Nuk ekziston në regjistër, e dënojnë

Në kërkim të emrit

38-vjeçarja Luljeta Kasa nga Elbasani bëri 5 vjet burg për gabimin e gjendjes civile

“Kur shkova në Itali, më thanë se emri im nuk ekziston në Shqipëri dhe më dënuan për letra false”

Bardha Nergjoni

Luljeta KasaZhdukja e emrit nga regjistrat e gjendjes civile i ka kushtuar shumë një 38-vjeçareje, e cila sot po jeton një “jetë të dytë”. Në mënyrë të çuditshme, emri i saj nuk ekzistonte në asnjë regjistër dhe për këtë arsye, ajo ka bërë pesë vite burg në Itali, ku është dënuar për falsifikim dokumentesh, pasi me vete mbante pasaportën me emrin e saj të vërtetë. Historia vjen nga fshati Vidhas i Komunës Papër në Elbasan, ku 38-vjeçarja Luljeta Kasa ka rinisur jetën pas burgut për fajet e të tjerëve.

Askush nuk di ta shpjegojë faktin se si dhe kur u fshi nga regjistrat e gjendjes civile, por në vitin 2006, përpjekjet e saj kanë qenë të mëdha për t’u rikthyer “në jetë”. Madje iu desh të paguajë edhe një avokat me një shumë prej rreth 400 mijë lekësh të vjetra. Megjithatë, telashet për të nuk kanë të sosur. Tashmë, ajo nuk përfiton asnjë shërbim nga njësia vendore. Ajo thotë se e bën publike historinë e saj që raste të tilla të mos përsëriten nga punonjës të gjendjeve civile, që fshijnë e shtojnë njerëz kur iu teket, duke i ndërlikuar jetën siç edhe i ka ndodhur 38-vjeçares. “Kam ikur në Itali në vitin 1994. Punoja në punë të ndryshme dhe në bazë të kontratave të punës, rinovoja dokumentet. Kam pasur pasaportë të rregullt kur ika nga Shqipëria. Kaluan vite dhe aty nga viti 2002, kur shkova të rinovoj dokumentet në kuesturë, emri im nuk rezultonte më. Ata më thanë që nuk ekzistoja. Kjo më hapi shumë probleme, sepse më akuzuan për falsifikim dokumentesh. Madje, bëra pothuajse pesë vjet burg për këtë gjë dhe askush nuk e dëgjoi zërin tim”, rrëfen ajo për “Shqip”. Sapo Luljeta mbaroi burgun është rikthyer në vendlindje. Kur shkon të kërkojë dokumentet, mëson se emri i saj ishte me vizë të kuqe. Edhe pse kërkonte shpjegime, askush nuk i dha arsyen pse ajo ishte fshirë. “Tani jam regjistruar, por me lekë. Jam paraqitur dy-tre herë, por ajo nuk më regjistronte. Pasi mora avokat, atëherë u regjistrova si banore e Komunës Papër. M’u desh të paguaja për këtë, pavarësisht se jam banore e kësaj zone, që kur kam lindur. E kam pyetur pse emri im ishte me vizë të kuqe dhe ajo më ka thënë se nuk e dija që figuroje fare tek kjo familje. Punonjësja e gjendjes civile më tha se nuk e dinte që familja ime kishte edhe një vajzë tjetër, e cila isha unë”, rrëfen 38-vjeçarja për historinë e saj. Por ajo vazhdon ende të shqetësohet se do të fshihet sërish nga regjistrat e gjendjes civile. Kjo i vjen nga frika se aktualisht kërkon ndihmë për të përfituar mbështetje ekonomike. Gruaja është e vetme, me trauma të mëdha në jetë, e papunë dhe në vështirësi. “Tani jam regjistruar. Kështu thonë, por ku ta di unë. Këto gjëra i bëjnë prapë. I heqin e i vënë se janë mësuar të marrin lekë. Më detyruan të merrja një avokate. Unë kërkoj që ajo nëpunëse të ecë drejt. Ka pasur edhe të tjerë me probleme, por që kanë heshtur”, tregon Luljeta Kasa. Faktin e zhdukjes së emrit e pranon edhe komuna. I pyetur mbi rastin, kryetari i Komunës Papër, Shefqet Bullari, tha se gruaja ka qenë e çregjistruar, gabim që ka ndodhur para vitit 2006. Pas këtij viti, ajo është regjistruar dhe nuk ka probleme me dokumentacionin e saj. Ai theksoi se ajo mund të përfitojë ndihmë ekonomike, por për këtë duhet të plotësojë dokumentet. Kjo duket një vështirësi më vete për Luljetën, e cila nuk ekziston për disa vite dhe do të duhet të rikuperojë ekzistencën e saj në vendin e lindjes.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.