Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Kriza nuk zgjidhet mes shqiptarësh, shpresa vetëm te ndërkombëtarët

Forum

Çfarë mendojnë Mustafa Nano, Andrea Stefani, Fatos Baxhaku dhe Skënder Minxhozi për krizën e KQZ-së. Parashikimet për fatin e zgjedhjeve dhe sugjerimet për daljen nga ngërçi

Analistët kanë këshilla vetëm për opozitën: Kujdes kurthet!

Kryetarja e KQZ Lefteri Lleshi dhe Anetari i KQZ Ilirian MuhoNë katër ditë, gjithçka ishte ndërtuar për të garantuar një nivel minimal besimi te zgjedhjet e 23 qershorit, u zhbë. Shqipëria ndodhet në një krizë politike të paprovuar më parë, jo për nga rëndësia, por për nga komplikimi. Johnatan Moore, njeriu i Departamentit Amerikan të Shtetit i cili po udhëheq negociatat për krizën e re shqiptare, deklaroi dje se me këtë KQZ nuk mund të shkohet në zgjedhje. Palët nuk lëshojnë dhe gjithçka duket se po shkon në një rrugë pa krye. Katër analistë politikë, Mustafa Nano, Andrea Stefani, Fatos Baxhaku dhe Skënder Minxhozi mundohen të hedhin dritë mbi situatën duke iu përgjigjur tri pyetjeve bazike: Çfarë po ndodh, si mund të përfundojë dhe si duhet të përfundojë? Përveç pesimizmit, të katër analistët i bashkojnë dy gjëra: që asnjëri nuk pret që Berisha të jetë më i arsyeshëm dhe që të vetmit që mund të ndryshojnë situatën janë ndërkombëtarët.

 

Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?

Mustafa NanoMustafa Nano: Me këtë që po ndodh mund të jenë befasuar të huajt, por jo ne. Ajo që po ndodh është tipikisht shqiptare. Palët po zihen për të pasur nën kontroll procesin e zgjedhjeve, ngaqë vetëm kjo është mënyra e vetme, sipas tyre, për ta mbrojtur këtë proces nga hilet e tjetrit.

Por në terma konkretë, kjo situatë e ka një fajtor. Quhet Sali Berisha. Në mënyrë krejt të papritur, kryeministri vendosi që një anëtar të KQZ-së t?ia marrë opozitës. Fillimisht donte t?ia merrte me motivin e balancimit të KQZ-së, pasi kështu paska vendosur ai dhe Fatos Nano në një marrëveshje të vitit 2003 (!!!), dhe më pas, duke e parë se ky motivim ishte trashaman, vendosi ta bënte shkarkimin e Ilirjan Muhos me një motiv tjetër. Vendosi ta shkarkonte si njeri me njolla në terma legalë. Por ky rezultoi të ish një motiv edhe më trashaman. Dhe e gjitha për t?i bërë bisht një ligji, që saktëson e rregullon në mënyrë të qartë momentet e shkarkimit të anëtarëve të KQZ-së. Dhe ligji është aq i qartë, sa edhe diplomatët e huaj, të cilët zakonisht, për një logjikë ex officio, flasin me një gjuhë të drunjtë, të balancuar, të kujdesshme, neutrale, këtë herë treguan me gisht fajtorin. Dhe i thanë: Stop, mos e bëj atë që ke në mendje? Por ai e bëri.

Pas kësaj, kemi dorëheqjet e anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Nuk jam në gjendje të them, nëse këto dorëheqje e zgjidhin apo e thjeshtojnë situatën. Kam frikë se e komplikojnë atë. Por nga ana tjetër, ne e dimë se si thjeshtohet situata politike në Shqipëri. Thjeshtohet veç në një mënyrë: Duke e lënë Berishën të bëjë ç?të dojë. Hë, si thoni, ta thjeshtojmë situatën?

 

Andrea StefaniAndrea Stefani: Jemi në një thuajse krizë të KQZ-së. Por për mua nuk ka asgjë të papritur në çka po ndodh. Kam pasur bindjen, që e kam shprehur edhe në artikuj e intervista, se e vetmja mundësi që Berisha të qëndrojë në pushtet (aq më shumë tani pas largimit të LSI nga koalicioni qeveritar) është të manipulojë zgjedhjet. Akti më i fundit i shkarkimit me dhunën e kartonit të Ilirjan Muhos nga KQZ, është në funksion të këtij qëllimi që Berisha i ka vënë vetes. Në të njëjtën mënyrë, ai kish imponuar me dhunën e shumicës edhe ndarjen e zonave zgjedhore, si dhe numrin e deputetëve për çdo zonë. Duke shkarkuar Muhon, me pretendimin absurd se kompozimi i institucioneve duhet të reflektojë dinamikën e aleancave partiake, Berisha dhe juristët që e udhëzojnë, treguan se sa pak e kuptojnë ligjin dhe pavarësinë e institucioneve që burojnë nga ai. Sepse ligji (Kodi Zgjedhor në rastin konkret) e ka përfillur marrëveshjen politike për balancim politik të KQZ. Dhe këtë e ka bërë duke i dhënë të drejtë pozitës dhe opozitës të propozojnë anëtarët e KQZ në raporte të caktuara. Por pasi këta emërohen si të tillë nuk mund të jenë më ushtarë të partive që i kanë propozuar. Por ky është koncepti i Berishës. Sipas tij, anëtari i KQZ është si ajo kukulla e teatrit, veprimet e së cilës diktohen nga ai që komandon gjymtyrët e saj me ca tela nga prapaskena. Prandaj kur ia rrëmbejnë kukullën i duket se i bëjnë një padrejtësi dhe kërkon që ta zëvendësojë me një kukull tjetër.

 

Fatos BaxhakuFatos Baxhaku: Situatën e ankthit, pasigurisë, mënisë, të cilën politika po e përcjell deri poshtë te hallexhinjtë tanë të shumtë, nuk e konsideroj gjë tjetër veçse pasojë të një sistemi tashmë të konsoliduar për keq, i cili nuk ka synim të çojë përpara Shqipërinë, porse vetëm të ruajë pushtetin e një klase politike e cila është e lidhur në një mijë e një mënyra me një oligarki financiare. Shumë prej politikanëve të opozitës, por edhe kolegë gazetarë e analistë e kanë lidhur këtë gjendje me emra të caktuar, para së gjithash me Sali Berishën. Mendoj se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Në radhë të parë, prej faktit se ai është produkti një historie të caktuar, të cilën shumë prej nesh, shqiptarëve them në tërësi, e kanë përjetuar ndonëse në forma të ndryshme. Në këtë kuptim nuk mund të themi se atë na e solli dikush nga jashtë dhe na e imponoi si në kohë të pushtimit. Aspak, Berisha është njësoj si shumë prej nesh, me të mira, të këqijat, komplekset, që burojnë nga karakteri, formimi, origjina, lidhjet familjare e shpirtërore. Të thuash se vetëm një person na qenka shkaku i gjërave që nuk ecin në Shqipëri është naivitet jo vetëm politik, por edhe krejt elementar. Kjo mënyrë të menduari e shndërron betejën politike në një betejë personale duke e banalizuar atë dhe sidomos, duke mos zgjidhur shkaqet e së keqes tonë. Beteja mes personave dhe jo mes ideve, çon pastaj edhe në një klimë konfliktuale shumë të rrezikshme. E kemi treguar disa herë që nuk jemi nga ata popuj që i zgjidhim gjërat qetësisht, 21 janari, 1996, 1997, 1999 nuk është se janë shumë larg. Andaj ka qenë një përgjegjësi e kahershme e politikanëve tanë që ta shuajnë zjarrin që në xixat e tij të para dhe jo t?i fryjnë atij, sikurse po ndodh sot çdo ditë e më shumë.

 

Skender MinxhoziSkënder Minxhozi: Po konsumohet sipas meje nivelimi i raportit të forcave mes palëve, sipas konfigurimit të ri që ndodhi, me ikjen e LSI majtas. Kjo përplasje nuk do të kishte ndodhur fare, nëse Meta nuk do të përmbyste balancat në KQZ, por përveç elementit numerik, ai duket se ka sjellë me vete edhe një energji tjetër brenda kampit opozitar. Duket qartë se kjo opozitë e re mund të jetë më e shëmtuar nga pikëpamja morale, por është njëherësh më e fortë nga aspekti i sjelljes dhe i imponimit në tryezë me Berishën përballë.

 

 

Si e parashikoni përfundimin e kësaj situate?

Mustafa Nano: Nuk jam në gjendje të bëj parashikime. Dhe nuk besoj se ndonjëri prej nesh mund të jetë në gjendje. Politika shqiptare është absurde, surreale, e prandaj krejt e paparashikueshme. Ja, ishte njeri në gjendje të parashikonte që Berisha do ta bënte atë lëvizje, e që nga ana tjetër do t?i përgjigjeshin me dorëheqje?

 

Andrea Stefani: Mendoj se ndërkombëtarët nuk mund të pranojnë një logjikë të tillë. Përjashtuar tipave si Vilfred Martens, që kanë vite që mbështesin Berishën në mënyrën më cinike të mundshme, pa marrë parasysh koston e madhe që ka për Shqipërinë dhe demokracinë vazhdimësia në pushtet e këtij autokrati me aspirata diktatoriale. Ndërkombëtarët nuk mund të pranojnë që edhe pse anëtarët e KQZ propozohen nga partitë, vetë ata dhe institucioni i KQZ të mos udhëhiqet nga kriteret e pavarësisë. Njerëzit e Berishës, si për shembull Jozefina Topalli, kanë habitur jo pak kur deklaronin me të madhe se KQZ nuk është e pavarur, por e paanshme! Me të tilla tautologji vulgare nuk mund t?ua shtiesh ujët nën rrogoz as opozitës dhe as ndërkombëtarëve. Dhe në fakt nuk ia arritën. Tashmë shkarkimi i Muhos është kritikuar gjerësisht edhe nga ndërkombëtarët. Ish-ambasadori i SHBA, Uidhers, e cilësoi "puç administrativ". Dhe mendoj se një rrugë për të dalë nga kriza është rikompozimi i KQZ, mundësisht me profesionistë që japin garanci për ushtrim të pavarur të detyrës. Edhe më mirë do qe sikur një riformatim i tillë të shoqërohej edhe me një qeveri teknike, detyra e së cilës do ishte bërja e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

Fatos Baxhaku: HAKMARRJA është kryefjala e politikës së sotme shqiptare. Berisha mori hak ndaj Ilir Metës që e la në baltë bash e në prag të zgjedhjeve duke shkarkuar përfaqësuesin e LSI në KQZ. Gafë e rëndë fort, madje edhe shumë e rrezikshme. Kësaj gafe PS iu përgjigj me një HAKMARRJE tjetër, mori në dorë këshillat bashkiakë në gati shumicën e vendit. Pas kësaj, kush dreqin e di se me çfarë HAKMARRJE do të përgjigjet krahu tjetër. Zinxhiri i inatit, i mosdiskutimit, i mosbesimit, i çakërritjes së frikshme të syve mund të vazhdojë pa fund. Imagjinoni pak se në çfarë situate do të zhvillohen zgjedhjet e 23 qershorit? Kushdo që do të humbasë, nuk do të pranojë aspak rezultatin, duke na shtyrë edhe një herë prapa në diskutime, gjyqe, debate, harxhim energjish të kota, në një kohë që nuk e kemi aspak luksin për ta bërë një gjë të tillë.

 

Skënder Minxhozi: Përfundimi i krizës së KQZ mesa duket do të shkojë duke u thelluar. Refuzimi i opozitës për të ofruar kandidatura të reja, ka sjellë shumë shpejt djegien e afatit 48 orësh për këto propozime dhe qeveria do të duhet të vendosë nëse do të pranojë kushtet e opozitës për riformatimin e KQZ, apo gjetjen e një mënyre për të caktuar anëtarë të rinj. Pa përjashtuar variantin e lënies kështu siç është të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Qeveria ka qenë shumë e aftë në këto vite për të operuar me sofizma juridike. Megjithatë, duke njohur minimalisht Berishën, mund të themi se ai do të përpiqet të minimizojë pasojat e krizës dhe të hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

 

Çfarë sugjeroni ju, si duhet të zgjidhet kjo krizë?

Mustafa Nano: Nuk kam sugjerime. Kam vetëm një shpresë. Dhe shpresa lidhet me faktin që ndërkombëtarët janë bindur se ku e kanë burimin kryesor problemet e politikës shqiptare.

 

Andrea Stefani: Mendoj se jemi në një moment delikat ku Berisha e ka humbur dukshëm jo vetëm avantazhin elektoral, por edhe atë politik. Dukshëm balanca nuk anon nga ai. Por Berisha ka treguar, veçanërisht në vitin 1997, se nuk jepet kollaj. Druaj se në momente të tilla ai shfaqet mjaft pjellor në integrimin e incidenteve politike deri edhe për ta inkriminuar opozitën. Në mars 1997, ai armatosi paramilitarë dhe kur popullata e revoltuar iu përgjigj këtij kërcënimi, duke u armatosur, ai e akuzoi për revolucion bolshevik. Është njësoj si të akuzosh rezistencën që opozita në Siri i bën pushtetit të Bashar al Assadit për revolucion bolshevik. A nuk bëri Berisha të njëjtën gjë edhe më 21 janar? A nuk vrau për të akuzuar më pas opozitën se vrau? Berisha është politikan i tipit nazist, që e ka të vetën taktikën e Hitlerit për të kryer krime (si djegia e Rajhshtagut) me qëllim që të akuzojë kundërshtarët. Prandaj opozita duhet të jetë e kujdesshme të mos bjerë në leqe të tilla. Në këtë kuptim janë pa vend dhe të gabuara veprime radikale si ajo e protestës së disa militantëve të opozitës para shtëpisë së Kastriot Islamit. Unë shikoj me shqetësim që Berisha nxitoi të vërë Islamin nën mbrojtjen e forcave të tij speciale. Sepse është e frikshme kur të merr në mbrojtje Berisha.

 

Fatos Baxhaku: Për mendimin tim modest, pala që duhet të jetë më e qetë dhe pra më e sigurt në fitoren e ardhshme, me gjithë një mijë e një problemet e brendshme që kanë lindur pas aleancës fort të diskutueshme me Metën, është opozita. Në radhë të parë, ajo duhet të jetë më e qetë, sepse Berisha ka shumë gjasë që të ikë nga pushteti jo sepse opozitës i duhet të lodhet shumë, por sepse grackat e pushtetit të gjatë, sikurse i ka ndodhur Berishës, krijojnë disa vorbulla centrifugale që me kohë të nxjerrin jashtë loje. Opozita vetë duhet të ruhet nga një tjetër grackë e rrezikshme: nga tejkalimi i së drejtës. Kjo që do të hedh më poshtë në letër është mendim krejt personal dhe mbase ha diskutim, porse rasti i të rinjve socialistë të FRESH, që protestonin para shtëpisë së Kastriot Islamit është një shenjë shumë e keqe për rininë, për të majtët, për Shqipërinë vetë. Se cili është Kastriot Islami (mbase të rinjtë nuk e dinë se ai është që para Edi Ramës një ndër njerëzit më të shquar të PS!), këtë nuk ka nevojë ta themi sepse ai mbrohet vetë. Nëse bëri mirë apo keq që votoi në favor të Berishës, edhe kjo ha diskutim, sepse ha diskutim të paktën po aq sa edhe bashkëpunimi më i fundit Rama-Meta, apo kalimi i deputetëve nga PD në PS, për të cilin socialistëve u erdhi si mbarë. Politika ka rregullat e veta, vetë politikanët na e kanë mësuar këtë. Porse rregullat janë njësoj për të gjithë, qoftë edhe kur nuk të vjen për shtat. Gjithsesi, protesta e të rinjve të acaruar në një lagje të qetë të kryeqytetit, mua të paktën më la një shije të hidhur. Mbase ngaqë po na kalon edhe ca mosha, seç për dreq m?u kujtuan gardistët e Revolucionit Kulturor të 1966, që shihnin tradhtarë gjithandej. Në këtë rast, opozita kishte plotësisht të drejtë, sepse Berisha nuk duhej të prekte aspak KQZ, porse mënyra se si u reagua pas kësaj, çoi në tejkalimin e së drejtës dhe kjo, nga ana tjetër, çon në harrimin e thelbit të problemit, që duhet të jetë fitorja e demokracisë dhe jo thjesht marrja e pushtetit.

 

Skënder Minxhozi: Një sugjerim? Gjëja më e lehtë dhe më e vështirë njëkohësisht. Më e lehtë, pasi të gjitha krizat politike në Shqipëri janë të thjeshta për t?u zgjidhur, për sa kohë që në themel kanë mungesën totale të vullnetit për kompromis dhe marrëveshje. Sugjerimi, në këtë rast, do të kishte qenë ai i uljes në një tryezë bisedimesh i aktorëve kryesorë politikë, prej nga do të dilte natyrshëm një zgjidhje e ngërçit. Por krizat shqiptare janë edhe më të vështirat për t'u zgjidhur, pasi kundërvënia e ashpër prodhon kolaps dhe mungesë totale komunikimi. Dhe vendin e komunikimit e zë menjëherë gjuha e dhunës dhe kërcënimet. Për këtë arsye, ndoshta sugjerimi u duhej bërë atyre që rëndom kanë lehtësuar komunikimin dhe arritjen e kompromiseve të minutës së fundit. Pra, ndërkombëtarëve. Nëse ata nuk ndërhyjnë zgjedhjet e 23 qershorit mund të degjenerojnë shpejt në një krizë të thellë politike e institucionale, me pasoja potencialisht fatale për vendin.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore