Vrasja e ish-gruas: Babai i autorit: Djali s’kishte asnjë ves!

vrasja-1Selfo Çarçani: Genci, të gjitha të ardhurat ua jepte vajzave. Valbona nuk ka punuar asnjëherë

“Djali nuk kishte ndonjë ves! Të gjitha të ardhurat ua jepte vajzave. Valbona nuk ka punuar asnjëherë. Vrasja, ndoshta për shkak të lodhjes dhe depresionit”. Kështu ka deklaruar dje për mediat, Selfo Çarçani, djali i të cilit vrau barbarisht në mes të rrugës ish—bashkëshorten e tij, me të cilën kishte dy vajza. Si çdo prind, Selfo ka shfajësuar të birin, për të cilin pohon se ka qenë prind i rregullt, madje nuk frekuentonte as lokalet e lojërave të fatit. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, i moshuari ka “akuzuar” viktimën, Valbonën, e cila u qëllua me thikë në mes të rrugës.

Mbrojtja e babait

“Genci interesohej vazhdimisht për vajzat. Ai punonte në një firmë italiane dhe të gjitha të ardhurat, ua jepte atyre për veshmbathje dhe shkollim. Madje, unë i jepja para për t’i kompensuar të ardhurat që u jepte vajzave”, pohon Selfo Çarçani, i cili nuk duket shumë i penduar për krimin e të birit, por preferon që ta mbrojë, megjithëse për këto krime, Kodi i ri Penal parashikon një dënim më shumë se 35 vite burg. Megjithatë, Çarçani i ka kërkuar madje drejtësisë që të marrë parasysh jetën e të birit, një baba i përkushtuar. “E përsëris sërish që ai nuk kishte asnjë ves. Ngjarjen e kam mësuar nga televizioni. I bëj apel drejtësisë të shikojë jetesën që ka bërë Genci. Ai nuk ishte aventurier dhe ishte njeri i rregullt”, ka vijuar Selfo Çarçani, teksa më pas është pyetur në lidhje me konfliktin e xhelozisë. Sipas tij, kjo pistë nuk është e vërtetë. “Motivi i xhelozisë nuk është i vërtetë. Ata kanë pasur kontradikta ekonomike, që solli edhe ndarjen e tyre, pasi Valbona nuk ka punuar asnjëherë”, ka përfunduar babai i autorit të vrasjes makabre të ish-bashkëshortes.

 

Autori

Grupi hetimor ka vijuar të mbledhë provat për ngjarjen e rëndë, teksa po diskutohet mundësia që çështja t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Disa hetues kanë tentuar t’i marrin dëshmi autorit, Genci Çarçanit, pas pranisë së fajit një ditë më parë. Dje, për më shumë se një orë, ai ka shpjeguar detaje nga jetesa me Valbonën, deri në momentin e ndarjes, por edhe pas kësaj etape, të dy kontribuonin për rritjen e dy vajzave. Pas vrasjes, ai deklaroi se “e vrava se ma solli shpirtin në majë të hundës”. Ndërsa, dje ka vijuar rrëfimin dhe ka treguar se motivi i vërtetë kanë qenë çështjet ekonomike, pra për rritjen e vajzave. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se martesa e çiftit Çarçani ka zgjatur rreth 24 vjet dhe para dy vitesh, ata janë divorcuar. Viktima dhe autori janë prindërit e dy vajzave, përkatësisht 20 dhe 18 vjeçe. “Autori dyshohet ta ketë kryer krimin për motive xhelozie. Ndaj tij rëndon vepra penale e ‘vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’ dhe ‘mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në mjedise publike’”, thanë burimet policore.

 

Ngjarja

Krimi i rëndë ka ndodhur në rrugën “Tefta Tashko” në Tiranë, rreth orës 09:45 të së shtunës, ku 46-vjeçarja jetonte prej dy vitesh me qira. Genci i ka shkuar në shtëpi Valbonës, që të takoheshin, për t’u sqaruar në lidhje me disa dyshime që ai kishte ndaj ish-bashkëshortes. E ndjera ka pranuar që ta sqarojë dhe mëngjesin e së shtunës, çifti ka shkuar në një lokal të zonës. Aty kanë debatuar për minuta të tëra, duke tërhequr vëmendjen e klientelës. Sipas të dhënave, skulptori e ka paramenduar vrasjen, pasi ka marrë me vetë armën e krimit. Valbona është larguar nga ish-bashkëshorti, së bashku me një qen të vogël që mbante pas vetes. Veprimi i saj nuk është pritur mirë nga 48-vjeçari, e për pasojë ai e ka ndjekur, duke e arritur disa metra më tutje. Në pabesi, pa shkëmbyer asnjë fjalë, ai e ka qëlluar katër herë, me një thikë të madhe, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. I dyshuari për vrasje e ka qëlluar tri herë pas shpine dhe një herë në zemër. Pas aktit kriminal, ai është larguar me hap të lehtë dhe ka qenë mjaft gjakftohtë. I pari që ka shkuar t’i japë ndihmën e parë Valbonës ka qenë një veteriner, i cili ka farmacinë aty pranë. Red.Akt

Kodi i ri Penal

Sipas ndryshimeve ligjore, çdo person që vret bashkëshorten, bashkëjetuesen, ish-bashkëshorten, apo gjini e afërt ose krushqit, do të dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet burg ose burgim të përjetshëm

Rrëfimi

Genc Çarçani është në qelitë e paraburgimit, në pritje të gjykimit. Në polici ai ka deklaruar se është penduar për vrasjen dhe se ngjarja ndodhi për shkak të xhelozisë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

2 Comments
  1. Mirela says

    Kush prek femren nenen , gruan duhet te denohet perjetesisht ne ferr e te mos e shohe kurre me driten, mallkuar qofshin keta burra , te pavlere qe te pafuqishem ne argumenta , te dobet e karakter sulmojne me muskuj ____injorante frikacake qe kur sdine siti justifikojne fajet e veta e drejtojne gishtin mbi grua……..

  2. Elsa says

    Kur te marrin jeten pa e pasur kete te drejte eshte krim qe e denon ligji dhe zoti.
    Sinqerisht, mua me vjen keq edhe per ata burra qe i kan hequr jeten nje tjetri dhe e kane mbyllur te tyren me kete krim. Nuk besoj se eshte argetuse te vrasesh nenen e femijeve, por disa gra ta heqin jeten edhe kur je gjalle. Zoti vente dore per te gjithe se problemet ne familje jane pjese e jetes, mjere ai qe nuk i perballon dot.

Comments are closed.