Studimi, këshillimi për karrierën u kthye në reklamë për privatët

cfare vajzash maturante provimeKëshillimi i karrierës

Privatët, pedagogët “reklamë” universitetit jo degës

Raporti: 14% e studentëve, seminare këshillimi në shtet 42% në sistemin jo publik

Lorina Mixha

Këshillimi i karrierës, aq i rëndësishëm për maturantët lidhur me zgjedhjen që do të bëjnë për studimet e larta merret pak seriozisht nga universitetet publike dhe shumë seriozisht nga universitetet private. Ndërkohë që nga seminaret dhe këshillimet që bëhet me pedagogët në universitetet jopublike rezulton se më shumë sesa për degën, ata të flasin për universitetin që i ka punësuar. Fakti pohohet nga studentët e vitit të dytë që ndjekin një nga ciklet e studimit në publik apo në privat. Një raport i fundit i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur ka anketuar dhe intervistuar qindra studentë, të cilët kanë përfunduar dy vjet më parë Maturën Shtetërore, për të ndjekur më pas ecurinë e tyre në fakultetet ku studiojnë dhe për të marrë perceptimin e tyre dy vjet pas mbylljes së arsimit pasuniversitar.

Ky studim mori në shqyrtim Maturën Shtetërore në një këndvështrim më të gjerë, duke mos u mjaftuar vetëm në parapërgatitjen dhe administrimin e provimeve, por edhe me produktin e këtij sistemi vlerësimi. Për të këtë arsye u zhvillua hulumtimi i suksesit të maturantëve, të cilët dy vite (2010) më parë fituan të drejtën e studimit përmes Maturës Shtetërore, si dhe u volën eksperiencat e tyre në lidhje me shkollën e mesme. Kështu u zhvillua një anketë me një kampion prej 800 studentësh që ndjekin studimet në vitin e dytë (gjatë vitit 2012) në universitetet shtetërore të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Elbasanit, të përzgjedhur rastësisht me hapin një në tri.

Studimi

Në lidhje me këshillimin dhe orientimin e karrierës vetëm 14% e studentëve të anketuar pohojnë se janë zhvilluar seminare nga pedagogë të universiteteve shtetërore, krahasuar me 42% që deklarojnë se ato janë zhvilluar nga universitetet private. Problemi që lind nga kjo indiferencë e universiteteve shtetërore është se shpesh universitetet private, që zhvillojnë këto seminare me maturantë, më shumë i përdorin ato për të bërë reklamë mbi përparësitë e universitetit të tyre sesa japin informacion mbi degët e studimit. Një gjë e tillë vihet re edhe nga përgjigjet që kanë dhënë studentët, që kanë ndjekur seminaret e zhvilluara prej universiteteve private, ku 58% e tyre u përgjigjën se u diskutua për përparësitë e universitetit që zhvilloi seminarin, 15% u shprehën se u diskutua për natyrën e degës së studimit dhe 25.6% e tyre u shprehën se u diskutua për perspektivën e degës së studimit në tregun e punës.

Nisur nga deklarimet e të anketuarve, në përgjithësi vihet re që nxënësit të kenë marrë nota më të ulëta gjatë MSH (mesatarja e katër provimeve 7.58) se gjatë viteve të shkollës (mesatarja e shkollë 8.13). Kjo tendencë zbritëse ruhet edhe në vitin e parë në universitet (mesatarja e provimeve të vitit të parë 6.5).

Përgatitja

Për sa i përket përgatitjes që marrin në shkollë për provimet e MSH-së, vetëm gjysma e studentëve të anketuar (50%) pohojnë që përgatitja gjatë viteve të shkollës së mesme i ka ndihmuar për t’u përballur me provimet e MSH-së, e ndjekur kjo nga 48%, të cilët shprehen se i ka ndihmuar disi ose pak.

Duket se përgatitja e ofruar gjatë orëve të mësimit nuk u ka mjaftuar ish-maturantëve, pasi më shumë se gjysma (55%) e të anketuarve shprehen se për t’u përgatitur për provimet e MSH atyre u është dashur të ndjekin konsulta shtesë. Për sa i përket mënyrës se si i kanë marrë këto konsulta 80% e këtyre maturantëve janë shprehur se u është dashur të paguajnë për to.

“Ndërkohë, nëse do të ndërtojmë një kurbë midis notës mesatare të shkollës së mesme dhe qëndrimeve mbi vështirësinë e provimeve, do të shohim se (me ndonjë përjashtim) kurba tregon një tendencë të tillë: sa më e lartë mesatarja e respondentit, aq më të thjeshta i ka konsideruar ai provimet e MSH. Gjithashtu, duket se rol të rëndësishëm ka pasur edhe vetë përgatitja e maturantëve, pasi studentët që kanë deklaruar se gjatë viteve të gjimnazit studionin 0-1 orë në ditë, kanë pasur një prirje për t’i konsideruar provimet e MSH si të vështira”, thuhet në studim.

 

Studentët shpenzojnë për studim më pak kohë se në gjimnaz

Anketa: 2 në 3 studentë të universitetit nuk po ndjekin degën që ka qenë preferenca e tyre e parë

Lorina Mixha

Anketa tregon që studentët shpenzojnë më pak kohë për të studiuar krahasuar me periudhën kur ishin në shkollë të mesme. Kjo situatë shfaqet problematike duke pasur parasysh se më shumë se 90% e studentëve shprehen se ngarkesa e punës në universitet është shumë më e lartë apo më e lartë se ajo gjatë shkollës së mesme.

Rezultatet e anketës flasin për një proces mësimdhënieje mekanik, i cili nuk mbështetet në pjesëmarrjen aktive të studentëve përgjatë ndërtimit dhe transferimit të dijeve dhe kompetencave. Kështu, një pjesë e mirë e studentëve deklaron se nuk i ka përvetësuar në një nivel të kënaqshëm lëndët e vitit të parë. Ata konfirmojnë se përgjithësisht pedagogët nuk inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të tyre gjatë orës së mësimit. Pakënaqësia më e madhe e studentëve shkon tek objektiviteti dhe paanashmëria e vlerësimit me nota.

Me të arritur objektivin, fitimin e studimeve në universitet shpesh motivimi/presioni i studentëve për të pasur rezultate të larta mund të bjerë. Kështu ka rezultuar se më shumë se 35% e të anketuarve, pra më shumë se 1 në 3 studentë, deklarojnë se nuk ndihen “të motivuar” të studiojnë në degën aktuale. Ky është një deformim i përgjithshëm i sistemit universitar që në njëfarë mënyre “prodhon” të diplomuar me performancë të ulët dhe të pamotivuar për të ardhmen profesionale.

Është për t’u theksuar se vetëm 35% e të anketuarve pohojnë se dega që po ndjekin aktualisht ka qenë preferencë e tyre e parë. Pra, përafërsisht 2 në 3 studentë të universitetit nuk po ndjekin degën që ka qenë preferenca e tyre e parë.

“Motivimi” i studentëve për të studiuar në degën që ndjekin aktualisht, i analizuar në lidhje me renditjen e bërë nga studenti për këtë degë gjatë kohës që plotësonte formularin e përzgjedhjes së shkollës së lartë (A2), tregon se ka një korrelacion të lartë midis shkallës së motivimit dhe preferencës së degës/fakultetit. Kështu kur janë pyetur se sa të motivuar janë për degën e studimit, studentët kanë dhënë përgjigje në të cilat mund të kuptohet se sa më larg të jetë “dega” nga preferenca e parë e studentit aq më shumë bie nxitja për të studiuar.

“Gjithashtu motivimi lidhet edhe me performancën e tyre në studim. Vlerësimi mesatar për provimet e vitit të parë për studentët, të cilët studiojnë në degën që e kanë renditur të parën (preferencë e parë) në formularin A2 është 7. Ky vlerësim vjen duke u ulur me uljen e preferencës dhe për ata që aktualisht po ndjekin një degë që e kanë renditur të katërtën ose më poshtë në formular, nota mesatare shkon në 6.

Është për t’u theksuar se ka diferenca në kënaqësinë e shfaqur nga të anketuarit për sa i përket cilësisë së shkollimit në shkollë të mesme dhe në të lartën. Më shumë se 70% e të anketuarve shprehen “të kënaqur” me cilësinë e shkollimit në shkollë të mesme, ndërkohë që shifra ulet në rreth 50% kur të anketuarit pyeten në lidhje me cilësinë e shkollimit në universitet”, thuhet në Raportin e SOROS.

Sipas të dhënave, rezulton se përgjithësisht ato universitete që kanë një prestigj më të lartë tërheqin maturantët me rezultate më të larta dhe për rrjedhim, me gjithë rënien në performancë gjatë vitit të parë në universitet, përsëri mesatarja e tyre krahasuar me atë të studentëve që studiojnë në universitetet e tjera raportohet të jetë më e lartë.

Tirana

Maturantët e qytetit të Tiranës dhe qyteteve kryesore të vendit paraqiten më të favorizuara sa i përket shkallës së përputhjes midis preferencës së parë dhe universitetit/degës në të cilin studenti ndjek studimet, krahasuar me studentët që vijnë nga zonat rurale apo qytetet e vogla.

Diploma

Rreth 66% e studentëve besojnë se diploma e shkollës së lartë do t’i ndihmojë për t’u integruar në tregun e punës, e ndjekur kjo nga rreth 27% e studentëve që shprehen të pasigurt dhe rreth 6% e tyre, të cilët mendojnë se diploma nuk do t’i ndihmojë për të siguruar një punë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. elio says

    Perse si e mendoni, se Universitetet private do bejne me shume info per degen pa bere rreklame per veten e tyre…eshte afermendjes qe do tiu bejne rreklame vetes. Mbase universiteti publik duhet ti bente me shume rreklame vetes, por eshte problemi i tij jo i privatit…Nejse shume prej tyre qe mbushin deget e ekonomise, jurifikur, apo shkencave politike duhet te mendojne me mire te hedhin shikimin nga ndonje gege profesionale, si optometri, ortodonci, apo dege me specifike…ose ta lene me shkolle profesionale zanati…na mbyten shkencat politike…

Comments are closed.