Serbia blen avionë nga Rusia

Gjeopolitika

Shteti ballkanik ka shpallur asnjanësinë e armatosur në skenën botërore

rusia dhe serbiaKrerët e Serbisë kanë shkuar për vizitë në Rusi. Temat kryesore do të jenë mbështetja ruse në çështjen e Kosovës dhe blerja e avionëve ushtarakë rusë, gjë që ka shkaktuar komente të shumta kundërthënëse.

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vuçiq, është takuar me homologun e tij rus, Sergej Shojgu, ndërsa Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, do të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin. Në prag të këtyre takimeve është thënë se tema kryesore do të jetë mbështetja ruse ndaj politikës së Serbisë për Kosovën. Mbështetja ruse ka një domethënie shumë të fuqishme për Serbinë, mendon komentatori i gazetës “Politika”, Slobodan Samarxhija. Por mbetet të shihet se cilat janë reagimet ruse, pas heqjes dorë të Beogradit nga qëndrimet e ngurta ndaj Kosovës. Shikuar nga deklaratat e para, Moska zyrtare nuk ka asgjë kundër marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nëse marrëveshja me të vërtetë është ashtu siç po prezantohet në Beograd, atëherë me siguri që do të ketë edhe mbështetjen e Rusisë. Rusia është e vetëdijshme se Serbia i takon kësaj pjese të Europës dhe ka nevojë për mbështetje nga Brukseli. Por me kusht që këto raporte të mos jenë në dëm të Rusisë”, mendon ai.

Një pjesë shumë e rëndësishme e vizitës së Aleksandar Vuçiq në Moskë janë bisedimet për blerjen e avionëve ushtarakë rusë. Serbia dhe Rusia po bisedojnë për blerjen e gjashtë avionëve Mig 29-M2 dhe sistemeve radare. E gjitha kjo do të kushtojë, sipas disa vlerësimeve, rreth 400 milionë dollarë. Kjo tregti ka shkaktuar reagime të shumta, sepse disa analistë mendojnë se Serbia do të duhej të blinte avionë në Perëndim, ndërsa të tjerët thonë se Serbia duhet të kursejë dhe këto para t’i shfrytëzojë për mbulimin e deficitit në buxhet.

Sllobodan Samarxhija mendon se kjo është më shumë një pjesë e bashkëpunimit teknik. “Kjo më shumë i takon bashkëpunimit teknik mes industrisë ushtarake ruse dhe serbe sesa një bashkëpunimi klasik ushtarak”, pohon ai.

“Sinqerisht shpresoj se vizitat në Rusi nuk do të kalojnë në kërkim të parave nga Moska, por do të bisedohet për mundësitë e investimeve”, thotë për “Deutsche Welle” ekonomisti Aleksandar Stevanoviq. Kohët e fundit janë përmendur shifra të mëdha të kredive dhe ndihmave financiare për Serbinë. Por Stevanoviq nuk e beson që Rusia është e gatshme të hedhë para kot. “Nuk e besoj se në fund do të ketë ndihma të mëdha. Sikur të dërgonin shumë ndihma, me siguri që në Serbi do të shpërthente një valë e re dashurie ndaj Moskës dhe nuk do të kishte gatishmëri politike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ky problem do të zgjaste me vite të tëra. Ndaj edhe nuk është keq që Rusia nuk po e ndihmon tepër Serbinë financiarisht”, pohon ai.

Aleksandar Stevanoviq thotë se investimi në siguri nuk është kurrë tepër i shtrenjtë. “Ndaj nuk kam asgjë kundër, nëse investohet në blerjen e avionëve rusë, ndonëse do të ishte më mirë të orientohemi drejt organizatave që garantojnë liri e pavarësi, dhe në këto organizata nuk bën pjesë Rusia”, shton ai.

Kritikët nuk janë të sigurt nëse Serbia me këtë tregti po ble avionë apo mbështetjen ruse? “Rusët me siguri që nuk do të na vlerësojnë më shumë për këto veprime, ndërkohë që në këtë mënyrë ia kthejmë shpinën SHBA-së. Në fund të fundit ne do të paguajmë çmimin e këtij ekzibicionizmi. Në këtë mënyrë vetëm dëshmojnë se nuk kemi një politikë konsekuente diplomatike. Por shpresoj se blerja e këtyre avionëve nuk do të pengojë ardhmërinë tonë eventuale në NATO, sepse ka dhe vende të tjera, të cilat në NATO janë futur me avionë rusë”, pohon ai.









Comments are closed.