Celibashi: Nuk ka ngërç, Kolegji i jep mandatet

CelibashiIsh-kreu i KQZ-së, Celibashi shpjegon situatën postzgjedhore për vendet e 140 deputetëve

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, kundërshton tezat e përhapura për përfshirjen në ngërç të procesit të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Ndërsa ky term është lakuar ditët e fundit me argumentimin e bazuar në nenin 145 të Kodit Zgjedhor se Kolegji duhet të kthejë kërkesat ankimore për vendimmarrje të detyruar në KQZ dhe ky i fundit në mungesë të 5 anëtarëve nuk mund ta kryejë një procedurë të tillë, Celibashi kundërargumenton duke iu referuar po këtij neni. “Situata në të cilën jemi është e tillë: është miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit për një qark të caktuar. Kundër këtij vendimi të KQZ-së mund të ankohesh në KQZ, por KQZ-ja nuk merr dot vendim për mungesë kuorumi. Atëherë, subjekti zgjedhor i drejtohet Kolegjit Zgjedhor dhe ky Kolegj e shqyrton vetë çështjen, sepse nuk është nga ato rastet që e kthen pas në KQZ për vendimmarrje. Këtë e përcakton neni 145”, deklaron për “Top Channel”, Celibashi. Ndërsa neni 145 i kodit saktëson se “1. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë, kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi. Të drejtën e ankimit, sipas këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor; 2) Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast, Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vendimet e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore në lidhje me vendimet të marra në përputhje me shkronjat “a”, “b” “c” dhe “ç” të nenit 24 të këtij Kodi; 3. Të drejtën e ankimit, sipas këtij neni, e kanë edhe subjektet e përmendura në nenin 6 të këtij Kodi, të cilëve u është refuzuar kërkesa për akreditimin e vëzhguesve. Në rastet kur akreditimi i vëzhguesve u delegohet KZAZ-ve, atëherë e drejta e ankimit, sipas kësaj pike, fillon me ankimin administrativ, në përputhje me nenin 124 të këtij Kodi”. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është dakord as me opinionin e disa njohësve të ligjit apo aktorëve të tjerë në proces se nuk është Kolegji Zgjedhor që certifikon rezultatin e zgjedhjeve: “Edhe nëse KQZ-ja do të ishte e plotësuar nga pikëpamja numerike, për çështje të caktuara shkohet sërish te Kolegji Zgjedhor”. Për sa përket çështjes së Lezhës, për ekspertin e zgjedhjeve, Celibashin, vendimi i KQZ-së ishte antiligjor. “Ky ankim duhet shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor që mund t’i hyjë me themel kësaj çështjeje: krahasim tabelash, hapje kutish votimi etj. Ka të gjithë pushtetin për ta bërë këtë”, thekson Celibashi. Kukësi, Lezha dhe Shkodra do të jenë temat e nxehta të politikës, pasi në to ka ankimime për tre mandate. LSI-ja synon një mandat në Qarkun e Kukësit, PR-ja kërkon një mandat brenda koalicionit të saj në Qarkun e Shkodrës, ndërsa PS-ja kërkon rikthimin e mandatit të hequr nga KQZ-ja. Të gjitha këto çështje që mbajnë pezull dhe shifrën e 84 mandateve të koalicionit të majtë, pritet të jenë objekt i shqyrtimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.