Anmdamion Murataj/ Koha për një histori të re

Pas suksesit me filmin “Falja e gjakut”, skenaristi kthehet sërish në Shqipëri për të realizuar një film për burrneshat… Roli i femrës në shoqërinë shqiptare dhe cila duhet të jetë e ardhmja e kinemasë

fatimexhediaFatime Xhedia, nga Tropoja tashmë po i afrohet të 80-tave. Pantallonat e gjata dhe këmisha e mbërthyer deri afër fytit, zëri i trashë dhe flokët e prerë shkurt, puna me vite në minierën e kromit i kanë dhënë më shumë jetë elementit burrëror tek ajo. Por duart që shtrëngon fort në shkop, duket se nuk i kanë humbur damarët e kaltër të gruas, që Fatimja prej shumë vitesh është munduar ta fshehë… Historia e saj, është vetëm një nga historitë e dhjetëra grave në veriun e Shqipërisë që u detyruan të ktheheshin në burra dhe të mbanin gjallë derën e shtëpisë… Andamion Murataj ka qenë gjithnjë i tërhequr nga historitë plot sekrete të këtyre grave që kur lexoi për herë të parë për to. Audicionet me filmin “Falja e gjakut” në veri të vendit, ku pjesa më e madhe e të rinjve rriteshin me mungesën e prindërve emigrantë, nga të afërm, ndezi tek ai shkëndijën e parë për skenarin e ardhshëm… “Burri i shtëpisë” quhet filmi më i ri që ka sjellë sërish skenaristin e “Ariut të argjendtë” në Tiranë, për t’i dhënë jetë projektit për këtë film. Më poshtë Murataj bën një rrëfim për “Shqip”.

Përse jeni në Shqipëri?



Unë sapo jam kthyer në Shqipëri për zhvillimin e një projekt te ri këtu dhe kësaj radhe rruga për të ardhur këtu më ra nga Italia, ku projekti im ishte fituesi i përzgjedhur në një nga workshop-et më të rëndësishëm në Europë për zhvillim skenari të udhëhequr nga “Equinox Europe”, organizatë ekuivalente e “Sundance Labs” për Europën dhe të organizuar në kujdestarinë e “Puglia Film Commission”, i cili është ndër agjencitë më aktive të filmit në Itali. Ideja është që të atraktohen projekte filmike cilësore nga disa prej skenaristëve dhe regjisorëve të rinj më të suksesshëm në botë. Projektet e përzgjedhura ishin nga Australia, Zelanda e Re, Anglia, Franca e deri në Amerikë. Nën  përkujdesin e drejtimin artistik të disa prej skenaristëve më të suksesshëm në botë, filmat e të cilëve kanë fituar disa herë çmimin “Oscar” të tillë si James V Hart, ndër të tjerë skenarist  i “Drakula” i Francis Ford Copolas nderuar me 3 “Oscar” dhe Hook të Steven e Spilberg nominuar me 5 “Oscars”, David Magee skenarist i filmit  “Life of Pi” të nderuar me 4 Oscar në 2012 dhe Chris Voglere akademik dhe analist skenarësh dhe autor i librit të mirënjohur “Writer’s journey”, si dhe Clare Dobins ndër analistët e skenarëve më të njohur në botë dhe zv-presidente e Equinox Europe. Unë isha i nderuar që ndër dy projektet fillestare nga SHBA u përzgjodh projekti im “Burri i Shtëpisë”. Kriteri kryesor ishin projektet me autentike dhe me premtuese, të cilat do të kalonin nëpërmjet një laboratori krijues me shkëmbime idesh kreative dhe zhvillim strukturor të skenarit. Përgjatë workshop-it u prezantuan edhe me incentivet financiare dhe taksative që aplikon Puglia Film Comission për inkurajimin e prodhimeve kinematografinë në rajonin e Pulias.

Andamion Murataj me Jim V. Hart dhe  Chris Vogler
Andamion Murataj me Jim V. Hart dhe Chris Vogler

Pas fenomenit të gjakmarrjes që përshkruani te “Falja e gjakut” sërish ndaleni te një tjetër fenomen shqiptar, siç janë burrneshat. Përse zgjodhët të bënit një film për burrneshat?

 

Unë kam disa projekte nëpër duar, por personalisht besoj se çdo vend ka disa gjëra autentike dhe në këtë rast si gjakmarrja dhe fenomeni i burrneshave përbëjnë histori autentike shqiptare, ashtu siç përbëjnë historitë e luftës apo të pas luftës një histori autentike kosovare, apo siç përben lufta me mafien një histori autentike italiane. Normalisht që tema të tilla duhet dhe do të tërheqin vëmendjen e autorëve shqiptarë dhe të huaj. Por ajo çka është me rëndësi është këndvështrimi unik dhe trajtimi origjinal i një teme që do lëvrohet nga shumë autorë. Në këtë aspekt besoj që selektohet kanë parë në projektin tim një këndvështrim personal dhe specifik të një historie autentike shqiptare.

 

 Filmi është quajtur “Burri i shtëpisë”, a ka nisur konceptimi në mendjen tënde?

Së pari, më lejoni t’u them se është një projekt në zhvillim dhe teksa unë si pjesë e fazës kërkimore unë po mësoj më tepër mbi jetën e këtyre burrneshave në ditët e sotme. Shqipëria po ndryshon me orë. Për mua është esencialisht e rëndësishme të eksplorojë se çdo të thotë të jesh “burrneshë” sot në këtë moment historik që po kalon shoqëria shqiptare, të cilin unë e quaj tranzicionin para-europian të Shqipërisë. Si definohet roli femrës në shoqërinë shqiptare sot. Si definohet ndarja gjinore. Teksa punoja për filmin “Falja e gjakut” unë intervistova mbi 3600 të rinj djem dhe vajza të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme dhe ishte një surprizë për mua fakti që një pjesë e madhe e tyre ishin rritur me prindër jashtë shtetit, ndërkohë që jetonin me gjyshërit apo me familjarë të tjerë që kishin mbetur në Shqipëri. Dhe në qendër të skenarit është pikërisht një dinamikë e tillë. Pikërisht në figurën e burrneshës unë gjej të përplasura kontradiktat kryesore të shoqërisë në këtë kapërcyell paraeuropian. Jam i sigurt që ky fenomen ashtu si “gjakmarrja” ka tërhequr vëmendjen e artistëve të tjerë shqiptarë apo të huaj, por jam i sigurt që shumëkush ndoshta ka diçka për të thënë, ndoshta sjell një zë unik e një këndvështrim specifik mbi këtë fenomen autentik shqiptar.

 Kur do të nisë puna për filmin?

Puna për filmin ka nisur, përderisa projekti është përzgjedhur nga institucionet europiane për zhvillim të mëtejshëm dhe përderisa ka një grup producentësh të vendosur tashmë të ndjekin këtë projekt. Unë gjendem në Shqipëri pikërisht për të vazhduar me draftin e dytë të skenarit. Sigurisht që “Puglia Film Comission dhe Equinox Europe” janë të interesuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij projekti pikërisht bazuar në interesin e lartë që ky film ka ngjallur ndër producentët më të mirë europianë pjesëmarrës në event. Flasim për një event kundër të tjerë marrin pjesë Paul Adrian Brett, të filmit “King Speach”, Kees Kasande producent i filmave të regjisorit, Petter Greenway (një ndër regjisorët e mi favoritë) Donald K. Ranvaud producent i filmit “City of God”, por edhe rumuni Dan Burlac i njohur tashmë në Shqipëri me filmin “Agon”. Pyetje konstante e të gjithë producentëve me të cilët po bashkëpunoj ndërkohë është paketa incentivave ekonomike që ofron Shqipëria për bashkëpunime të një niveli të tillë paneuropian. Unë besoj se paketa  e “Puglia Film Comission” është një shembull shumë i mirë dhe për Shqipërinë, në atë se si duhet punuar për të atraktuar producentë të këtyre niveleve në vendin tonë.

Ka pasur shumë kritika për kinemanë shqiptare pas viteve ‘90. Çfarë ka ndodhur realisht me kinemanë tonë?

Unë mund të them se si një vend në zhvillim me pothuajse tre milionë banorë kemi pikërisht kinemanë e një vendi në zhvillim.  Ashtu si vendi e kinemaja po ecin me luhatje përpara dhe besoj tashmë është momenti për kapërcimin cilësor. Duhet hapur një faqe e re me një vizion të ri, për menaxhimin e marrëdhënieve të kinemasë shqiptare me shtetin nga njëra anë dhe me publikun nga ana tjetër. Është një moment historik që nuk duhet ta humbim. Dhe kur flas me “ne” e kam fjalën ne si shqiptarë, si komb. Nuk mund të ketë një kinema për 3 milionë vetë, por një kinema që flet shqip për shqiptarët kudo që janë, duke zgjeruar së pari cilësisht mbështetjen dhe bashkëpunimin midis shqiptarëve, zgjerohen njëkohësisht prurjet dhe audienca. Unë kam mendimin që është momenti historik për një riorganizim tërësor të menaxhimit të prodhimit kinematografik shqiptar, duke ndërtuar sisteme dhe inicentiva që favorizojnë dhe lehtësojnë bashkëpunimet. Duhet të ketë një bashkëpunim esencial gati midis qendrave të filmit të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe krijimit të një alternative të filmit shqip në Maqedoni dhe çdo projekt në shqip duhet të shkojë nëpër një sistem financimi dhe të fitojë mbështetjen nga të gjitha qendrat e filmit shqip. Gjithashtu për çdo euro të huaj të derdhur në filmin shqip duhet gjetur një iniciative automatike inkurajuese që shqiptarët duhet të bëhen automatikisht partnerë me 10-25% të vlerës. Nga ana tjetër çdo projekt duhet të marrë mbi vete dhe përgjegjësitë e audiencës. Unë sigurisht që jam krenar për “Ariun e Argjendtë” në festivalin e Berlinit, apo çmimet e tjera, por ajo që më bën më krenar se çmimet është që Shqipëria me filmin “Falja e Gjakut” ka arritjen ku një film kombëtar është ndjekur nga një audiencë më e madhe se çdo prodhim hollivudian në kinematë shqiptare. Këtë rekord nuk e ka askush në Europë. Është një zinxhir rikonceptimi i marrëdhënies së filmit me shtetin dhe numrave të audiencës, pasi deri tani kjo është një marrëdhënie e deformuar dhe kinemasë sonë i mungon ky dimension dhe jeta e filmit thuajse mbaron me bërjen dhe shitjen në kanalet televizive, ndërkohë që jeta e filmit kombëtar është kinemaja kombëtare. Unë besoj pikërisht te marrëdhënia me audiencën dhe përgjegjësitë që dalin. P.sh në një vështrim të shpejtë, kudo në SHBA, por edhe në Europë ka dy kritere për të gjykuar vlerat e filmit, por edhe përgjegjësitë, së pari është audienca dhe paralele me të janë arritjet ndërkombëtare në festivale dhe kritikë, pra çmimet. Është e tolerueshme që një autor të dështojë në audiencë, por jo në kritikë, por nëse dështon te të dyja, atëherë e vërteta duhet parë në sy. Kudo në botë për një autor të tillë është gjithnjë e vështirë të gjej një financim të dytë.

 

Një problem me filmin shqip këto vite ka qenë dhe shkrimi i skenarëve, si fitues i një çmimi të rëndësishëm në këtë fushë, si e sheh këtë?

 

Kudo në botë, projektet e përzgjedhura pa përgjegjësi premtojnë vetëm dështim. Puna është se me aprovimin e një projekti kudo në botë fillon zhvillimi i projektit nën përkujdesje, nën vëzhgime dhe me rishkrime të draftit i kontrolluar nga një grup profesionistësh, qofshin këta producentë, analistë skenari apo institucione zhvillimi. Këtu ka shumë vend për t’u bërë dhe këtu duhet të konsistojë puna e institucioneve të filmit, që filmi shqip të kalojë të paktën në këta laboratorë zhvillimi. Ky do të ishte hapi i parë premtues për skenarë cilësorë. Në bisedimet e para që pata, Ellen Winn Wendl, presidente e “Equinox Europe” u angazhua të punojmë së bashku për mundësinë e organizimit të një workshop-i të avancuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku sigurisht unë jam i interesuar të përfshihen Kosova, Shqipëria, Maqedonia etj. Ideja është të zhvillojmë në bashkëpunim me qendrat e filmit projekte që të mbështesim ata skenarët e autorëve me sukses të aprovuar dhe premtues për suksese afatgjata në arenën ndërkombëtare. Pra, të organizojmë workshop-e që të kenë impakte pikërisht në vazhdimësinë e sukseseve të arritura. Ne jemi me fat të paktën nga dy aspekte që kemi ende histori autentike, të cilat publiku europian ka nevojë t’i dëgjojë, por kemi gjithashtu një gjeneratë të re autorësh që tashmë kanë nevojë për mbështetje institucionale më tepër se kurrë për të bërë të mundur atë kapërcim cilësor që vende të tjera në Ballkan si Rumania e Turqia e kanë arritur tashmë.

Ka shumë kritika për Qendrën Kinematografike të Filmit. Çfarë duhet të ndryshojë sipas jush?

Së pari, mendoj që vizioni duhet të jetë institucional dhe i bazuar në disa parime. Besoj që Qendra e Filmit duhet të ketë një vizion të ri, pavarësisht se kush është drejtor. Jam optimist prej natyre dhe personalisht gjithmonë besoj që për të ndryshuar pozitivisht faqen e kinemasë shqiptare është interes i të gjitha palëve dhe është logjike që qeveritë e reja të vijnë me vizione të reja, por edhe metoda të reja të zbatimit të vizionit. Unë nuk kam besuar tek angazhimet partiake arti nuk ka ngjyrë, por ka cilësi. Pak rëndësi ka se kush është drejtor i qendrës, por ka shumë rëndësi një vizion i artë i ndërtuar në principe. Amerikanët kanë një shprehje “if there is a will, there is a way”. Dhe reformimi i qendrës së filmit në një qendër moderne të denjë, për të hyrë në Europë duhet të jetë një angazhim konstant i cilitdo artist të filmit dhe jo vetëm i dikujt që merr drejtimin menaxherial të Qendrës Kinematografike të Shqipërisë.





Comments are closed.