Rikthehet terrori i maskave, masakrojnë dy familje në rrugë

Pukë – Shkodër

Plagosen pesë pasagjerë, mes tyre dy fëmijë, motër e vëlla

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë krehjen e zonës, por nuk ka arritur të kapë autorët

Dy ditë më parë, grabitës me armë sulmuan edhe një familje ulqinake, duke u grabitur sendet me vlerë

Ardi Hoti

grabitja ne puke 14 korrik 2013Terrori i maskave është rikthyer frikshëm në çdo cep të Shqipërisë, ndërkohë që policia duket se e ka tejet të vështirë për të zbuluar ndonjë nga këto ngjarje të rënda. Rasti i fundit i rëndë është shënuar në orët e para të ditës së djeshme në aksin rrugor Pukë-Shkodër, kur dy motra po udhëtonin me një makinë, bashkë me familjet e tyre. Makina është qëlluar me armë automatike nga tre persona të armatosur, duke lënë të plagosur pesë persona, nga të cilët dy fëmijë, motër e vëlla, 9 dhe 5 vjeç.

Terrori me armë

Policia deklaroi se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03:30 në vendin e quajtur kthesa e Vrithit, rreth 30 km pa hyrë në Shkodër, kur tre persona me maska dhe automatikë i kanë bërë shenjë një automjeti ku udhëtonin gjashtë pasagjerë të ndalojë. Drejtuesi i mjetit, Astrit Kopani ka tentuar t’u largohet maskave, duke i dhënë makinës me shpejtësi, por është gjendur nën breshërinë e plumbave. Zjarri i pakontrolluar i armëve të grabitësve ka lënë të plagosur pesë pasagjerët, mes të cilëve Enis Xhaferaj, 5 vjeç dhe Armando Xhaferaj, 9 vjeç. Veç dy fëmijëve, policia tha se janë plagosur prindërit e tyre Zamir e Mirjeta Xhaferaj, 42 dhe 33 vjeç. Gjithashtu, e plagosur ka mbetur motra e Mirjetës, Valbona Kopani, 44 vjeçe, njëkohësisht bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, i cili është i vetmi që ka shpëtuar pa marrë plagë. Pa ndalur makinën, Kopani i ka transportuar të plagosurit drejt Spitalit Rajonal në Shkodër, ku menjëherë të dëmtuarit u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë dhe janë duke marrë një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Burimet nga Spitali Ushtarak thanë se 5-vjeçari ka dëmtim të parakrahut dhe kockave. “Plumbi i ka përshkruar parakrahun dhe ka dëmtuar në masë kockat”, tha mjeku Dritan Çela në Spitalin Ushtarak mbi gjendjen e fëmijës 5 vjeç të plagosur gjatë tentativës së grabitjes me armë në Qafë Qelë të Pukës. Sipas mjekut, fëmija do të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale, pasi kjo e fundit është e paevitueshme. Mjeku pohon se gjendja e fëmijës dhe e plagosurve të tjerë është stabilizuar aktualisht dhe të pestë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet e policisë

Menjëherë pas krimit, në vendin e ngjarjes janë dërguar shërbime të shumta policie, por si në të shumtën e rasteve, ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve. Mëngjesin e djeshëm, forca të shumta policie ndodheshin në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga hetimet paraprake mësohet se çifti Kopani dhe Xhaferraj janë familje pa probleme në Pukë dhe policia ka përjashtuar pistat e hakmarrjes dhe po heton vetëm në atë të një tentative grabitjeje me armë. Drejtuesi i automjetit, Astrit Kopani ka rrëfyer se ai bashkë me të shoqen, kunatën, baxhanakun dhe fëmijët e tyre po udhëtonin nga Puka në drejtim të Shkodrës, pasi kishin vendosur të kalonin disa ditë në plazhin e Velipojës. Nga ana tjetër, policia ka mbledhur disa gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat i ka çuar për ekspertim në laboratorin e kriminalistikës, ndërkohë që më vonë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar në aksion, duke bërë krehjen e zonës. Burimet policore thanë se janë shoqëruar disa të dyshuar, si kontingjent i zonës, megjithëse ende nuk ka asnjë provë për ndonjë emër konkret në grabitjen e djeshme. Ndërkaq, policia ka marrë urdhra që të patrullojë natën edhe në këtë aks rrugor, pas patrullimeve në Rrugën e Kombit, pasi situata në akset veriore të vendit po humbet sigurinë. Njerëz të armatosur, në akse të ndryshme janë duke grabitur nën kërcënimin e armëve, sidomos në orët e para të mëngjesit. Dy ditë më parë, grabitës të armatosur sulmuan një familje ulqinake, duke i vjedhur gjithçka me vlerë kishin me vete në Rrugën e Kombit. Madje, policia shkoi shumë vonë në vendin e ngjarjes, duke i lënë në mëshirë të fatit të grabiturit dhe sipas të dëmtuarve, reagimi i uniformave blu erdhi vetëm pasi u njoftua ambasadori i Malit të Zi në vendin tonë.

 

 

Intervista

 

Astrit Kopani, i vetmi që ka shpëtuar pa plagosur, rrëfen momentet e tmerrit

 

Shoferi: Dhjetë plumba kapën

makinën, ku ndodheshim 6 veta

 

Personi i vetëm që ka shpëtuar pa marrë dëmtime nga plumbat e grabitësve në aksin rrugor Pukë-Shkodër është drejtuesi i automjetit, Astrit Kopani, i cili ka rrëfyer momentin e tmerrshëm dhe rrugën për në spital, ku me vete kishte pesë të plagosurit. Gjatë një interviste, ai ka shpjeguar sesi i kishin dalë para tre persona të maskuar dhe nga frika kishte shtuar shpejtësinë e makinës, por është gjendur mes breshërisë së automatikëve.

Mund të kujtoni sesi ndodhi atentati ndaj jush?

Ne kishim menduar të shkonim për pushime në Velipojë, por për pak u kthyen në pushime morti. Kemi shpëtuar për mrekulli, pasi ndaj nesh u qëllua për të na vrarë. Kishim bërë gjysmën e rrugës dhe po i afroheshim Shkodrës. Në një dishezë dolën tre persona të veshur me të zeza, me maska dhe automatikë. Dy ishin anash rrugës dhe njëri përballë. Për momentin e ndalova pak mjetin, por më pas, kur e kuptova që ishin me maska, i dhashë gaz dhe me shpejtësi i kalova. Madje, u mundova që të mos e zë me makinë personin që kisha përballë. Brenda pak sekondave, jemi gjendur nën breshëri plumbash që vinin në disa drejtime. Duke bërtitur nga frika, nuk e kuptoj sesi kam mbajtur drejtimin e makinës dhe vetëm pasi jemi larguar nga grabitësit kuptova se njerëzit e mi, që ishin në makinë, ishin plagosur të gjithë. Ata ishin bërë të gjithë me gjak. Baxhanaku më tha: Ec shpejt se mbaruam, jemi të gjithë të plagosur. Kur kam dëgjuar këtë fjalë dhe i kam parë të gjithë me gjak, ishte një tmerr që nuk mund të përshkohet me fjalë. Ne nuk i kemi borxh askujt, ishim nisur në punën tonë, si gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve, për të kaluar pushimet, por pushimet na u kthyen në makth nga maskat.

Çfarë ndodhi më pas?

Kisha hallin e fëmijëve dhe grave të plagosura. Kam ecur shumë shpejt, ishim tepër të terrorizuar dhe të tronditur dhe kam hyrë fill në spitalin e Shkodrës. Sapo zbritëm, filluam të kontrollonim trupat e njëri-tjetrit për të parë, ku kemi marrë plagë. Menjëherë hymë në spital, ku na u dha ndihma mjekësore. Filluam të qetësohemi disi kur mjekët na thanë se asnjë nga të plagosurit nuk ka rrezik për jetën.

Po gjendja e fëmijëve si është?

Vetëm djali i baxhanakut, Enisi 5 vjeç, është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë se ka problem serioz me plagën e marrë në krah, por nuk ka rrezik për jetën. Pas asaj që ndodhi duhet ta quajmë veten me fat që jemi gjallë, pasi brenda në makinë kanë hyrë më shumë se 10 plumba në një kohë kur kanë qenë gjashtë persona brenda. A. Hoti

 

 

Reagimi

 

Taulant Balla dhe Erjon Braçe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të uniformave blu

 

Deputetët e PS, akuza policisë

dhe Berishës për kriminalitetin

 

Terrori i djeshëm dhe ngjarjet e ditëve të fundit kanë sjellë menjëherë edhe reagimin e deputetëve socialistë në rrjetet sociale në internet, të cilët kanë dënuar këto krime të rënda dhe kanë kërkuar reagimin e policisë, që sipas tyre ka rënë në gjumë. Taulant Balla dhe Erjon Braçe kanë hedhur akuza të ashpra ndaj policisë dhe qeverisë.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, të marrë masa për parandalimin e degradimit të mëtejshëm të rendit publik, përndryshe do të mbajë përgjegjësi së bashku me drejtuesit e tjerë të policisë. Ka disa ditë me radhë që maskat po shfaqen në disa akse rrugore kombëtare, ndërsa Policia e Shtetit është tërësisht e padukshme”, është shprehur deputeti Balla, ndërkohë që shtoi se “nga Hysni Burgaj i pari dhe të tjerët me radhë duhet ta dinë se çdo formë “dezertimi” në përballjen me krimin është vepër penale”. Më tej, deputeti i opozitës deklaroi se moskryerja e detyrës nga policia po u lejon terren elementëve kriminalë. “Policia e Shtetit të vendosë kontrolle në të gjitha akset rrugore problematike, duke vënë në dispozicion edhe njësitë e saj speciale, ndërsa departamenti i policisë kriminale të hetojë dhe ndalojë personat e maskuar që zbrazin armë edhe mbi fëmijë. Forca e shtetit dhe e ligjit duhet të bjerë fort mbi këta elementë kriminalë, që po përfitojnë nga kjo periudhë tranzicioni pushteti”, tha Balla. Ai komentoi edhe grabitjen e familjes nga Ulqini, duke u shprehur se ata u plaçkitën në Rrugën e Kombit, ndërkohë që policia nuk kishte lëvizur as gishtin ndaj denoncimit. Ndërsa deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, duke pasur parasysh foton e fëmijës së plagosur deklaroi se kjo është pasoja e krimit të rrugës, duke iu drejtuar Sali Berishës. “U qëllua sot (dje) në veri të vendit, në rrugën kombëtare Shkodër-Pukë, nga kriminelë me maska që lejohen të kontrollojnë kriminalisht rrugët kombëtare. Mendo tani sikur të ishte fëmija yt. Ty po të flas. Po, po! Nuk të ngatërroj. Je Kryeministri në detyrë me përgjegjësi të plotë. Po të flas ty që ju gaforresh shqiptarëve duke u thënë se do bësh opozitën e fortë. Bëj Kryeministrin njëherë. Edhe kaq ditë sa të kanë mbetur, bëj Kryeministrin. Hiqi rojet nga mbrojtja jote dhe çoi të mbrojnë rrugët e sigurta. Tani, merre iPad-in tënd dhe shihe këtë foto! Është fytyra e shtetit tënd”, është shprehur Braçe në “Facebook”, kur ka publikuar lajmin e grabitjes së djeshme.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. RION says

    TURP TURP TUTRP PER SHQIPRIN NE KET KO ME NDODH KSO KRIMESH
    TERRORRESH NJERZVE TE PA FAJSHEM KU ASHT SHTETI SI PRETENDON ME HY ME BE NE EVROP PO QFAR EVROPE MA AFER HINI NE AZI.KRINISTRAT FLEJT JAN A ENDE SJAM
    N ZGJUAR NGA GJUMI A FLENI FLENI EDI RAMA E SALI BERISHA !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!.

Comments are closed.