Dragonjtë e vjetër e të rinj dhe mjerimi i zbritjes

Sali Rexhepi*

“Dragoi, kur hipi në majë, nisi të mendojë për mjerimin e zbritjes”. Është kjo një fjalë e urtë popullore kineze ku duket qartë që filozofi-popull ka dashur të thotë se ngjitja është më e lehtë se zbritja, se gjatë ngjitjes, sidomos kur je në majë, duhet të mendosh dhe për zbritjen, pra të planifikosh qysh në ngjitje një zbritje të lehtë pa vuajte! Të hipësh në majë, e në shkrimin tonë, e kemi fjalën për majat e pushtetit, ndonjëherë nuk është edhe aq e vështirë. Ka plot raste që ky objektiv arrihet në mënyrë të pandershme, me miqësi, shoqëri, ku sigurisht paraja dhe partia bëjnë punën e vet, prandaj dhe mjerimi i zbritjes është i madh tek ata që kanë hipur në majë me hile, që janë sponsorizuar nga të tjerët për këtë ngjitje e rrjedhimisht kur të zbresin nga maja u duhet të lajnë edhe disa borxhe që mund t’u kenë mbetur kur kanë qenë atje lart.

Këto po mendoja këto ditë pas zgjedhjeve, kur në fytyrat e disa pushtetarëve, që pritet të zbresin nga majat, shikohet pasiguri, trishtim e në mjaft raste mjerimi i zbritjes. Në fakt, mjerimi i zbritjes nga pushteti po përjetohet në mënyra të ndryshme. Më keq po e përjetojnë ata që këtë pushtet e kanë kapur pa asnjë meritë profesionale të veçantë, por vetëm se kanë qenë militantë të thekur partie. Këta tipa, që më së shumti i kanë shërbyer pushtetit dhe vetes së tyre, e kanë të vështirë të adaptohen me punën e ndershme.



Grup tjetër që përjeton me mjerim këtë zbritje janë ata që këto maja i kanë arritur vetëm nga nepotizmi, thënë ndryshe nga njohja farefisnore apo nga krahinizmi që kanë pasur me “dragonjtë” e mëdhenj të pushtetit, e shprehur kjo sidomos në disa dikastere. Fatkeqësisht frikë nga humbja e vendit të punës ose e zbritjes në detyrë kanë edhe mjaft nëpunës të aftë profesionalisht, pra nëpunës karriere të kualifikuar brenda e jashtë vendit, për të cilët ata që do të hipin në majë duhet t’u bëjnë një vlerësim real. Së fundi, është e qartë se filozofia e fjalës së urtë popullore që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, këshillat dhe apelin e ka më tepër për “dragonjtë” e rinj që do të hipin në majë në mënyrë që ata të mos përsërisin gabimet e paraardhësve apo aq më keq, të mos bëjnë gabime të reja, por të mendojnë që tani që mjerimi i zbritjes të jetë sa më i lehtë.

 *Ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë


Comments are closed.