Fushata, Lezha mbushet me ndërtime pa leje

keshill bashkiak lezhKëshilli Bashkiak kërkon informacion të detajuar për ndërhyrje ndaj tyre

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, Këshilli Bashkiak në Lezhë është mbledhur pas shumë kohësh për të rinisur punën në marrjen në shqyrtim dhe miratimin e vendimeve, që kanë mbetur pezull. Pika kryesore në rendin e ditës kanë qenë ndërtimet pa leje dhe pa kriter të bëra në qytetin Lezhës gjatë këtij viti, sidomos gjatë periudhës së fushatës elektorale. Këshilltarët e kësaj bashkie kanë shprehur shqetësimin se ndërtimet janë të pranishme kudo në të gjithë qytetin. Madje nuk kanë bërë përjashtim nga ndërtimet pa leje edhe zonat arkeologjike. Para këshilltarëve ka raportuar për situatën e këtyre ndërtimeve edhe inspektori i INU në Bashkinë e Lezhës, Bledar Nikolli, i cili u shpreh se janë marrë 72 vendime për prishjen e objekteve dhe janë ekzekutuar 62 prej tyre. Sipas tij, po evidentohen të gjitha ndërtimet e paligjshme në qytet dhe do të ndërhyhet për prishjen e tyre në ditët në vazhdim, duke mos toleruar asnjë person, që ka kryer ndërtime pa leje. Drejtori i Urbanistikës i Bashkisë së Lezhës, Arben Doda, u shpreh se “nuk kemi të drejtë të japim leje ndërtimi deri në hartimin dhe miratimin e planit të përgjithshëm rregullues”, ndërkohë që vuri theksin në zbardhjen e vendimeve të dhëna para tetorit të vitit 2011, pasi sipas tij, nga viti 2011 e deri më sot, Bashkia e Lezhës nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në këtë qytet. Anëtarët e Këshillit të Bashkisë së Lezhës u ndalën në ndërtimet e shumta që janë bërë muajt e fundit në Lezhë, ndërkohë që kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të paraqitet një informacion më i detajuar mbi zbatueshmërinë e vendimeve për prishjen e objekteve të paligjshme. Ndërsa lidhur me pikën e dytë që ka të bëjë me informacionin mbi punën e bërë nga përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak në institucione dhe borde, u theksua se Bashkia e Lezhës duhet të punojë për zbatimin e vendimeve.

A. Bushi

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.