Kroacia, zyrtarisht në BE më 1 korrik

PXL_110624_686Presidenti Josipoviç: Me BE-në kemi mundësi të luftojmë krizën ekonomike

Kroacia të hënën do t’u bashkohet 27 vendeve të bllokut europian, ndërsa anëtarësimi i saj pritet të festohet në mbarë vendin. Aderimi i saj në Bruksel shihet si një triumf i projektit europian për t’iu afruar Ballkanit. Por sfida të mëdha qëndrojnë përpara për shtetin e ish-Jugosllavisë me një ekonomi të lëkundur, papunësi të lartë dhe konkurrencë të ashpër.

Për 14 vjet në rrugën drejt Bashkimit Europian bisedimet e Kroacisë kanë qenë të vështira për shkak të luftimeve të brendshme politike, problemeve me fqinjët dhe çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi perfekt nga 1 korriku,-është shprehur në një intervistë Presidenti kroat, Ivo Josipoviç, – por së bashku me BE-në, ne kemi mundësi të luftojmë krizën ekonomike më mirë sesa të jesh i vetëm”. “Kroacia e sheh BE-në, kryesisht si një projekt paqeje dhe një treg të përbashkët ekonomie”,-ka shtuar Presidenti. Josipoviç tha se Kroacia dëshiron të ndihmojë fqinjët e saj ballkanikë “politikisht dhe teknikisht” për të fituar anëtarësimin në BE. Vendi ballkanik është shkatërruar nga një luftë që vrau rreth 10 mijë njerëz dhe shkaktoi qindra mijë të pastrehë, kur minoriteti serb në Kroaci u rebelua kundër shpalljes së pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991. Megjithatë, duke pranuar se Kroacia ka bërë përparime të mëdha në kapërcimin e luftës dhe autoritarizmit, nuk janë këto arsye bindëse se pranimi i vendit në BE mund të jetë i parakohshëm.

Kriza zbeh anëtarësimin e Kroacisë në BE

Flamuri i Kroacisë është shtuar përkrah 27 flamujve të tjerë të Bashkimit Europian në hollin e hyrjes VIP në ndërtesën e Këshillit të Europës në Bruksel. Gjithashtu është shtuar edhe mikrofoni në tavolinën ku përfaqësuesi kroat do të ulet. Në datën 1 korrik viti 2013 Kroacia do të bëhet anëtari i 28 i Bashkimit Europian, por duket se kriza ekonomike që ka prekur këtë vend ka zbehur rrugëtimin e gjatë dhe mundin e madh. Ndërkohë që në Bruksel bëhen përgatitjet, në Kroaci ka shumë pak shenja euforie nëse e krahasojmë me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, kur iu bashkuan bllokut në vitin 2007. Kroacia bëhet pjesë e Bashkimit Europian në një kohë kur ekonomia vendase është në kontraktim të vazhdueshëm për të 4-in vit me radhë, ndërsa papunësia, borxhi dhe deficit buxhetor janë në nivele shumë të larta. Rrugëtimi i Kroacisë për anëtarësim në BE ka zgjatur më shumë se 12 vjet. Por në prag të anëtarësimit në BE në Kroaci mungon entuziazmi. Papunësia e lartë, bujqësia e pashpresë dhe industria e rrënuar nuk japin shkas për të festuar. Një vend në kufijtë e depresionit. “Mladi, napustite Hrvatsku” (“Të rinj largohuni nga Kroacia”) është shkruar me shkumës midis dy ndërtesave në një rrugicë jo larg qendrës së qytetit. Është një apel për rininë, për ta kërkuar të ardhmen gjetiu. Sepse vendi i tyre nuk ka ç’u ofron. Kroacia gjendet prej pesë vitesh në një krizë të thellë. E megjithatë, Brukseli konstatoi në një dokument 15-faqësh pjekurinë e vendit për t’u anëtarësuar. Kësisoj Kroacia po i heq këmbët zvarrë drejt BE-së (me gëzim të përmbajtur).





1 Comment
  1. disqus_kO5U55GK7P says

    krizat e bashkuara te evropes!

Comments are closed.