SHBA: Me një KQZ të bllokuar, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen më 23 qershor

KQZ – “Megjithëse i njohim shqetësimet për ndryshimet në balanca, ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor, që vë në pikëpyetje votimin e datës 15 prill në Parlament”

Data – “Pavarësisht kësaj, duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin më 23 qershor. Do të shohim se si do të vazhdojë procesi

Arvizu – “Për çdo rast, me një ambasador të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të fortë diplomatike këtu, ne do ta ndjekim me vëmendje situatën zgjedhore ndërsa përparon”

Uashington – “Më lejoni t’ju theksoj interesin shumë të lartë në këto zgjedhje. Do të ketë një numër diskutimesh publike mbi zgjedhjet, përfshirë në Kongresin e SHBA-së, gjatë javëve në vazhdim”

Moore 

I dërguari i Departamentit të Shtetit flet pas negociatave: Mbështesim Arvizun

Ylli Pata

Kerry – “Mund t’ju them se këto pikëpamje ndahen nga pasuesi i saj, sekretari Kerry, nga të gjithë në qeverinë e SHBA-së dhe nga Kongresi i SHBA-së.”

Për Islamin – “Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që kishte presion të drejtpërdrejtë nga protestues para shtëpisë së një anëtari të Parlamentit. Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar.”

Kuorumi – “Ne do të donim të shihnim anëtarësinë më të plotë të mundshme të KQZ-së. Më thanë se me më pak se pesë anëtarë, nuk do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje.”

Moore Arvizu & BerishaI dërguari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Jonathan Moore, deklaroi dje, se nëse nuk plotësohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, atëherë nuk do të mund të votohet më 23 qershor. Në një konferencë shtypi të mbajtur pas të gjitha takimeve të zhvilluara në Shqipëri, zyrtari i lartë i DASH-it ishte i qartë:

“Ne diskutuam në disa nga takimet e djeshme ngjarjet e së hënës në Parlament. Siç ambasada jonë e ka bërë të qartë, megjithëse ne i njohim disa nga shqetësimet për ndryshimet në balanca me formatimin e koalicioneve parazgjedhore, ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor, që vë në pikëpyetje votimin e datës 15 prill në Parlament. Pavarësisht kësaj, duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin më 23 qershor. Do të shohim se si procesi do të vazhdojë.” Ky ishte qëndrimi thelbësor, i cili është përforcuar me deklaratën se qeveria amerikane dhe Kongresi Amerikan do të merren ditët e ardhshme me zgjedhjet shqiptare dhe do të lëshojnë deklarata të posaçme. Dhe pikërisht pas kësaj, Moore ka mbrojtur fuqishëm ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili kundërshtoi hapur pak ditë më parë shkarkimin e anëtarit të KQZ-së. “Për çdo rast, me një ambasador të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të fortë diplomatike këtu, ne do ta ndjekim me vëmendje situatën zgjedhore ndërsa përparon. Presim të shohim mbërritjen e një misioni afatgjatë vëzhguesish nga OSBE-ja. Si vizitor nga Uashingtoni, më lejoni t’ju theksoj interesin shumë të lartë në këto zgjedhje. Do të ketë një numër diskutimesh publike mbi zgjedhjet, përfshirë në Kongresin e SHBA-së, në javët në vazhdim”, deklaroi në konferencën e shtypit pas takimeve. Por realisht çfarë arriti në negociatat e tij, drejtori i zyrës për Euroazinë në DASH, pas takimeve me Kryeministrin Berisha? Në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të qeverisë, bëhet e ditur se Berisha nuk ka pranuar që të rikonfigurohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Kryeministri Berisha nënvizoi se balancimi politik i KQZ-së dhe të gjithë administratës zgjedhore, është guri i themelit që ka çuar në përmirësimin shumë të madh të procesit zgjedhor, që nga viti 2005 deri sot, dhe se ruajtja e këtij parimi, si dhe integriteti i çdo anëtari, ka rëndësi themelore për mbarëvajtjen dhe besimin e të gjitha palëve në proces. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha shprehu shqetësim për politizimin e mëtejshëm nga zoti Rama të çështjes së KQZ-së nëpërmjet tërheqjes së dy anëtarëve dhe shprehu shpresën se Partia Socialiste do të plotësojë brenda afateve ligjore anëtarësinë e KQZ-së”, theksohet në njoftimin e zyrës së shtypit të qeverisë. Por zyrtari i lartë i DASH-it, deklaroi në konferencën për shtyp, se “ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që kemi parë. Ka një nivel të lartë tensioni politik para këtyre zgjedhjeve, me pikëpyetje e akuza mbi çështjen e ligjshmërisë”. Moore ka shprehur besimin se qytetarët shqiptarë do ta lexojnë drejt qëndrimin e SHBA-së pa nevojën e interpretimeve. “Kam shumë besim se qytetarët e Shqipërisë janë në gjendje të interpretojnë deklaratat diplomatike, pavarësisht nëse janë të rinj që kanë gëzuar anëtarësimin në NATO për këto vitet e fundit apo brezi më i vjetër që u ka mbijetuar 40 viteve diktaturë nën Enver Hoxhën. Jam i sigurt që ia dalin shumë mirë të lexojnë midis rreshtave”, deklaroi zyrtari i lartë i DASH-it.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.