Xhamia-muze e Korçës, nis restaurimi me fondet e Turqisë

Objekti i kultit shpallur monument kulture do të ketë afreske të Mekës dhe Medinës

xhamia-e-KorcesXhamia-muze e Korçës, e njohur me emrin e njeriut që nëpërmjet ndërtimit të saj i dha fillesat e para qytetit, Iljaz bej Mirahorit, ka nisur të restaurohet plotësisht. Ky objekt kulti i rrallë si për nga ana arkitekturore, historike dhe kulturore por edhe nga e veçanta e kupolës prej plumbi, pas disa ndërhyrjesh restauruese, tashmë është në një fazë përtëritjeje të plotë si nga ana e brendshme edhe e jashtme e ndërtesës së xhamisë. Ashtu siç ishte parashikuar nga financimi turk i Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) restaurimi i pesë xhamive të vjetra në vendin tonë dhe një ndër to edhe xhamia e shpallur monument kulture i kategorisë së parë në Korçë, puna ka filluar që këtë verë për zbatimin e projektit. Në ambientet e jashtme të xhamisë, duken se angazhohen prej disa ditësh një grup specialistësh turq që kanë marrë përsipër restaurimin e godinës, ndoshta kjo faza e fundit e një restaurimi të plotë të kësaj xhamie-muze. Financimet do të shërbejnë që pas rehabilitimit të kupolës prej plumbi apo çatisë të realizohet ringritja e minaresë së shkatërruar nga tërmeti, ndërtimit të një hamami e investimeve të tjera. Myftiu i këtij qyteti, Haxhi Qazim Muçi, thotë se puna e nisur këto ditë ka të bëjë me prishjen e suvasë së brendshme të xhamisë dhe pas restaurimeve të brendshme do të pikturohen edhe afresket që janë piktura të Mekës dhe Medinës. Nga ana e jashtme, xhamia do të restaurohet me gdhendje në nuancat e gurit siç ka qenë më parë ky objekt kulti i kohës osmane. Sipas Myftiut të Korçës, në sajë të punës së specialistëve turq, besimtarët myslimanë por edhe vizitorët e shumë vendas e të huaj, do të shohin xhaminë e Iljaz bej Mirahorit plotësisht të restauruar nga mesi i muajit tetor të këtij viti, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai përmend ndërkaq investime të viteve të kaluara që duket se ia kanë arritur t’i kthejnë fizionominë e vërtetë kësaj xhamie unikale, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Një ndër ta ka qenë ai prej 120 milionë lekësh për ringritjen e minaresë disa vite më parë, e shkatërruar nga tërmeti i vitit 1960 në Korçë.

Sakaq, ish-Medreseja apo shkolla e ngritur pranë xhamisë se Iljaz bej Mirahorit, është rrafshuar tërësisht, duke ngjallur edhe ankesa të komunitetit për prishjen e një prej objekteve më të vjetra të qytetit. Por, Muftiu i Korçës thotë se specialistë të ndryshëm që panë gjendjen e ndërtesës njëkatëshe kanë vlerësuar se ajo ishte në prag të shkatërrimit të saj dhe krejtësisht e pabanueshme, prandaj u vendos të prishet. Në vend të saj, është parashikuar të ndërtohet një godinë trekatëshe, edhe kjo në funksion të komunitetit mysliman dhe përfaqësuesve të tij në Korçë. Gëzim Ashimi









Comments are closed.