Nikë e Çesk Muri, asnjë shenjë pendese për vrasjen në Vukatanë

masa e sigurise shkoderNikë Muri ka kërkuar shpalljen të paligjshëm të arrestimit në flagrancë, pasi është dhunuar fizikisht nga Gjin Muri dhe dy vëllezërit e tij dhe nuk ka qëlluar ndaj tyre

Gjykata: Burg për babë e bir, të akuzuar për vrasje brenda familjes

Edhe pse ka vrarë kushëririn e tij të parë, Çesk Muri, bashkë me babanë e tij, Nikë Muri, të cilët janë paraqitur dje për masën e sigurisë në Gjykatën e Shkodrës, nuk kanë shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e kryer. Nëpërmjet avokatit, ata kanë pretenduar se krimi ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikike, megjithëse ky variant është hedhur poshtë nga prokuroria dhe nuk është pranuar nga gjykata, e cila i ka lënë në “burg pa afat”.

Babë e bir, Nikë e Çesk Muri, janë paraqitur dje paradite para togave të zeza, ku akuzohen si autorë të vrasjes së Gjin Murit dhe të plagosjes së vëllait të viktimës, Aleksit. Nikë Muri, babai i Çesk Murit, me anë të avokatit të tij mbrojtës, Xhelal Bajraktari, ka kërkuar shpalljen të paligjshëm të arrestimit në flagrancë, pasi ky i fundit është dhunuar fizikisht nga Gjin Muri dhe dy vëllezërit e tij Aleks e Gegë Muri, dhe nuk ka qëlluar ndaj tyre. Por, sipas avokatit, Çesk Muri, pasi ka parë skenën, i tronditur nga ana psikologjike, ka marrë armën dhe ka nisur të qëllojë në ajër, me qëllim frikësimin e djemve të xhaxhait të tij, të cilët po i rrihnin babanë.

Madje, sipas avokatit, edhe më pas, tre vëllezërit Gjin, Aleks dhe Gegë Muri janë konfrontuar fizikisht me Çesk Murin dhe aksidentalisht ka mbetur i vrarë Gjin Muri dhe i plagosur Aleks Muri. Ky pretendim u hodh poshtë nga kryesuesja e seancës gjyqësore, Valbona Durraj, e cila e shpalli të ligjshëm arrestimin në kushtet e flagrancës të shtetasit Nikë Muri dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg pa afat”. Ndërkaq, Çesk Muri, i cili u paraqit para gjykatës me shenja të dukshme dhune ndaj tij, nuk kundërshtoi pretendimin e prokurores së çështjes, Françeska Lekani, që kërkoi të shpallet i ligjshëm arrestimi në kushtet e flagrancës dhe shpallja e masës së sigurisë “arrest me burg”, si një prej autorëve të vrasjes së Gjin Murit dhe plagosjen e Aleks Murit. Sipas hetimit të kryer nga ana e policisë dhe e prokurorisë, rezulton se personat në fjalë, pjesëtarë të një familjeje, janë zënë fillimisht me mjete të forta dhe më pas, konflikti ka degjeneruar në përdorimin e armëve, nga të cilat janë sekuestruar një automatik pa leje dhe një armë gjahu me leje, të cilat i posedonte i pandehuri Çesk Muri. Ndaj Nikë Murit rëndon akuza për “vrasje brenda familjes”, ndërsa ndaj djalit të tij, Çesk Muri, “vrasje brenda familjes” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas dosjes së policisë, Nikë Muri, 54 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas, në debat janë përfshirë dhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë. Kaq është dashur që mes palëve të fillojë dhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash, gjithçka ka dalë jashtë kontrollit, kur shtetasi Çesk Muri, 23 vjeç, në bashkëpunim me babanë e tij, Nikë Murin, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të djemve të xhaxhait. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 23 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër Muri, vëllai i viktimës. Si të plagosur lehtë nga goditja me sende të forta kanë mbetur dhe dy autorët e ngjarjes, babë e bir, Nikë dhe Çesk Muri. Mësohet se të katër të plagosurit e dy familjeve të përfshira në konflikt, Mark dhe Nikë Muri, janë jashtë rrezikut për jetën. Red. Akt.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.