Meta: Nuk kemi më KQZ, por opozita nuk i braktis zgjedhjet

Intervista

Kreu i LSI-së në “Top Story”: Biseda me Berishën para largimit

Basha – “Raportin më special e kam pasur me z. Berisha, natyrisht dhe me z. Basha kam pasur një komunikim shumë të mirë dhe para se të futej në politikë, por nuk kam pasur ndonjë marrëveshje me të”

Berisha – “Berisha është një personazh kompleks, ka energji, por varet sesi do i përdorë ato. Ka nevojë për këshilltarë të mirë për të arritur të përmbahet për sa u përket situatave të ndryshme politike”

Aleancat – “Probabiliteti për të bërë aleancë me PD-në pas zgjedhjeve është zero. Zgjedhja jonë ka një angazhim të qartë, se do të vazhdojë dhe pas zgjedhjeve, cilido të jetë rezultati. PS-LSI është marrëveshje afatgjatë”

21 janari – “Qëndrimi ynë është i palëkundshëm, që drejtësia duhet të thotë fjalën e saj të fortë për këtë çështje, e pavarur nga politika. Shpresoj se dhe 23 qershori të bëjë që kjo të ndodhë sa më shpejt”

Ilir Meta ne Top StoryKreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi dje, se në rast se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, do t’i kishte kërkuar largimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, ai do e bënte atë. Në një intervistë për “Top Story”, përballë gazetarit Sokol Balla theksoi se ai me Ramën nuk kishin bërë ndonjë marrëveshje për të pasur në KQZ dhe në komisionet e tjera shumicën e anëtarëve. Por, sipas Metës, tashmë situata me PD-në ka shkuar larg dhe kjo parti ka humbur logjikën me ndërhyrjen brutale që bëri në KQZ. Nga ana tjetër, Meta foli dje për raportet e tij politike, me Berishën, Ramën e Lulzim Bashën, si dhe për bindjen se koalicioni i majtë do të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit.

Çfarë ndjesie është të riktheheni përsëri në opozitë?

Në politikë kam hyrë si opozitar dhe si një parti opozitare. Kjo ndjesi është e njohur mirë tashmë.

Më kujtohet kur ishim në këtë studio në muajin prill. E habitshme se sa shumë gjëra ndodhin në një vit?

E vërtetë, por ndryshimet më të mëdha nuk kanë ndodhur akoma, do të jenë ato në tre muajt e ardhshëm.

Le t’i kthehemi temës së ditës, KQZ-së. Përtej argumentit politik, argumenti i dytë i mazhorancës është ai i pakorrektësive në CV-në e zotit Muho. A mendoni se ishte një gafë naive ajo e mosdeklarimit?

Lidhur me pretendimet e pseudomazhorancës, sepse e tillë është tashmë, mund të them se ka humbur logjikën, kontrollin, arsyen dhe çdo lloj përgjegjësie përpara vendit. Nuk e përtypin dot atë rotacion të domosdoshëm, të pashmangshëm dhe të sigurt. Ajo që ndodhi me minimin e pavarësisë së KQZ-së, ka të bëjë me prishjen e standardit të zgjedhjeve, në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, e në mënyrë të njëanshme. Natyrisht që do të ketë ndikim, por mendoj se në fund do të jetë pozitiv, në drejtimin e një angazhimi më të madh të opozitës dhe të të gjithë shqiptarëve. Në rastin konkret, është një gënjeshtër e madhe preteksti se ky person kishte problem ligjor, është një mashtrim i hapur, që erdhi si reagim pas panikut të një kundërshtimi të gjerë dhe të ashpër për nismën e politizimit ekstrem të KQZ-së dhe gjoja arsyetimit se KQZ-ja është politike, diçka që bien ndesh me përcaktimin e Kushtetutës. Ndaj zotërisë është marrë një masë administrative, kjo është e vërtetë. Për përgjegjësinë e tij të vlerësimit të aktit të një vartësi dhe ky prokuror, që gjithashtu u shkarkua, e fitoi në Gjykatë të Lartë pretendimin e tij. Për rastin e Muhos ka pasur një dekret të Presidentit Moisiu, nuk ka asnjë fshehje, por edhe sikur të ishte kapur me një kundërvajtje të vërtetë, koha e rehabilitimit, e përcaktuar në ligj, ishte shlyer. Qëndrimi i dyfishtë i Partisë Demokratike është i habitshëm, e mund t’ju them që kryetari i mëparshëm i KQZ-së, i propozuar nga kjo mazhorancë, ka qenë i arrestuar nga Presidenti Berisha dhe madje edhe i dënuar, por edhe për ata që dënohen penalisht ka procedura rehabilitimi, prandaj asnjëherë nuk është përdorur si argument. PD-ja po kalon në një arrogancë të madhe në cenimin e institucioneve, me qëllim që të kontrollojë të gjithë jetën politike dhe ky përbën një shqetësim për demokracinë, standardet europiane që duhet të ketë shoqëria. Jemi në një moment që standardi i zgjedhjeve është dhunuar, por kjo nuk do të pengojë në asnjë mënyrë rotacionin, pasi opozita është e motivuar, e ka mundësitë dhe instrumentet për të mbrojtur fitoren plebishitare.

Përpara se të shkojmë te tema e zgjedhjeve, duhet të pyesim se çfarë do të ndodhë me KQZ-në? PS-ja tha se nuk do të propozojë emra të rinj. A do ta bëjë këtë LSI-ja?

LSI-ja nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. Ne sot nuk kemi një KQZ, nuk është më siç e përcakton Kodi, e pavarur. Nuk është dhunuar vetëm një person, që u hoq në mënyrë të paligjshme, por u dhunua institucioni. Ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Në përpjekjen për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme nuk mund të bëhet lojë edhe opozita.

Po shohim një seri braktisjesh të opozitës, nga KQZ-ja, te zëvendëskryetari i Kuvendit, Nasip Naço, që paraqiti sot dorëheqjen e tij.

Opozita nuk po braktis asgjë, përkundrazi do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Po kështu, opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, por afrimin nëse ka mundësi. Opozita ka çdo kapacitet dhe instrument për të garantuar dhe një votë të vetme, kudo që ndodhet në të gjithë vendin. Sot, të gjithë projektorët brenda dhe jashtë vendit janë fokusuar te Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolut mbi çdo institucion do të imponojë shumica që nuk ekzistojnë, pasi shumica është tjetër. Në të gjitha zgjedhjet PD-ja ka qenë pakicë, e majta është shumicë, pavarësisht historive që të gjithë i dinë shumë mirë. Në qoftë se do, le ta mbajë KQZ-në siç do, le ta bëjë shtatë me zero, siç ka qenë në vitin 1996. Opozita sot është në një start tjetër, është e bindur që të garantojë një rotacion të pashmangshëm dhe të sigurt.

Por, a do të shkojë opozita drejt një braktisjeje të mundshme të zgjedhjeve?

Jo, ju siguroj ama që nuk ka asnjë shans për bojkot të zgjedhjeve. Berisha duhet të gjejë si do të dalë nga kjo situatë, me dinjitet, reflektim apo ndonjë mënyrë tjetër, pasi rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, as të paguajë me miliona dollarë për “Podesta”-n, që manipuloi deklaratën e Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore, e këto janë fonde që merren nga taksapaguesit.

Ndryshimi do të ndodhë në mënyrën më absolute, nëse Berisha reflekton do t’i bëjë një të mirë vendit dhe partisë së tij, pasi ndryshe do të hyjë në trashëgimi si prishës dhe manipulues i zgjedhjeve, e sjelljeve të papërmbajtura që nuk i takojnë një Kryeministri të një vendi anëtar i NATO-s. Mua më vjen keq që ne të konsiderohemi një regjim hibrid si Uganda. Janë gjëra të palogjikshme. Kishte një marrëveshje për kodin, dëshiron një ndryshim? Kërko marrëveshje me PS-në dhe përfshi edhe ata të OSBE-së, bashkëhartues të kodit. Si mund të paraqesësh tri motivacione të ndryshme brenda një seance. Në një vend të zhvilluar europian nuk mund të ndodhë kurrë diçka e tillë? Kjo ndodh si rrjedhojë e një paniku propagandistik, për manipulimin e zgjedhjeve nga opozita, që kjo është një çudi e paparë e ju siguroj që jemi vendi i vetëm në botë që mazhoranca ka frikë nga manipulimi i opozitës.

Megjithatë, duke dashur të gjeni një lloj logjike, duket se lëvizja e mazhorancës në KQZ ka një sens balancimi, sepse kalimi i LSI-së i ndryshoi raportet te KQZ-ja dhe te komisionet e numërimit?

Kjo nuk është gjë tjetër por spekulim. Argumenti i vetëm është ligji. KQZ-ja është institucion kushtetues i pavarur dhe mandati i anëtarëve është gjashtë vjet, nuk është katër, por gjashtë. Tjetra, që është shumë e rëndësishme, institucionet e tjera si KZAZ janë të përkohshme, vetëm për një palë zgjedhje dhe atje kanë partitë rol kryesor. Absolutisht që gjithçka do të bëhej këtu në frymën e kodit dhe strukturave të tjera, por kjo është një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku ne mund të jemi i vetmi vend në botë ku thuhet se opozita do të manipulojë zgjedhjet.

Ju thoni që zgjidhja mund të ishte gjetur edhe nëpërmjet mbajtjes së negociatave?

Ju kujtoj që kodin e ka bërë PD-ja me PS-në. Ne kemi pasur kundërshtimet tona, por ata e kanë bërë me konsulencën e OSBE-së dhe negociatat ishin të natyrshme nëse do të mbaheshin. Dua t’i rikthejmë dinjitetin KQZ-së, duhet të kemi zgjedhje me standardin e duhur dhe kjo është përgjegjësi e Berishës.

Ju e takuat atë natën në Kryeministri zotin Berisha dhe atë natë u dukët sikur u ndatë në paqe?

Raportet tona në katër vjet, që kur iu përgjigjëm pozitivisht ftesës, kanë qenë konstruktive, bashkëpunuese, edhe pse kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, që në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht dhe në takimin e fundit. Në atë takim, unë e falënderova për bashkëpunimin dhe i bëra të qartë se kisha vendosur të bëja një zgjedhje tjetër për PS-në.

Si e priti Kryeministri këtë deklaratë?

Ajo që doja të theksoja, është se po të më kishte thënë në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar na prish balancat në KQZ, besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur me bisedime, pa qenë e nevojshme që të krijoheshin trauma të tilla.

Pra do e kishit tërhequr zotin Muho?

Besoj se po. Për mua s’ishte shumë e rëndësishme 4-3 apo 3-4, nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshjeje me Ramën kontrolli i KQZ-së. Gjithçka tjetër mendoj se ishte një justifikim, për të justifikuar me propagandë bolshevike, veprimet bolshevike si ky shkarkim.

Megjithatë, u duk se divorci do të ishte në paqe e në pushtetin lokal do të vazhdonte bashkëpunimi, por në fakt, fill pas votimit të LSI-së të një projekti të rëndësishëm në bashki, një ditë më pas erdhi fillimi i përpjekjes për shkarkimin. A është kjo një prerje në besë?

Nuk e kam zakon që të tregoj histori ç’i thashë e ç’më tha dhe besoj se kjo nuk është as në interesin e publikut. Kam dëgjuar fjalë për komplotin e madh të rrëzimit të qeverisë, por unë nuk do të votoja kundër qeverisë sime dhe deputetëve të mi. Nuk ka kuptim që për një javë pas daljes nga qeveria, ajo u bë e zezë dhe hajt ta rrëzojmë. Pavarësisht se nuk i kishin 71 vota, por sipas zgjedhjeve të 2009-s, PD-ja ishte e para dhe asnjëherë s’ka qenë pjesë e angazhimeve të mia me Ramën dhe me të tjerët që të bënim një qeveri teknike, për vetë faktin se interesi i vendit ishte që ndryshimi të bëhej me votën e qytetarëve. Kjo ka qenë një betejë e ulët, edhe në çështjen e KZAZ-së mund të ishte zgjidhur, por nuk ka qenë ky shqetësimi real i mazhorancës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/









LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.