Lajme sociale shkurt

Fier

Kalimi i LSI-së në opozitë, PD vë dorë edhe në arsim

Partia Demokratike vazhdon të spastrojë vendet e administratës që zotëroheshin prej anëtarëve dhe militantëve të LSI-së. Veç institucioneve të tjera, tashmë politika ka zbritur edhe në arsim, ku kanë nisur të hiqen nga pozicionet drejtuese gjithë drejtorët e shkollave nëntëvjeçare dhe atyre të mesme, që i përkasin forcës politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një fakt i tillë ka ndodhur edhe në Qarkun e Fierit, ku mësohet që të jenë shkaktuar nga funksioni i tyre disa drejtorë shkollash, ndërkohë që pritet të kryhen edhe lëvizje të tjera. Ndryshe nga institucionet e tjera, ku një pjesë e mirë e zyrtarëve dhe punonjësve që i përkisnin LSI-së ngelën të papunë, këta drejtorë nuk janë pushuar nga detyra, por vetëm se janë ulur në detyrë. Nga burime të gazetës mësohet se ka qenë një urdhër verbal i mbërritur nga Tirana, që u ka kërkuar titullarëve të institucioneve në të gjitha rrethet e vendit që i përkasin PD-së, që të largojnë nga postet drejtuese zyrtarët që i përkasin LSI-së. Këto lëvizje erdhën pas dorëheqjeve nga postet politike të zyrtarëve të LSI-së. Pas emërimit në këto poste të militantëve të PD-së, nisi kjo “fshesë” spastrimi që nuk u paralajmërua prej të djathtëve. Pas rikthimit në opozitë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, garantoi militantët e tij se administrata nuk do të prekej. Por këto ndryshime dhe largime nga puna, pak ditë më parë Meta i quajti diçka primitive që po bëheshin ndaj elektoratit të partisë që ai drejton. E. Hoxhaj

 

Korçë

Drejtori i ri i spitalit largon infermieret e LSI-së

Spastrime të menjëhershme të punonjësve të spitalit të Korçës që njihen si mbështetësit e LSI-së, me emërimin e kreut të ri të këtij institucioni. Largimet nga puna kanë sjellë edhe protestën e 17 infermiereve të spitalit rajonal të Korçës, me urdhër të drejtorit të ri të këtij spitali, Ylli Qirinxhi. I ardhur në këtë detyrë pak ditë më parë në vend të një përfaqësuesi të LSI, Qirinxhi ka firmosur shumë shpejt pushimin nga puna të 17 infermierëve dhe infermiereve që, sipas tij, janë marrë jashtë kritereve. Kjo nismë e drejtuesit të ri të spitalit të Korçës, është konsideruar si arbitrare dhe joligjore nga grupi i infermierëve që janë detyruar të lënë bluzat e bardha dhe të dalin në protestë. Një prej punonjësve të pushuar nga puna, njëkohësisht edhe drejtuese e degës së LRI-së në Korçë, tha se këto largime janë në kundërshtim me Kodin e Punës dhe kontratën individuale dhe si veprime antiligjore do të kenë reagime të mëtejshme nga personat që kanë humbur punën. Largimi i këtij numri punonjësish nga spitali është cilësuar si i nxitur politikisht, meqenëse ata kanë qenë mbështetës apo anëtarë të LSI-së në Korçë. Ndërkaq, nga drejtuesit e spitalit, këto pushime nga puna janë argumentuar si të bazuara, sepse pretendohet që nuk janë respektuar kriteret e konkurrimit të hapur për punësim si dhe janë gjetur shkelje në procedurat për marrjen në punë të këtij grupi personash. Ardhja e drejtorit të ri, i prezantuar në detyrë këtë fillimjave, është shoqëruar edhe me dorëheqje të së paku dy drejtuesve të administratës ndërkohë që frika për largime të tjera nga puna ka mbërthyer edhe punonjës të tjerë të spitalit rajonal të Korçës. G. Ashimi

 

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.