Mësues dhe infermierë në “Albpetrol”, vazhdojnë qindra punësime të reja

albpetrolShoqëria u përdor për punësime në këmbim të votave

Edmond Hoxhaj

Ndërmarrja e vetme naftënxjerrëse shtetërore në vend, “Albpetrol”-i duket se është shfrytëzuar maksimalisht në të gjitha mënyrat e mundshme gjatë kësaj fushate elektorale nga partia që ishte në pushtet. Veç faktit se financat e kësaj kompanie kanë qenë një nga kontribuueset më të mëdha të buxhetit të shtetit, kjo shoqëri u përdor masivisht gjatë muajve të fundit edhe për punësime në këmbim të votave në favor të PD-së. Për shkak të ndryshimit të kontratës së punës mes punonjësve dhe punëdhënësit “Albpetrol”, që parashikon rinovimin çdo vit të saj, një pjesë e mirë e naftëtarëve, rreth 500 “rebelë” që nuk pranuan të anëtarësoheshin në PD të mbeten të papunë më datë 1 qershor, kur edhe mbaronte kontrata e tyre. Këto vende nuk mbetën bosh, por u plotësuan menjëherë dhe duket se listat ishin bërë gati prej muajsh, para se të niste zyrtarisht fushata e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Punësimet

Burime të gazetës janë shprehur se punësimet kanë nisur që prej muajit mars duke arritur pikun në muajin qershor. Të njëjtat burime shprehen se punësimet e reja kanë vazhduar të kryhen edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit. E reja e këtyre punësimeve është kualifikimi dhe arsimimi i qindra personave që duket se përfituan të gjejnë një punë me rastin e zgjedhjeve. Ndonëse ata që u liruan nga puna ishin kryesisht punonjës të mirëmbajtjes dhe kujdesit së mjedisit apo puseve të naftës, tashmë vendin e tyre e kanë zënë persona me arsim të lartë. Por edhe pse CV-të e këtyre të punësuarve janë të kënaqshme, lidhur me sektorin e naftës lënë për të dëshiruar për shkak të specializimit të tyre. Burimet pohojnë se mes qindra të punësuarve gjatë fushatës zgjedhore e më pas, mjaft prej tyre janë me arsim të lartë, të specializuar si mësues, infermierë, sociologë apo degë të tjera të lëndëve shoqërore që nuk kanë asnjë lidhje me sektorin e naftës apo me ambientin. Papunësia duket se i ka detyruar këta rinj me arsim të lartë të shkojnë e të punojnë përkrah naftëtarëve të vjetër, të cilëve tashmë u ka mbetur të kujdesen për mirëmbajtjen e puseve dhe pastrimin nga shkurret apo barërat e egra të ambienteve që zotëron “Albpetrol”-i. Ndërkohë, këta të sapopunësuar gëzojnë kontratën njëvjeçare të cilën mësohet se e kanë përfituar në këmbim të votës së tyre dhe të familjarëve në favor të PD-së. Por, ka edhe nga ata që janë punësuar pas 23 qershorit e në vazhdim që dyshohet se janë punësuar kundrejt favoreve të tjera, pohojnë burimet.

Në kompaninë “Albpetrol” janë rreth 4500 të punësuar, të cilët vazhdojnë të marrin pagën, ndonëse kësaj shoqërie i kanë mbetur më pak se 5% e aseteve të saj. Rreth 1500 punonjës ishin vendosur në gatishmëri që prej vjeshtës së vitit 2011 dhe paguheshin për të mos shkuar në punë në pritje të nxjerrjes së tyre në asistencë. Por afrimi i zgjedhjeve parlamentare i ktheu sërish në punë të gatshmit të cilët thjesht dublonin kolegët, pasi aktiviteti i “Albpetrol”-it është gjithmonë në tkurrje për shkak të dhënieve me koncesion të aseteve të tij. Nga burime pranë “Albpetrol”-it mësohet se në situatën aktuale në këtë kompani nuk nevojitet të punojnë më shumë se 300 specialistë të mirëfilltë të fushës së naftës, si edhe disa juristë e ekonomistë.

Fshesa

Nga janari deri në muajin mars, në administratën shtetërore dhe në kompanitë e varura nga ekzekutivi u ushtrua një trysni ndaj punonjësve duke u kërkuar atyre të anëtarësoheshin në Partinë Demokratike duke siguruar kështu vendin e punës në këmbim të votës. Një situatë e tillë mësohet të ketë ndodhur edhe në kompaninë “Albpetrol” ku deri në mars ju kërkua gjithë punonjësve që të konvertoheshin në demokratë ose në të kundërt do të mbeteshin të papunë. Jo të gjithë punonjësit e pranuan këtë shantazh duke deklaruar qëndrimet e tyre jopolitike. Por këta naftëtarë të cilët refuzuan të ishin pjesë e PD-së u penalizuan më datë 1 qershor kur kontrata e tyre tashmë individuale nuk u përsërit më. Gjithashtu nuk iu rinovuan kontratat e punës edhe militantëve të LSI-së pas hyrjes në koalicion me PS-në dhe partitë e tjera të majta. Fillimisht u synua që në këto vende pune të përthitheshin të zhgënjyerit e PD-së, por një pjesë e tyre refuzoi kujtesën në fund të pushtetit tetëvjeçar. Në këto kushte PD-ja nisi të rekrutojë atë shtresë e cila ishte prej vitesh në kërkim të punës dhe në vështirësi ekonomiko-sociale.

 

Dyshimet

 

Të punësuar prej vitesh,

por nuk jetojnë në Shqipëri

 

Punësimet pa kriter në “Albpetrol” janë denoncuar edhe në të kaluarën. Nga burime të gazetës mësohet se pak vite më parë u denoncua në Prokurorinë e Fierit punësimi i personave të cilët nuk jetonin në Shqipëri. Sipas burimeve, dyshohej se mjaft persona të cilët jetonin dhe punonin prej vitesh jashtë shtetit, apo që nuk paraqiteshin asnjë ditë në punë, përfitonin pagën e plotë vjetore nga “Albpetrol”-i. Bëhej fjalë për militantë të PD-së të cilët u duhej të tërhiqnin vetëm pagën në banka, pa kontribuar asnjë ditë në punë. Por ndonëse Prokuroria e Fierit nisi një procedim penal për këtë çështje nuk u arrit të vihej para përgjegjësisë ligjore ndonjë person konkret. Kjo, sipas burimeve të akuzës për shkak se mangësitë e sistemit të TIM-sit nuk jepnin dot prova konkrete për të vërtetuar se këta punonjës jetonin ose jo në Shqipëri. Gjithashtu, mungesa e bashkëpunimit të zyrtarëve të “Albpetrol” e bëri të pamundur përfundimin e këtij hetimi që mësohet se është pezulluar.

 

Verifikimi

 

Në sitë të gjitha emërimet

e paligjshme në administratë

 

Drejtuesit e ardhshëm të administratës shtetërore do të përballen me një kaos të sektorit të burimeve njerëzore, ku u duhet të kalojnë në sitë gjithë emërimet e kryera gjatë tetë viteve të fundit. Kjo, pasi në mjaft institucione shtetërore punësimet e deritanishme nuk rezultojnë të jenë kryer në bazë të kualifikimit përkatës. Kështu, në sektorin e naftës, mjaft inxhinierë e naftëtarë me përvojë u pushuan nga puna gjatë reformave dhe në vend të tyre mësohet se janë punësuar militantë të PD-së të cilët nuk kanë pasur kualifikime në këtë fushë. Gjithashtu, edhe në sistemin arsimor e të mjekësisë, mjaft punësime janë kryer jashtë kritereve të parashikuara nga Kodi i Punës si dhe janë punësuar më shumë nga numri i lejuar. Nga burime të ndryshme pranë institucioneve shtetërore mësohet se drejtuesit e ardhshëm duhet të nisin një punë selektive për sa u përket burimeve njerëzore dhe detyrave që ata kryejnë. Vetëm një selektim profesional mund të kthejë në identitet dhe ta bëjë administratën eficente, përfundojnë burimet.

Precedenti

Dublime punësimesh në arsim dhe mjekësi

Gjatë katër viteve të fundit, abuzimet me punësimet e paligjshme dhe jashtë kritereve në administratën shtetërore kanë njohur pikun e tyre më të lartë. Më të prekurat kanë qenë sistemi arsimor parauniversitar, mjekësia por edhe ndërmarrje të tjera shtetërore si “Albpetrol” e ÇEZ gjatë muajve të fundit. Mjaft emërime gjatë viteve të fundit në arsim janë kryer duke u mbivendosur në emërime ekzistuese duke bërë që për një vend pune të paguhen dy vetë. Ky fakt është pranuar për gazetën “Shqip” edhe nga zyrtarë të zyrave arsimore, të cilët kanë pohuar se dublimet e mësuesve janë kryer nga paraardhësit e tyre. Këtu dublime janë bërë kryesisht në rastet kur mësueset kanë përfituar lejet e lindjeve. Drejtuesit e zyrave arsimore në qindra raste në Qarkun e Fierit por edhe më gjerë u kanë dhënë emërime definitive zëvendësuesve, edhe pse për atë vend pune ka ekzistuar një emërim definitive i mëparshëm. Gjithashtu, edhe në spitale, në “Albpetrol” e në ndërmarrjen e CEZ Shpërndarje janë kryer gjatë muajve të fundit punësime jashtë numrit të kuadrit të lejuar që parashikohet edhe nga fondi i Ministrisë së Financave. Për këtë arsye qindra të punësuar në administratën shtetërore prej vitesh përballen me mospagesën e tyre të përhershme. Ashtu si në kompaninë naftënxjerrëse “Albpetrol”, edhe në sektorin e arsimit parauniversitar kanë vazhduar punësimet edhe pas 7 qershorit ndonëse në këtë periudhë kishte përfunduar mësimi për nxënësit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Margellic Rramakoni says

    I believe this 100% the truth, bravo Mondi and “Shqip” but I am afraid future administration will do the same, that is tragedy. Rramakoni

Comments are closed.