” bursat, për kompanitë e listuara që i publikojnë, ngjason edhe miratimi i licencës së fundit, dhënë nga qeveria për një shoqëri kanadeze, kësaj here për kërkimin e arit, në një zonë pranë Mirditës. Gazeta “Shqip”, një ditë pas publikimit me detaje të projektit, zbulon kopjen e raportit të oponencës, hartuar nga Shërbimi Gjeologjik, drejtoria e Shkodrës, për studimet dhe aplikimin e lejes së kërkuar nga shoqëria “JAB Resources”, në sektorin e mineraleve. Bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 50 km katrorë, në Veri të vendit, rreth Lezhës dhe Mirditës, nga ku janë konstatuar përqindje të konsiderueshme pasurimi me metal ari.

Pikërisht mbi këto studime dhe projekte, shoqëria kanadeze “Arian”, arriti të siguronte licencën nga qeveria shqiptare, përmes QKL-së, për të kërkuar ar në disa zona, ku vlerësohet se ka rezerva të konsiderueshme me metalin e çmuar.

Në dokumentet zyrtare, thuhet se në vendburimin Gjazuj, janë të konfirmuara rreth 3.4 tonë ar, që të konvertuar me vlerën e tregut, sipas bursës së Nju Jorkut, janë afro 101 milionë dollarë.

Kompania “Arian”, e cila njoftoi para disa ditësh marrjen e licencës dhe nisjen e punimeve, do të shtrihet në disa zona, përreth Lezhës dhe Mirditës. Sipas drejtorit të saj, pas përfundimit të programit të shpimit, një vëzhgim gjeofizik është ndërmarrë edhe në zonën e Gjazujt. Ky studim, sipas “Arian”, zbulon praninë e një numri të madh anomalish gjeofizike, jo vetëm në Kaçinar në Mirditës, por tashmë edhe në vendburimin e Gjazujt, pranë Komunës Ungrej, Lezhë. Por çfarë thotë Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për këtë zonë të pasur me ar?

Vendburimi

Ky vendburim lokalizohet në shkëmbinjtë vullkanikë bazikë, në brezin ofiolitik perëndimor. Në sektorin e Gjazujt, spikat zhvillimi i serisë damarore me përbërje bazike, që përfaqësohet nga gabro–diabaze, që shpesh bashkëshoqërohen me mineralizim kuarc-sulfur. Seria damarore e mineralizuar ndiqet në shtrirje 100-1000 m, në rënie deri 100 m. Ajo ka trashësi që lëkundet nga 1-40 m. Vlerat e ngritura të arit lidhen me praninë e arsenopiritit. Në studim thuhet se, në tërësi, ari ka shpërndarje heterogjene dhe lëkundet nga 0 deri dhjetëra gr/ton. Përmbajtja më e lartë në vendburim është 140 gr/ton. Ari është i lidhur me sulfuret, por takohet edhe në gjendje të lirë. Më konkretisht, në këtë vendburim, janë llogaritur rezerva ari 2434.7 kg me përmbajtje të arit 3.3 gr/ton.

Puna paraprake e testit metalurgjik tregoi se 94 për qind e arit mund të ndahet në një koncentrat sulfur duke përdorur proceset standarde. Ari gjendet në kokrra të veçanta lidhur me sulfite. Nisma për marrjen e licencës u ndërmor fillimisht në datat 12 prill-21 maj 2013, kur kompania “Arian” kërkoi lejen për kërkime dhe bëri njoftimet mbi ecurinë e çështjes. Licenca e kërkimit është dhënë në përgjigje të kërkesës së bërë nga “Arian” në lidhje me projektin e “JAB”-it për kërkimin e arit në zonën e Kaçinarit në Shqipëri. “JAB Resources SHPK” është në pronësi të “Arian”, dhe kjo shoqëri, më herët kishte aplikuar për shtyrje të afatit të lejes.

Kriza dhe leja

Kanadezët aplikuan për leje të re minerale në fillim të vitit, nisur nga disa faktorë që lidheshin me krizën dhe pamundësinë e realizimit të objektivave në planin e investimit. Te dokumenti i oponencës, nuk thuhet me saktësi se cila është vlera e investimit të realizuar në tre vitet e licencës nga “JAB”, por thuhet në njërën pjesë për shpenzime të kryera me 1 milion dollarë, dhe më tej, për shifrën 7 milionë.

Kompania thotë se bazuar mbi rezultatet e studimit gjeologjik, gjeokimik dhe gjeofizik, “Arian” ka zbuluar atë çka mund të konsiderohet si rripi i rezervave të arit. “Lëvizjet tektonike dhe ndërhyrëse në këtë zonë mund të kenë çuar në krijimin e depozitave të arit. Ata që njihen si shkëmbinjtë e gjelbër, në të cilët ndodhen depozitat e arit, përbëjnë 13% të produktit të përgjithshëm të arit”, thotë shoqëria. Brenda kësaj zone, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka përcaktuar më parë gjashtë zona në të cilat ka sedimente anormale. Kompania ka testuar hapësira të vogla (400 metra me 200 metra) ku janë të shfaqura këto anomali gjeokimike dhe u zbuluan nëntë rripa që mbanin kuarc karboni dhe squfur në një shtrirje katër metra gjerësi me mesatarisht 2.7 gramë ar për ton.

 

Kompanitë,

Vijnë dhe ikin nën ethet e arit

Nuk janë vetëm kanadezët që kërkojnë ar, por disa vite më parë, një tjetër shoqëri, “Tirex”, ushtroi aktivitetin në këtë sektor. Problemi qëndron në faktin e rezultatit të këtyre kërkimeve, pasi flitet shpesh për rezerva të konsiderueshme, por në fund të fundit pyetja shtrohet: Sa fiton shteti shqiptar. Nëse ka vërtet ar, kjo mbetet për t’u verifikuar, por ajo që bie në sy dhe mbart dyshime është aktiviteti i kompanive, gati të panjohura, që për koincidencë, vijnë nga Kanadaja. Rreth dy vjet më parë, një tjetër shoqëri, “Golden Touch Resources”, deklaronte se kishte gjetur ar në vendburimet në Veri të Shqipërisë, po në Mirditë.

 

VKM-ja

METE, kritere të reja për caktimin e zonave minerare

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë (METE), qeveria miratoi më 27 qershor, një javë pas zgjedhjeve, kriteret e reja për përcaktimin e zonave të lejuara minerale, në lidhje me marrëveshjet koncesionare. Kështu, sipas pikës 1, në rastin kur një e drejtë minerare jepet me koncesion, zona e lejuar minerare përfshin sipërfaqen e shprehur në koordinata për tërësinë e trupave, punimeve dhe objekteve ekzistuese minerare në momentin e dhënies të së drejtës minerare me koncesion dhe tërësinë e trupave dhe objekteve sipas vazhdimësisë së trupave minerare që shfrytëzohen në mënyrë racionale nga punimet kapitale minerare, të miratuara në kuadrin e marrëveshjes koncesionare dhe sipas punës kërkimore zbuluese të realizuar më pas nga koncesionari. Leja përfshin gjithashtu edhe burimet minerare që janë në vazhdimësi dhe/ose të trupave dhe objekteve minerare të së

njëjtës strukturë minerare të vendburimit minerar, që përfshijnë tektonikat, tektonikat shkëputëse etj., duke mundësuar shfrytëzimin racional dhe eficent në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Me qëllim lejimin e veprimtarisë minerare dhe plotësimin e programit koncesionar në

zonën e lejuar, të përcaktuar sipas shkronjës “a” të këtij vendimi, ministri që mbulon çështjet minerare pajis koncesionarin për herë të parë me leje minerare, bazuar në procedurat standarde përkatëse për përgatitjen dhe paraqitjen e dokumentacionit për pajisjen me leje minerare.

 

Reagimi

Konfindustria: Dëmton klimën e investimeve, kemi rastet e arbitrazheve

Biznesi: Kujdes me rishikimin e kontratave koncesionare nga PS

Një ditë pasi mazhoranca e re publikoi disa detaje të programit qeverisës të 300 ditëve të para, ku ndër të tjera është planifikuar rishikimi i kontratave koncesionare dhe madje dy prej tyre janë shënuar me rreth të kuq, vjen reagimi nga sektori i biznesit.

Konfindustria, duke marrë shkak nga deklarimet e fundit të përfaqësuesve të koalicionit fitues të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, përgjegjës në përgatitjen e programit qeverisës për rishikim te të gjithë koncesioneve të deritashme, kërkon mbajtjen e një qëndrimi të kujdesshëm dhe profesional gjatë procesit në fjalë. “Duke shprehur mbështetjen e plotë ndaj mbrojtjes së domosdoshme të interesit publik në lidhje me procedurat e dhënies dhe mënyrës së zbatimit të koncesioneve të përfituara në fusha të ndryshme të ekonomisë kombëtare, njëkohësisht kërkohen që çdo rishikim i politikave të ndjekura deri më tani të mbështetet me çdo kusht në marrëveshjet ligjore ndërmjet palëve”, deklaron Gjergj Buxhuku. Sipas tij, qeveria e dalë nga zgjedhjet e fundit duhet të jetë profesionale dhe e paanshme në vlerësimin e politikave koncesionare të ndjekura nga qeveria paraardhëse.

“Në këtë kuptim, çdo veprim i nxituar dhe jo profesional i sotëm në emër të qeverisë së ardhshme shqiptare ndaj politikave koncesionare edhe nëse do të niset nga qëllimi i mirë i mbrojtjes se interesit publik, do të ishte një goditje e rëndë për investimet, sidomos ato të huaja”, vijon më tej reagimin administratori i Konfindustrisë. Buxhuku i kujton mazhorancës së re, se në jo pak raste shteti shqiptar është penalizuar për ndërprerje të njëanshme të kontratave me investitorë të huaj. Rasti i fundit lidhet me gjobën prej më shumë se 20 milionë euro për prishjen e njëanshme të koncesionit të hekurudhës Tiranë-Durrës.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. besnik halili@w.cn says

    o zot po si ja leni ne dore te kompanive te huaja kete pasuri kombetare …..NUK ka kompani shqiptare qe te bejne kerkime gjeologjike ne vendin e vet dhe ta zhfrytezojn ne te miren e vendit te vet…..

Comments are closed.