Mitat Tola: Si mund të ulim aksidentet dhe të vrarët në to

mitat tolaEksperti rrugor paraqet një studim të detajuar për vendin tonë, duke filluar që nga Kodi Rrugor, Policia Rrugore, lejet e drejtimit, adoleshentët, sigurimi i mjeteve dhe plani që duhet të ndjekë qeveria e re

Intervista

Vetëm në gjysmën e parë të muajit korrik 2013, bilanci i aksidenteve me pasoja është tragjik, mesatarisht dy të vdekur në ditë dhe katër të plagosur. Shqipëria vazhdon të jetë e përfshirë në një luftë absurde rrugore. Ekspertët thonë se qeveria dhe Kryeministri në ikje nuk e kuptuan dot këtë “luftë të pakuptimtë rrugore”, për rrjedhojë nuk morën masa për të parandaluar pasojat e saj. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, mesatarisht kanë vdekur 2500 shtetas dhe janë plagosur rëndë dhe lehtë rreth 16 mijë të tjerë. Në mënyrë figurative është “zhdukur një fshat mesatar” çdo vit dhe është “gjymtuar” një qytezë nga aksidentet. Shqipëria renditet ndër vendet me një taksë aksidentaliteti nga më të lartat në Europë dhe në Ballkan, 10-11 të vdekur për 10 mijë banorë. Në Shqipëri regjistrohen çdo vit mesatarisht 2800-3000 aksidente me pasoja, ku vdesin rreth 350 persona dhe plagosen rëndë dhe lehtë 1800 të tjerë. Por, si mund të kapërcehet ky realitet tragjik për sigurinë rrugore?! Eksperti i njohur, Mitat Tola, ish-funksionar i lartë i Policisë Rrugore dhe aktualisht drejtor ekzekutiv i Qendrës së Studimeve të Sigurisë Rrugore shprehet se 400 mijë drejtues mjetesh dhe 2 milionë përdorues rruge në Shqipëri, sot kanë nevojë për një qasje të re ndaj konceptit të “sigurisë rrugore” dhe të legjislacionit rrugor, duke konsideruar se 75% e 24 orëve të jetës së njeriut lidhet në mënyrë të ngushtë me mjetin dhe rrugën. Për të dalë nga kjo gjendje, Tola, në një intervistë për “Shqip” thotë se nevojiten masa dhe veprime urgjente që rrokin mjaft fusha.

Z. Tola, ju e keni ndjekur situatën e sigurisë rrugore në vendin tonë, ku jeni njohur mjaft mirë me shifrat tragjike. Si mendoni, çfarë duhet ndryshuar për të ulur numrin e lartë të aksidenteve e për më tepër, pasojat që shkaktojnë ato?

Fillimisht mendoj se duhet të themi “Mjaft më me Kodin Rrugor”, pasi nevojitet një “Kod Sjellje” për drejtuesit e mjeteve. Kodi Rrugor, nga data e miratimit të tij në vitin 1998, ka pësuar mjaft ndryshime. Në thelb legjislacioni rrugor tek ne është një xhungël legjislative: Kodi Rrugor, bashkë me Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor, e cila në vetvete ka rreth 400 nene, janë jo praktike dhe të asimilueshme nga një drejtues mjeti, me nivelin aktual kulturor. Më tej, ka me qindra akte nënligjore, duke e shtuar konfuzionin ligjor, të cilin e vuajnë drejtuesit e mjeteve në Shqipëri dhe shpeshherë e injorojnë, duke e gjykuar mjaft teknike dhe konfuze. Rezultati i kësaj është mosnjohja dhe mosmarrja në konsideratë nga drejtuesit e legjislacionit në zbatim të pjesshëm dhe në moszbatim, duke shtuar premisat për aksidente dhe konfuzion në trafik. Në këto kushte, unë do të propozoja një “Kod të Drejtuesit të Mjetit” të ri, në formë me rreth 50 nene, që të orientojnë me qartësi përdoruesit e rrugës, duke rishkruar më pas një “rregullore teknike” specifike, së bashku me dispozitat për karakteristikat e mjeteve dhe të infrastrukturës rrugore.

E dyta, mendoj se skema e monitorimit dhe administrimit të sigurisë rrugore në Shqipëri duhet ndryshuar menjëherë pas shtatorit 2013. Kjo skemë është jofunksionale dhe krejt e papërshtatshme nëpërmjet ndjekjes dhe monitorimit të nivelit të sigurisë rrugore me anë të Komitetit Ndërministror të Sigurisë Rrugore, i cili funksion në bazë të një VKM-je. Mosfunksionalitetin e tij e demonstron fakti që aksidentet janë kthyer në një fatkeqësi kombëtare, ndërkohë që Komiteti ka mundur të mblidhet vetëm dy herë për tetë vjet, pavarësisht se është sanksionuar që mbledhja e tij të jetë jo më pak se tre herë në vit.

Po si duhet vepruar?

Për të përballuar luftën me aksidentet, kryeministri i ri i vendit do të duhet të konstituojë menjëherë pas formimit të qeverisë së tij, një agjenci ekzekutive pranë zyrës së tij, e cila do të koordinojë në mënyrë permanente dhe operative aktivitetin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, asaj të Brendshme, Financave dhe të Arsimit dhe Shkencës. Ajo agjenci kërkon llogari në emër të kryeministrit dhe financon përmirësimet në fushën e sigurisë rrugore.

Lejet e drejtimit, a janë një faktor për aksidentet dhe çfarë propozoni se mund të bëhet në këtë drejtim?

Çdo vit, në Shqipëri vdesin 300-400 persona nga aksidentet rrugore dhe rreth 20% e tyre janë të moshës 18-24 vjeç. Kjo kategori moshe drejtuesish mjeti pretendon se bën në timon gjëra që të tjerët nuk dinë t’i bëjnë. Aksidentaliteti i kushton ekonomisë së vendit rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sikurse është implementuar së fundmi normativa dhe parimi për drejtuesit e motomjeteve, të cilët duhet të kenë një moshë të caktuar për të drejtuar motomjete me fuqi cilindrike mbi 125cc, do të duhet urgjentisht të fillojë të implementohet edhe për autoveturat në funksion të fuqisë së tyre dhe të cilindratës respektive, pra një gradualitet për drejtimin e mjeteve më të fuqishme. Tek ne, drejtuesit e mjeteve, në momentin e pajisjes me lejedrejtimi, mund të drejtojnë çdo mjet brenda kategorisë së përfituar. Eksperienca e vendeve të BE-së tregon se implementimi dhe zbatimi i një gradualiteti në drejtimin e mjeteve mund të çojë në një parandalim efikas të aksidenteve rrugore. Pra, mendoj se duhet të ketë lejedrejtimi me nivele për automjetet me fuqi motorike më të lartë.

Gjithashtu duhet të kemi lejedrejtimi për të gjithë gjimnazistët. Duke konsideruar edukimin e gjeneratës së re një imperativ dhe duke besuar se vetëm një edukim rrugor i qëndrueshëm do të ndryshojë shifrat dhe nivelin e aksidenteve rrugore, me guxim qeveria e re do të mund të implementonte një sistem me ndryshime ligjore të tillë që të mundësojë marrjen e pjesës teorike të lejedrejtimit të grupeve “A” dhe “B” pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme. Më tej, kandidatët do të mund të vazhdojnë marrjen e lejedrejtimit, duke kryer kursin e praktikës pranë autoshkollave ekzistuese.

Nga ana tjetër, në ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor është parashikuar aplikimi i sistemit të humbjes së pikëve për çdo shkelje. Por, në Kodin Rrugor nuk është parashikuar mënyra e rifitimit të pikëve të humbura dhe të riaftësimit të drejtuesve të mjeteve, duke ia lënë këtë një rregullimi të thjeshtë me akte nënligjore. Pra, më shumë rëndësi ka administrimi me ligj i pikëve të humbura, ndërkohë që fitimi i tyre dhe riformimi i drejtuesve të mjeteve nuk ka të njëjtën rëndësi. Qeveria e re duhet të bëjë ndryshime ligjore për kryerjen e një kursi rigoroz për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur 20 pikët e parashikuara, që të risigurojë një riformim të drejtuesve të mjeteve për të qenë më të kujdesshëm nëpërmjet një riprovimi teorik dhe praktik në fund të kursit.

A ndikon sigurimi i mjeteve në aksidente?

Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve është zëri i dytë i shpenzimeve pas shpenzimeve të karburantit. Në 10 vitet e fundit, ky çmim ka njohur ulje dhe ngritje krejtësisht të pastudiuara dhe jo në funksion të raportit dhe të nivelit të dëmeve. Rreth 20% e mjeteve në Shqipëri qarkullojnë të pasiguruara dhe dëmet ndaj kompanive të sigurimeve në vit shkojnë deri në 20 milionë euro, duke rënduar në mënyrë të padrejtë drejtuesit e mjeteve të ndershëm dhe të rregullt. Qeveria e re duhet t’i propozojë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMF-së) “të pastrohet” fillimisht nga anëtarët militantë dhe të fillojë të luajë rolin e përcaktuar në ligjin përkatës, duke iu kërkuar kompanive të dëmeve dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimeve që të krijojnë një rrjet kontrolli për mjetet. Në kuadër të kësaj, qeveria e re duhet që nëpërmjet AMF-së të fillojë menjëherë aplikimi i çmimeve të diferencuara të policave të sigurimit (TPL), në bazë të konceptit “bonus–malus”. Kjo do të thotë se kush përfshihet në aksidente dhe ndëshkohet me gjobë në një nivel të caktuar pikësh, në vitin pasardhës do të duhet të paguajë më shumë për pajisjen me “policë sigurimi”. Kjo metodë, e përdorur me mjaft sukses në vendet e BE-së, do të ketë efekte mjaft pozitive në parandalimin e aksidenteve rrugore.

Po te policia, çfarë duhet ndryshuar për të sjellë parandalim aksidentesh?

Në Kod Rrugor është përcaktuar që 60% e të ardhurave nga gjobat e policisë shkojnë për modernizimin e policisë rrugore. Riformulimi më i detajuar në Kodin Rrugor dhe evidentimi si zë më vete në përgatitjen e buxhetit vjetor të kësaj shume të destinuar për sigurinë rrugore dhe investimet në rregullimin e infrastrukturës së dëmtuar, do të ishte një nismë, e cila do të ndikonte ndjeshëm në mirëmbajtjen e rrjetit rrugor dhe në modernizimin e shërbimit policor me mjete dhe teknologji të reja për të rritur cilësinë e shërbimit dhe të kontrolleve profesionale në rrugë. Është e provuar që në BE dhe në SHBA “çdo 1 euro e investuar për sigurinë rrugore sjell 4 euro përftim”. Gjithashtu, shqiptarëve u duhet dhënë mundësia për të minimizuar përdorimin e mjeteve të tyre private nëpërmjet modernizimit të shërbimit të transportit publik. Në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian, shqiptarët shpenzojnë rreth 1500 euro në vit më shumë për shkak të mungesës së transportit publik dhe të mospasjes së një sistemi metroje. Përdorimi në masë i autoveturave dhe mjeteve private shkakton edhe rëndime dhe bllokime të trafikut, ndotje të mjedisit dhe një numër më të lartë të aksidenteve rrugore.

Po ashtu, një e treta e kohës në trafik humbet në mënyrë të panevojshme brenda qyteteve, si pasojë e një menaxhimi të keq dhe joprofesional, mungesës së parkimeve dhe orientimit kaotik të rrymave të trafikut. Sipas studimeve analitike në vendet e BE-së, ngadalësimi i trafikut u kushton ekonomive të këtyre vendeve rreth 5 miliardë euro në vit. “Infotrafiku” është metoda dhe zgjidhja më efikase për qytetet tona në mënyrë që të racionalizohen sistemet e transporteve në qytet, duke reduktuar me rreth 30% aksidentet rrugore dhe duke zvogëluar me rreth 15% trafikun e mjeteve.

Njëkohësisht duhet të ketë koordinim të pushtetit lokal me qeverisjen qendrore. Është imediate që administratat bashkiake në qytetet kryesore të investojnë në sisteme semaforike dhe në monitorimin elektronik të trafikut me sisteme bashkëkohore të automatizuara, për të bërë të mundur një menaxhim efikas të trafikut dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Këshillit të Ministrave do t’i duhet të realizojë në qeverisjen e vet, që në qytetet kryesore dhe me interes turistik me flukse të rritura të trafikut rrugor, implementimin e një skeme monitorimi nëpërmjet sistemeve të integruara të trafikut, duke vendosur sisteme monitorimi me kamera në kryqëzime dhe semaforë, vendosje panelesh informuese dhe ndërlidhjen e tyre me një qendër kontrolli kombëtare me seli në Tiranë, për të pasur në çdo kohë të dhëna për trafikun dhe për flukset e transporteve rrugore. Besoj se sfidat e “luftës absurde rrugore” dhe jeta e shtetasve është gjëja më e shtrenjtë për qeverinë e re. Aplikimi i prioriteteve të mësipërme, i alternuar edhe me masa të tjera parandaluese, së bashku me një reformim total të shërbimit të policisë rrugore, do të bëjë që çdo vit të ulet me 15% numri i aksidenteve dhe me 10% numri i të vrarëve në aksidente.

Intervistoi: Bledi Gilaj

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.