Bunkerizohet ILDKP, mungesë transparence për pasurinë e zyrtarëve

Afatet

 31 Mars 2013

Ishte afati i fundit kur zyrtarët e lartë duhet të bëjnë publike pasurinë e akumuluar në vitin 2012

3 muaj e gjysmë

Është koha që ka kaluar dhe ILDKP nuk ka bërë një listë të zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur këtë detyrim

40 ditë

Kishte ILDKP për t’iu përgjigjur kërkesës së “Shqip” për deklaratat e pasurisë së Kryeministrit dhe ministrave

 

Inspektorati, asnjë informacion për zyrtarët që nuk deklaruan për vitin 2012. Mungesë afati për publikimin e deklaratave

Fatjona Mejdini

dosje 3 1Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i drejtuar nga ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka, nuk jep asnjë afat në të cilin pasuritë e akumuluara nga drejtuesit e lartë të shtetit për vitin 2012 do të bëhen publike. Po kështu, ky institucion nuk ka publikuar ende asnjë bilanc në lidhje me numrin e zyrtarëve të lartë, të cilët i janë bindur ose jo detyrimit për dorëzimin e deklaratës, situatë që përbën shkelje administrative dhe gjobitet. Në një letërkëmbim me gazetën “Shqip” të nisur në datë 4 korrik dhe që ka vijuar deri në datën 10 të këtij muaji, ILDKP loz kukafshehthi në lidhje me detyrimin ligjor për të bërë transparencë në lidhje me deklaratat e pasurisë së drejtuesve më të rëndësishëm të shtetit, siç është Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe po kështu ministrat ende në detyrë. Pavarësisht se kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga momenti kur rreth 4 mijë zyrtarët e lartë që kanë detyrimin për të deklaruar pasurinë e tyre asnjë datë nuk jepet se kur këto deklarata do të bëhen transparente për opinionin publik. Të gjithë zyrtarët e lartë presupozohet se i kanë dorëzuar deklaratat e tyre pranë Inspektoratit deri në datën 31 mars 2013 dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për ecurinë e këtij procesi. Është interesant fakti se në përfundim të këtij procesi, ILDKP nuk ka bërë transparencë në lidhje me numrin e zyrtarëve, të cilët kanë deklaruar pasurinë sipas ligjit apo ata të cilët kanë refuzuar ta bëjnë këtë. Ky institucion nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me procesin e mbledhjes së deklaratave, pavarësisht se zyrtarët të cilët nuk e dorëzojnë deklaratën gjobiten me ligj, dhe gjobat janë të majme dhe në momentin kur informacioni i kërkuar sipas ligjit mungon. Nga ana tjetër, në lidhje me bërjen publike të deklaratave të pasurive, kërkesës së gazetës “Shqip” inspektorati i është përgjigjur me ndryshimet ligjore të bëra në fund të vitit 2012 në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i cili thekson se publikimi i deklaratave bëhet në momentin kur është kryer kontrolli aritmetik e logjik i deklaratave. Ende nuk dihet se çfarë e ka penguar Inspektoratin ta kryejë këtë kontroll, i cili do të donte vetëm një përllogaritje të thjeshtë aritmetike të të ardhurave të zyrtarit brenda një viti dhe shpenzimeve të tij. Por ajo që është më interesante lidhet me faktin se vetë ILDKP e ka nxitur gazetën “Shqip” në shkresën e datës 4 korrik të bëjë kërkesë për bërjen transparente të interesave private pasurore të zyrtarëve dhe shkresë së gazetës të dërguar në 8 korrik ky institucion i është përgjigjur me refuzim për dhënien e informacionit vetëm dy ditë më pas. Ndërkaq, nuk dihet pse ky institucion nuk e ka shfrytëzuar afatin ligjor prej 40 ditëve që jep ligji i datës 30.6.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” për të përpunuar informacionin që gazeta “Shqip” i ka kërkuar mbi bazën e këtij ligji.

logo_ildkpDetyrimi

Në kuadër të detyrimit për të bërë transparencë në media në lidhje me deklaratat e pasurisë të subjekteve të cilat kanë detyrimin ligjor të bëjnë deklaratë, ILDKP ka dhe një tjetër detyrim atë të evidentimit të subjekteve, të cilat nuk kanë bërë deklarimin sipas afateve kohore që jep ligji. Në një njoftim të datës 24 mars 2013, një javë para se të mbyllej afati ligjor për deklarimin e pasurive nga ana e subjekteve, ILDKP thekson se: “Ju rikujtojmë që çdo tejkalim afati në dorëzimin e formularit të deklarimit të interesave private dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë”. Në një kohë kur kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga skadimi i afatit për deklarimin e pasurive për vitin 2012, nuk ka asnjë njoftim mbi subjektet që nuk e kanë plotësuar këtë detyrim  ose e kanë plotësuar atë me mangësi për të cilat ligji parashikon gjobitje.

Transparenca

ILDKP kërkesës së gazetës “Shqip” për të bërë transparencë në lidhje me deklaratat e pasurisë së zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, ministrat dhe Kryetarja e Kuvendit, i është përgjigjur se ende mbi këta subjekte nuk ka përfunduar procesi aritmetik dhe logjik mbi deklaratat, proces i cili ka të bëjë vetëm me një përllogaritje të thjeshtë mbi të ardhurat dhe shpenzimet e vitit. Ky institucion nuk jep asnjë datë në të cilën këto deklarata do të bëhen publike, pavarësisht se deri tani ka pasur tre muaj e gjysmë kohë për të bërë procesin aritmetik e logjik të tyre dhe kur ka pasur 40 ditë kohë ta kryejë këtë proces në emër të kërkesës ligjore të gazetës “Shqip”.

 

 

Transparenca

Inspektorati i është përgjigjur gazetës se nuk ka përfunduar ende procesin e kontrollit logjik e aritmetik të përpunimit të deklaratave, në një kohë kur kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga dorëzimi i tyre.

Procesi

Kontrolli logjik e aritmetik do të kërkonte një veprim të thjeshtë siç është mbledhja e shpenzimeve të zyrtarit për një vit dhe zbritja e shpenzimeve që ai ka kryer po këtë vit.

Afatet

Pavarësisht se ILDKP nuk e ka kryer ende këtë veprim, nuk jep asnjë afat se kur një proces i tillë do të përfundojë dhe deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë do të bëhen publike.

 

Zgjedhja

Ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka, u emërua si drejtuese e ILDKP-së në janar të këtij viti. Kundër kësaj kandidature votoi dhe LSI, atëherë pjesë e mazhorancës.

Zëvendësimi

Xhuka zëvendësoi në këtë detyrë Adriatik Llallën, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i këtij institucioni për shkak të dekretimit të tij nga Presidenti, si Kryeprokuror i Përgjithshëm.

Ndryshimet

Ligji “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, ka pasur ndryshime të shumta në dhjetorin e vitit 2012, me theks tek rritja e transparencës.

Xhuka zëvendëson transparencën e institucionit me atë të letërkëmbimit me “Shqip”

Kërkesa e plotë dhe përgjigjja ndaj një kërkese ligjore të gazetës bëhen publike në faqen e internetit të ILDKP

Fatjona Mejdini

Mungesën e transparencës për sa u përket deklaratave të pasurisë të zyrtarëve të lartë për vitin 2012, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka zëvendësuar me transparencën e letërkëmbimit mes tij dhe gazetës “Shqip”. Kërkesa ligjore e gazetës, në bazë të ligjit nr. 8503, datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” për të pasur deklaratat e pasurisë për zyrtarë të lartë të shtetit si kryeministri Berisha, ministrat e kabinetit dhe po kështu atë të Kryetares së Parlamentit dhe kryebashkiakut të Tiranës ka përfunduar si njoftim zyrtar në faqen e internetit të këtij institucioni. Bashkë me kërkesën e plotë të dërguar nga gazeta është bërë publike dhe përgjigjja që i është kthyer gazetës, duke shkelur kështu rregullat e një komunikimi normal zyrtar mes një media dhe një institucioni. Nuk dihet se pse përgjigjja dhe kërkesa e plotë e “Shqip” është menduar të bëhet publike nga institucioni në një kohë kur ajo i interesonte vetëm redaksisë së kësaj gazete. Me këtë publikim online është shkelur dhe e drejta e gazetës për të kërkuar në konfidencialitet informacione ligjore mbi zyrtarë të cilët kanë detyrimin t’i bëjnë ato publike. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se nga pesë njoftime gjithsej që ky institucion ka publikuar në faqen e internetit, dy i përkasin korrespodencës me “Shqip” dhe tre të tjerët lidhen me njoftime zyrtare të këtij institucioni për sa u përket thirrjeve që iu bëhen subjekteve që kanë detyrimin të deklarojnë brenda afateve pasuritë e tyre.

Publikimi

Në një njoftim të datës 10 korrik 2013 në faqen e internetit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive zbardhet në mënyrë të plotë një kërkesë zyrtare që gazeta “Shqip” ka depozituar në datë 8 korrik 2013 në protokollin e këtij institucioni. Bashkë me këtë kërkesë të plotë, zbardhet dhe përgjigjja që institucioni i ka dërguar redaksisë së “Shqip”. Me një veprim të tillë duket se nga ana e institucionit nuk merret parasysh konfidencialiteti dhe etika normale në komunikimin mes një media dhe një institucioni në rrugë normale. Informacioni i kërkuar nga gazeta “Shqip” nuk mendohej se përbënte interes të gjerë publik për të qenë prezent në faqen e internetit të këtij institucioni, aq më tepër kur ai kërkohej mbi formën zyrtare dhe protokollare bazuar mbi ligjet në fuqi.

Vëzhgimi

Nëse vëren në faqen e internetit të këtij institucioni për vitin 2013 janë bërë publike gjithsej vetëm pesë deklarata ose njoftime për shtyp. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se dy prej këtyre pesë deklaratave i përkasin korrespodencës së gazetës me këtë institucion. Nga ky vëzhgim mund të dilet në konkluzionin se jeta institucionale e ILDKP ka qenë tepër e varfër për vitin 2013.

Numri

Pesë njoftime gjithsej ka bërë ILDKP për vitin 2013, dy prej të cilëve i përkasin korrespodencës me “Shqip”.

Kontrolli

Inspektorati ka bërë publike më datë 10 korrik dhe një listë të gjatë zyrtarësh të rangut të dytë që kalojnë për hetim të plotë.

Njoftimi

Më 7 mars, ILDKP ka bërë publike deklaratën e parë për vitin 2013 dhe ajo i përket çështjes së deputetit Fidel Ylli.

Konferencat

Në më shumë se shtatë muaj të zgjedhjes së saj si drejtuese e ILDKP, Xhuka nuk ka bërë asnjë konferencë për mediat.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

2 Comments
  1. Ndershmeria shqiptare says

    Z. Rama ne do qe Shqiperia te ece perpara dhe ju te hyni e histoine e ketij zhvillimi, duhet filluar puna qe nga sekuestrimi i pasurive mbi roge, te ajduteve politikane,te familjeve te tyre, te tarafit te tyre,ndryshe eshte kotesi.

  2. analisti says

    Ismail ja fute kote,komisioni i gradave drejtohet nga gjeneralet,ti mund te keshe ndonje ankese se nuk ka nderhyre,por nuk ka pasur ndikim direkt.

Comments are closed.