Arrestohet gardisti dhe shoku i tij, morën peng dhe dhunuan një të ri

arrestimTiranë

Ermal Mrriku, kapter në Gardë, dhe Edison Canaj, morën me forcë në makinë një 23-vjeçar

Një punonjës i Gardës së Republikës është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e pengmarrjes. Ermal Mrriku, 27 vjeç, kapter në Gardë dhe shoku i tij, Edison Canaj, akuzohen se kanë marrë peng dhe dhunuar një të ri. Ngjarja ka ndodhur më datë 11 korrik, ndërsa hetimet kanë zbardhur autorët. Komisariati i Policisë nr.6 ka bërë arrestimin e tyre, pasi ka rezultuar se Mrriku dhe Canaj kanë futur me forcë në makinën e tyre 23-vjeçarin R.B, të cilin e kanë dërguar në periferi të Tiranës, ku e kanë rrahur dhe më pas lënë të lirë.

Menjëherë i dhunuari ka shkuar në Komisariatin numër 6, në kryeqytet, ku dhe ka bërë kallëzimin. Një ditë më pas, forcat e policisë së këtij komisariati kanë identifikuar dhe vënë në pranga dy 27-vjeçarët.

Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se shkak për këtë ngjarje ka qenë motra e të dhunuarit, të cilën vëllai ka dashur ta nxjerrë nga shtëpia. Disa vite më parë, ajo ka qenë e martuar me një person, i cili vuan aktualisht dënimin në burgun e Fushë-Krujës, për shfrytëzim prostitucioni.

Ai shfrytëzonte bashkëshorten e tij dhe, sipas policisë, pas prangosjes e dënimit, gruaja, njëkohësisht dhe viktimë e shfrytëzimit të tij, është divorcuar dhe ka shkuar në familjen e prindërve. Sipas të njëjtave burime, ajo ruante kontaktet me ish-bashkëshortin dhe tutorin e saj.

Të njëjtat burime policore kanë pohuar, se kur vëllai ka mësuar që motra e tij kishte ende kontakte me njeriun që e ktheu në prostitutë, i ka kërkuar asaj të dalë nga shtëpia. E trembur se do të mbetej pa strehë, gruaja sërish i ka kërkuar ndihmë ish-bashkëshortit që të ndërhynte për këtë situatë.

I gjendur pas hekurave dhe në pamundësi për të ndërhyrë vetë, ka kontaktuar dy të njohur të tij dhe konkretisht Ermal Mrrukun e Edison Canajn, të cilëve, sipas policisë, u ka lënë porosi që të takojnë vëllain e ish-bashkëshortes dhe ta keqtrajtojnë e kërcënojnë, me qëllim që të mos e nxjerrë të motrën nga shtëpia.

Dy të “kontraktuarit” kanë zbatuar porosinë e mikut të tyre dhe sipas burimeve nga Komisariati numër 6 i Tiranës, e kanë rrahur atë për afro një orë në periferi të kryeqytetit.

Pas denoncimit, ai është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ndërsa dy autorët janë vënë në pranga.

Motivi

I dhunuari ka nxjerrë nga shtëpia motrën e tij, për të cilën dyshonte se ka punuar prostitutë. Tutori i saj, në burg, i ka kërkuar dy autorëve të dhunonin 23-vjeçarin R.B

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Malet Qe Kerkonin Hije says

    Mos e ka fajin uji qe pijne ne Shqiperi ??? ska mundesi te jete ndryshe

Comments are closed.